Assange kandidon per zgjedhjet e 2013-es ne senatin australian

Julian Asanzh, themelues i Uikiliks dhe refugjat politik në ambasadën e Ekuadorit në Londër është kandiduar në senatin australian për zgjedhjet e vitit 2013. me fushatën elektorale të partisë Uikiliks do të merret avokati i tij Greg Barms. Zgjedhjet në Australi do të mbahen në 14 shtator të këtij viti. Ndërkohë që partia e Asanzh ka marrë mbështetjen finananciare si dhe i është dhënë një seli nga filantropi i Melburn Filip Uollen. Tashmë po mblidhen 500 firmat e nevojshme për kandidimin në zgjedhje. Ndër objektivat e kësaj partie të re janë fluksi i ri i informacionit dhe zbardhja e padrejtësive dhe korrupsionit. Gjithashtu statusi i partisë propozon mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë, transparencën e parlamentarëve dhe të politikave të informacionit si dhe mbrojtjen e të drejtës ndërmjet gjeneratave. Anëtarët e partisë janë 11, mes të cilëve aktivistë, akademikë dhe shkencëtarë, financimet e të cilëve janë publikuar në faqen zyrtare të partisë lider i së cilës ëshët sigurisht Asanzh. 41 vjecari që u bë i njohur pas publikimeve të mijëra dokumenteve sekrete diplomatike amerikane në 2007, strehohet prej kohësh në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Qeveria suedeze kërkon ekstradimin e tij pasi akuzohet për ngacmime seksuale, por dhe autoritetet amerikane duan ta gjykojnë për spiunazh. Vepër penale kjo që mund të sjellë dhe dënimin me vdekje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse do të ketë sukses në Australi Asanzh do të gëzonte privilegjin e parlamentarit, por nuk do të mund të kishte imunitetin ndaj akuzave aktuale.