Assange ndjehet triumfues

"Kuptohet që punët tash e tutje do të jenë më stresuese seç ishin deri më tani", tha Assange.
Derisa po bënte të ditur vendimin e Ekuadorit për lejim të azilit për ish-gazetarin australian, ministri i Jashtëm ekuadorian, Ricardo Patino, nga zyrtarët britanikë kërkoi që të mundësojnë "kalimin e lirë" të Assange, respektivisht që Ambasadës së Ekuadorit t’i mundësohet transferimi i tij Quito.
Nga ana tjetër, autoritetet britanike njoftuan se nuk do të lejojnë që Assange të kalojë përmes "territorit britanik" dhe udhëtojë për në vendin që i dha strehim politik. Mediat londineze kanë publikuar edhe reagimin e Suedisë për këtë çështje, e cila gjithashtu ka dënuar vendimin e Ekuadorit.
Ndërkohë, raportohet se në Ministrinë e Jashtme të Suedisë është ftuar për një bisedë urgjente ambasadori ekuadorian në Stockholm. Një përfaqësues i Prokurorisë suedeze tha për televizionin SKY News se azili për Assange nuk mund ta bllokojë kërkesën për ekstradimin e tij, për shkak se këtu bëhet fjalë për një rast kriminal dhe për një padi të rëndë penale.
Ndryshe, forca policore britanike u panë edhe të premten përreth Ambasadës së Ekuadorit në Londër, brenda së cilës po vazhdon të qëndrojë Julian Assange.
Qeveria e Britanisë së Madhe ka tërhequr vërejtjen se problemi diplomatik lidhur me fatin e themeluesit të WikiLeaks mund të zgjas për vite të tëra, ndërkohë që sekretari i Jashtëm, William Hague ka aluduar qartë se Britania e Madhe s’e ka ndërmend të heqë dorë nga kërkesa e saj për ekstradimin e Assange në Suedi.
"Askush, e aq më pak Qeveria e Ekuadorit, nuk mund të ketë dyshime në atë se ne jemi të përkushtuar që të përmbushim obligimet tona ligjore, gjegjësisht, që z. Assange ta shohim të ekstraduar në Suedi”, deklaroi sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, gjatë një konference për gazetarë, që u mbajt të enjten.