E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutivi miratoi disa projekt-rregullore dhe propozim-vendime

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur të premten kanë qenë në rend të ditës disa projekt-rregullore dhe strategji, të cilat pa ndonjë kundërshtim janë miratuar. Pas fjalimit të kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi rreth procesit të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, kabineti qeveritar ka vazhduar punimet me miratimin e Projekt-strategjisë për shërbime këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural për vitin 2012-2016.

Është miratuar Projekt-rregullorja për përcaktimin e kushteve të shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik dhe certifikimit veterinar për import të qumështit të papërpunuar, të përpunuar dhe produkteve të tij në Republikën e Kosovës.

Po ashtu është miratuar Projekt-rregullorja për vlerësimin e rezultateve në punë të nënpunësve civil, gjithashtu është miratuar Propozim-vendimi për emërimin e Komitetit Drejtues Ndër-Institucional për Zbatimin e Programit të Barazisë Gjinore të Kosovës.

Një pikë tjetër e rendit të ditës që është miratuar ka qenë edhe Propozim-vendimi preliminar për shpronësim për Autostradën Vërmicë-Merdare, sektori 9.1 Zona Kadastrale Mazgit dhe Llazarevë, Komuna e Obiliqit.

Po ashtu është miratuar edhe Propozim-vendimi përfundimtar për shpronësim për rrugën N9 Fushë Kosovë – Arllat – Gjurgjicë, Zonat Kadastrale Fushë Kosovë – Vragoli - Sllatinë e Madhe - Sllatinë e Vogël - Harilaq, Komuna e Fushë Kosovës dhe Zonat Kadastrale Koreticë e Epërme – Sankoc - Zabel i Epërm – Komoran - Llapushnik dhe Arllat, Komuna e Drenasit.

Është miratuar Planit Zhvillimor Strategjik për Ministrin e Diasporës për vitin 2012-2014 dhe Plani Zhvillimor Strategjik për Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë për vitin 2012-2014./Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›