Fitër Bajrami në Kosovë, myftiu i Kosovës apel për tolerancë

Me rastin e faljes së Festës së Fitër Bajramit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava u është drejtuar me një mesazh të gjithë besimtarëve myslimanë, duke thënë se të gjithë besimtarët myslimanë janë vëllezër, prandaj mes tyre duhet të mbretërojë uniteti, urtësia dhe vendosmëria. Tërnava, ka thënë se me agjërimin e muajit të Shenjtë të Ramazanit u tregua respekt për Zotin.
Ai ka theksuar se me daljen nga muaj i Ramazanit të gjithë janë të gëzuar, pasi që kryen një obligim me sukses ndaj krijuesit të gjithësisë.
Besimtarët, sipas tij, si asnjëherë më parë, janë të gëzuar se Allahu i mbajti në jetë që ata të kryejnë këtë obligim. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përgëzuar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, dhe besimtarët islamë të Kosovës, me rastin e festës së Bajramit. Siç informon faqja e Kryeministrisë së Kosovës në Internet, Thaçi ka theksuar se “me rastin e shënimit të
Festës së Fitër Bajramit, këtë vit Republika e Kosovës është konsoliduar edhe më shumë si shtet demokratik, me institucione të qëndrueshme dhe funksionale, duke i dhënë prioritet kryesor përmbushjes së standardeve dhe kritereve për integrim në Bashkim Europian dhe në NATO, si dhe duke implementuar vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve”.
Pas faljes së Namazit, besimtarët ua kanë uruar njëri-tjetrit Fitër Bajramin, duke uruar mirësi, paqë e dashur për të gjithë. Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih” ose xhamia e madhe në Prishtinë, duke shënuar kështu nisjen e festës së Fitër Bajramit për besimtarët myslimanë në Kosovë.