Euro nis të forcohet, shkak largimi i emigrantëve

Monedha europiane forcohet përsëri kundrejt lekut .Në tregun e këmbimit valutor një euro ka arritur të shkëmbehet afërsisht me 138 lekë, duke rifituar kështu të paktën tre pikë kundrejt monedhës shqiptare. Një prej shkaqeve të forcimit të euros gjatë këtyre ditëve shpjegohet me rikthimin e emigrantëve drejt vendeve ku ata punojnë dhe jetojnë. Ndërkohë që specialistët shpjegojnë se forcimi i monedhës europiane ka ardhur edhe si rezultat i rikthimit të besimit të investitorëve në këtë monedhë.
Deklarata e kreut të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi se do të bëhet cdo gjë për të mbrojtur euron si dhe besimi se shtete të fuqishme të Eurozonës si Gjermania do ta mbrojnë me cdo kusht euron ka bërë që kjo monedhë të rifitoj pikë edhe në tregjet ndërkombëtare. Vlerësimi i euros në këtë periudhë kundrejt monedhës tonë kombëtare ka më shumë disavantazhe për ekonominë shqiptare.
Së pari importet tona bëhen relativisht më të shtrenjta, gjë që ndikon në ngritjen e cmimeve në treg të produkteve të ndryshme ushqimore, duke qenë se ne jemi një vend kryesisht importues si dhe së dyti një pjesë e konsiderueshme e kredive që janë marrë në euro bëhen më të shtrenjta.
Ata që përfitojnë prej kësaj situate janë eksportuesit, të cilët e blejnë mallin në lek dhe e shesin në euro. Humbje nga vlerësimi i euros ka edhe qeveria, e cila do te paguajë më shumë për borxhin e jashtëm. Për shkak të krizës ekonomike euro arriti disa prej kuotave më të ulta gjatë muajve të fundit, jo vetëm kundrejt lekut por edhe ndaj monedhave të huaja.
Deklaratat për daljen e Greqisë prej Eurozonës dhanë ndikim të menjëhershëm në dobësimin e kësaj monedhe, e cila arriti të shkëmbehej edhe me 135 lekë në Shqipëri. Megjithatë menjëherë pas deklaratave për mbështetje të euros nga krerët e institucioneve financiare më të rëndësishme të Europës ka pasur një rivlerësim të menjëhershëm të monedhës së vendeve të Eurozonës.
Ndonëse nuk është saktësuar se çfarë do të ndërrmarë BQE-ja, deklarata e Dragit ka shkaktuar ngritje të menjëhershme në tregjet e aksioneve. Specialsitët parashikojnë se në muajt në vijim mund të ketë një euro të fortë përballë monedhave të tjera, nëse do të vijojë mbështetja për këtë monedhë.