E Shtunë, 31 Tetor 2026

Astrit Bushi, prokurori kerkoi lirimin e “tmerrit te VIPA-ve”

Drejtësia ankohet te Presidenti Topi dhe te Kryeprokurorja

Fakte të reja dalin në dritë për çështjen e Astrit Bushit, i cili u lirua nga Gjykata e Lezhës në shtator të këtij viti. Pas kërkesës për dënim alternativ, mësohet se ka qenë prokurori, i cili ka kërkuar që ta kalojë pjesën tjetër të dënimit në “arrest shtëpie”, dhe nuk e ka ulur një masë të tillë gjykata. Kjo ka sjellë shqetësimin edhe të autoriteteve të drejtësisë, të cilat kanë çuar ankim për prokurorin e çështjes pranë Presidentit të Republikës dhe pranë Prokurores së Përgjithshme.

Sipas të dhënave nga dosja e Astrit Bushit, i cili aktualisht ndodhet në qeli për thyerje të vendimit të gjykatës dhe dyshohet për vepra të tjera penale, ai është liruar në muajin shtator nga Gjykata e Lezhës. Gruaja e tij ishte ankuar pranë drejtësisë, pasi kishte mësuar për shërbimin e provës dhe dënimin alternativ dhe kërkonte lirimin e burrit të saj, duke e motivuar me faktin se nuk kishte mundësi të mbante fëmijën e saj. Në këto kushte është hapur një proces në Lezhë. Prokurori, i cili përfaqësonte akuzën për këtë çështje, kur ka lexuar pretendimet e tij është shprehur se, Astrit Bushi duhej të lihej në arrest shtëpie për pjesën e mbetur të dënimit për armëmbajtje pa leje, pavarësisht se prej vitesh ai hetohet për vrasjen e një polici të FNSH-së në Laç. Në këto kushte, gjykata ka dhënë një vendim për masën e kërkuar nga vetë prokurori. Megjithatë, kjo ka sjellë shqetësim në të gjitha nivelet drejtuese të drejtësisë shqiptare, duke mos lënë mënjanë edhe organin qendror të akuzës. Menjëherë, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar informacion më të hollësishëm për këtë çështje dhe e habitur nga ky qëndrim i prokurorisë, ka vendosur të ankohet. Nga të dhënat e besueshme mësohet se, një ankesë për këtë prokuror i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me qëllim për të vlerësuar këtë çështje, ndërkohë që e njëjta ankesë i është dërguar edhe Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Ende nuk ka një konfirmim se çfarë masash do të merren për këtë prokuror dhe si ka vijuar çështja e tij. Astrit Bushi u kap më 11 dhjetor, në qendër të Laçit. Sipas të dhënave, ai sapo kishte dalë nga shtëpia, kur u përball me tre makina civile të RENEA-s, të cilët e vunë në pranga. Ai ka tentuar të largohet me mjetin e tij, por është neutralizuar. Gjatë arrestimit iu gjet edhe një armë. Në Shqipëri dyshohet për vrasjen e një polici, ndërsa në Spanjë ai akuzohet për vjedhjen dhe dhunimin e një producenti të famshëm. Sipas të dhënave nga dosja spanjolle, ai ka kryer në këtë shtet disa vjedhje me armë. Lirimi i tij u komentua shumë disa vjet më parë në Spanjë, madje u akuzua një gjyqtar për ryshfet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›