E Shtunë, 31 Tetor 2026

Astrit Cani: Qesharak imitimi i regjisorëve

Autori i dramës “Pluhur në parvaz”, refuzon të shohë premierën. Astrit Cani ka një opinion kategorik për teatrin shqiptar: Ky teatër duhet çliruar nga thirrjet dhe ulërimat, nga epizmi ose më mirë pseudoepizmi

“Pluhur mbi parvaz” është e pesta dhe e fundit vepër dramaturgjike që merr pjesë në Festivalin Teatror të të Rinjve. Për autor ka Astrit Canin, emër që u bë i njohur për lexuesin më së shumti me përkthimin e romanit “Ask the dust” të një autori të rrallë si John Fante. Premiera që vjen sot, nesër dhe pasnesër në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, është debutim i dyfishtë. Regjisori Irvin Muçaj e ka herën e parë në teatër, pas provave në kinema, për Canin po ashtu.

Devis Muka, Julia Iliriani, Orion Halili dhe Marsela Lena, aktorët e “Pluhurit mbi parvaz” tregojnë historinë e djaloshit Lens i kthyer në vendlindje pas disa vitesh, i shoqëruar vetëm nga një qen.

Autori i dramës, Astrit Cani, tregon para premierës se jo vetëm për ndikimin që ka pasur tek ai kontakti me një autor si Fante, po që mbi të gjitha nuk ka për të qenë spektator në sallën e Teatrit Kombëtar sonte në mbrëmje. Autori duket se nuk i intereson shumë kjo, madje asnjëherë nuk ka ndjekur ecurinë e provave. “Unë e kam mbaruar tashmë veprën, ajo nuk më përket më mua. E kam parë veprën me mendjen time dhe tani është radha e publikut ta shohë me sytë e regjisorit”.

Lensi yt kthehet në vendlindje pas shumë vitesh, njëlloj si ti që je kthyer pas disa vitesh qëndrimi në Itali. Ka të bëjë “Pluhur mbi parvaz” me një përvojë personale?

Unë e kam shkruar “Pluhur në parvaz” përpara se të emigroja. Flet për një njeri që ka qenë diku dhe kthehet në vendlindje. Kjo nuk do të thotë që ai ka qenë në emigracion. Unë nuk shkruaj për fenomene sociale, por për gjendjen e njeriut.

Çfarë kumti përcjell nga vepra “pluhuri” i titullit?

Pluhur janë vitet që ikin, pluhur që pret ta marri era, pluhuri këtu është “Ask the dust”, pluhur ku mund të shkruash me gisht. Ky pluhur ka të bëjë me kohën, me vitet që ikin. Është pluhuri i eshtrave të njerëzve.

Atëherë ka një influencë nga “Pyesni pluhurin” të John Fantes?

Kjo vepër nuk ka asnjë lidhje me “Pyesni pluhurin” të Fantes. Këtu pluhuri ka lidhje me qytetin, me pluhurin e Tiranës, madje edhe me këngën “Dust in the Ëind” të Kansas. Nga ana tjetër, çdo përkthyes ndikohet në njëfarë mënyre nga autorët e vet. Përkthimi është njëfarë parapërgatitje që unë i bëj lexuesit për idetë dhe veprat e mia.

Një përkthyes nuk mund të vjedhë nga një autor ose më mirë mund të vjedhë një detaj. Psh. Unë mund të vjedh pikën nga Fante, por unë e përdor atë për të përcjellë mesazhin tim. Ajo pikë më duhet për të shprehur ato që dua.

E ndjek teatrin që bëhet sot në Shqipëri?

Teatrin shqiptar e ndjek si kritik. Nuk besoj se kam ndonjë gjë për të mësuar nga teatri shqiptar. Për mendimin tim ky teatër duhet çliruar nga thirrjet dhe ulërimat, duhet eliminuar epizmi ose më mirë pseudoepizmi. Jeta shqiptare ka shumë aksion dhe nuk është e nevojshme që njerëzit këtë aksion ta shohin edhe në skenën e teatrit. Për mua teatri duhet të jetë më i butë, të jetë më shumë i përfshirë me muzikën. Vlerësoj shumë teatrin e Ema Andreas, për mua është një teatër “hijelehtë”, dhe drejt kësaj duhet të shkojë tetari shqiptar.

Regjisori i dramës tënde, Irvin Muçaj, pohoi që puna me një vepër shqiptare është sfidë sepse dramaturgët tanë “nuk dinë të shkruajnë”. Mendon ndryshe?

Për mendimin tim regjisorët shqiptarë janë të paaftë të vendosin në skenë vepra shqiptare.Ata kanë gjetur një mënyrë më të thjeshtë, atë të marrjes së veprave të huaja. Këto vepra i imitojnë në mënyrë qesharake dhe e gjitha kjo është në kurriz të publikut. Mangësia e tyre sipas meje është se nuk shkojnë në teatër, sidomos në teatrot ndërkombëtare. Vështrimi i regjisë

Regjisori Irvin Muçaj një ditë para premierës së “Pluhur në parvaz” shprehet se vënia në skenë e një vepre shqiptare është sfidë e madhe. Sipas Muçajt dramaturgët shqiptarë nuk e njohin sa duhet teatrin. “Duhet të dish të lexosh një dramë, një monolog, duhet të njohësh çdo element të teatrit dhe pastaj të jesh i aftë të shkruash”, u shpreh Muçaj gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Për të justifikuar zgjedhjen e një vepre shqiptare ai shtoi se “një regjisor është i aftë që edhe në një dramë të dobët të gjejë elemente dhe ta bëjë të mirë në sytë e publikut”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›