E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fausti i Goethe-s

Fishta, 76 vjet më parë, komentonte në “Hylli i dritës” tragjedinë, nën titullin “Në 100 vjetor t’Volfgangut Goethe”. Vepra madhore paraqitet sot në panairin e librit në praninë e përkthyesit Pashk Gjeçi

Ishem nandëmdhetë vjetsh, kúr lexova së pari Faustin, kryevepren e Wolfangut Goethe, e kaq ky poem i çuditshem - Pjesa e Parë, mirret vesh – m’a rrëmbej me gjallní poezije e vezullime drite bukurije mendjen t’eme, sa qi per shum do vjet e mbajta si typin estetik mâ të perkryemin nder ato literatyra moderne, qi un aso kohe mûjshe me njoftun; e pse shî rreth asajë kohe un kishe fillue me u marrë me literatyrë t'onen kombtare, kshtû, tash e mâ vonë, u vejshe me kthye shqyp prej sì copa qi fort thekshin fantazìn t'eme, e sidomos, me natë e ditë, rrijshe tue lodhë mendjen, e si me perftue edhè un vetë në gjûhë shqype nji veper aso dore, me nji Faust t'emin shqyptar, me nji Mefistòfeles tjetër - herë me bryna e cub, herë me bisht e shyt - me nji Margeritë shqyptare e me nji mij tjerë djemen, shtriga e shtrigâj, e gryka ferri e "net Valpurge", e s'dij shka tjetër, por qi të gjitha u shprazshin - t’a merr mendja! - nper ajr, si nji kubure "kacalluke" mbushë me hî: tue kenë se magazja e trûvet te mí ishte si nji duqan bakalli hor kundruell asajë magazes së trûvet të Wolfangut Goethe...

Veç shka se me gjith kta qi Fausti nder pjesë e skenë të veçueme të veta më pelqete kejèt e e mbajshe model kryekrejet, prap se prap në tansi të veten nuk m'a vullndonte kryekput mendjen e zemren, edhè më lête dishkà si nji gollë në shpírt, sa qi s'më duel kurr me trajtue nji idé konkrete mbì njinì të vepres e mbí shka poeti kishte dashtë aty me kndue. Prandej, qatjè mâ vonë - mbasi ''qeshitet" e magazes së truve të mi kjenë shtue nji fije mâ teper - ia hina me skjyrtue pak gjâ mâ kthelltë natyren e të ndertuemt e ktij poemi dramatik. [...]

Un ktû flas vetem mbi Pjesë të Parë të Faustit, nji heri edhè dishmoj botnisht, se ky shkrim s'më kje dergue prej qiellet, e se prandej as vetë s'besoj, se kam kenë i pagabueshem në ket gjykim t'emin mbi Faustin e Goethe-it.

Per me dhânë nji gjykim të pershtatun mbí nji ç'do veper letrare artistike, ndihmon fort, kujtoj, edhè të njoftunt e biografis s'auktorit. Prandej nuk âsht jashta vendit, tham, qi un ktû nji herë ma para të kallxoj, se ç'kuptim kam trajtue në mendje t’eme prej leximit të vepravet të ndryshme të Goethe-it mbí vehtjen, cillsít e parimet shoqnore e trashendentale të tija.

Mâ parë, pra, Goethe prej leximit të vepravet të tija m’âsht dukë gjithmonë nieri mendjet fort të hollë e kthelltë - skjyrtuese, me nji kulturë të haptë, sa me perfaqsue aj vetun të gjith kulturen e perparimin gjytetnuer të kohvet të veta. Mâ tepër më dán sa ká pasë nji fort të thekshme shije estetike per arte të bukura, sa me e krahsue me klasikë ma të mdhâj grek e latin të kohvet të vjetra; pse edhè kurrkush auktor tjetër i gjûhvet të reja nuk më dán se shprehë mendimin e vet mâ kjarët e me fjalë mâ të pershtatuna se ky. Per me folë pergjithsisht, nieri nuk ká shka i shton as shka i dnon elokucjonit letrar e poetik te Goethe-it; pse ato idé, ato sende e pozicjone, qi gjinden nder vepra goethjane, nuk mund të shprehen kurrsesì mâ mirë me fjalë, se kanë kenë shprehë prej ktij auktori të madhnueshem.

Per shka i perket besimit, Goethe, i mbushun mendjet si ishte me parime të filozofvet encyklopedikë të Francës e t'atyne racjonalistave t'Alemanjes, qi aso kohe bâjshin bujë të madhe neper Europë, më duket se fjalve Hy, Zot, Perendi nuk u epte kuptimin qi u apin popujt kristjan, e se nuk ká dishmue kurrfarë besimit a fejet: se ká kenë ateist, a - sado pak - panteist e afetar në të gjith kuptimin e fjalës.

Posë se i pa Zot e krejt i pa fé, Goethe - pse edhè i lém deret bujare e pasanike fort - ká kenë aq madhshtuer në mendje të vet, sa me e mbajtë vedin gjithmonë të shkputun shoqnijet e punët njerzore tue mos me marrë në konkret, por n'abstrakt, syntetikisht e në nji mëndyre krejt olimpike. Aj s'ká pasë Atdhé, s'ká njoftë bashkgjytetas. Shî nder ato kohë të tija Napoljoni Bonaparte kishte shkelë Alamanjen, kishte hî në Berlin, e aj shkruete: Nuk kuptoj pse Tedeshku do te ketë në mëni Francezin. E verteta âsht, se aj në të gjith vepren kolosale të veten s'ká tér nji lode, s'ká ngushllue nji zemer; e ndersa bashkgjytetast e tij, tedeskt, disshin nder lufta per liri t'atdheut, aj - kund në ndonji breg të kandshem t'ltalis a të Siciljes - pa kurrfarë kujdesit rrite tue kndue kange dashtnije.

Por, mbas verizmit mjaft të pa ftyrë qi perdorë nder shkrime të veta, dán se jo veç qi s'ka kenë i perkurmë, mú, perkundra, teper i lshuem mbas epsheve të mishit e të shises. Medjè, kishte me thanë nieri se mâ të shumen e herës relacjonet e veta seksuale i mbante me gjind të mâ t'ultës shkallë shoqnore.

Qe nder ato vizat mâ të para të vetat biografija e Goethe-it, ashtû si un e kam perftue në mendje t'eme, mbasì pata lexue disa nder vepra të tija. Edhè kshtû po hî tash me diftue, se shka mendoj un mbí Faustin - mbí të Paren Pjesë të ksajë vepre të famshme të popullit gjerman.

"Faust" - Pjesa e Parë - Argumenti: Fausti, dijetar e shtrigâ, merzitun kso jete e disprue, do me mbytë vedin me helm shî nji natë Pashkesh kah mjesnata. Por të vumen qi vuni potirin me helm në buzë, bijn kumonët e kishvet, tue lajmue të njallunt e Krishtit. Dishkà i davaritet shpirti, edhè per nji herë e hjekë mendjen e dekës. N'e nesret del me Wagner-in në fushë, kû kishte vojtë populli me u argtue për të kremte të Pashkvet. N'e mbramet thrret djallin - Mefistòfeles - edhè me tê lidhë ket kontratë: djalli me e përtrî edhè me i sjellë gjithshkà mund të dishrote ky, e ky prej anës së vet me i falë shpirtin. Lidhin kontratë edhè dalin me gzue jeten. Mâ para shkojn në pijetore t’Auerbach në Leipsig; mbasandej hin në gjelltore të njâjë shtrige, e si dalin prej andej ndeshin nji vajzë - Margeriten - në rrugë. Fausti ia ven synin, të cilles, me ndermjetsín e Mefistòfeles e të nji gruje, emnit Martë, e mbasì i mbytë t'amen e të vllán, Valentinin, ia hupi nderin. Mbasì shnjerzon vajzen, Fausti zhduket prej atij vendi. Nderkaq Margerite's i lén fmija, qi ajo e mbytë, e per të cillen punë burgoset e gjykohet per dekë. Merr vesht Fausti ket punë, edhè shkon me Mefistòfeles me e pshtue prej burgut. Margerita, gadi krejt e çmendun prej hallit e gazepit, e njef - qatjè vonë - Faustin, por nuk i ndigjon me dalë prej burgut. Fausti e Mefistòfeles zhduken, edhè Tragjedija mbaron.

Qe skeleti i Faustit, kryevepres së Wolfangut Goethe. Prej ktij skeleti - tue kenë se vepra ká nji emën - kishte me thanë nieri, se vepra ká unitet në vedvedi, e se "protagonist" i sajë âsht Fausti me Mefistòfeles, si Danti me Virgilin e Beatriçe në Divina Commedia, a Don Quisciote me Sançiopança në vepren e Cervantes. Por, mbas mendimit t'em, as vepra s'ká njiní organike në vedvedi, as Fausti s'âsht protagonisti i vepres.

Nji veper letrare, sidomos dramatike, për me ngâllitë e njajtë e me individualitet të vetin, duhet qi ajo të jét zhvillimi i njajë ideje të caktueme e qi të gjitha pjese't e saja të kenë nji lidhní organike në vedvedi në mëndyrë, qi pjesët e ndryshme të sajat të rrjedhin domosdo njana prej tjetret; shka nuk ndollë në Fausti-n e Goethe-it, si ká me u pá mâ poshtë. Kshtû as Fausti s'mund të thohet në kuptimin e vertetë të fjalës se âsht "protagonisti" i kryevepers goethjane. Por me u quejt "protagonist" nji vehtje lypet, qi kjo të jét, si me thanë, shpirti i të gjith zhvillimit t'akcjonit të vepers perkatse; e qi notat typike të sajat të rrjedhin jo prej fjalve e pohimeve t'auktorit, por prej moventit moral e intenzitetit të veprimit t'asaje vehtje. Prandej, për me mûjtë me dhanë nji farë gjykimit mbí vleren estetike të së Parës Pjesë të Fausti-t, mbí të cillen ekskluzivisht ktû flitet, do të shofim nji herë se kush âsht Fausti e kush Mefistòfeles, e mbasandej se ç'lidhní organike kanë ndermjet vedit copat e ndryshme të poemit.

Fausti âsht nji nieri i motnuem, qi ká zanë fiozofí, drejtsí, medicinë e theologjí, prandej nji dijetár qi mund të dij shka don e si do të veprojë, per me i dale në krye qellimeve të veta. E pse, mâ teper, nuk merr në dorë punen e shpirtit e të jetës s'andejshme, e as ferrin e djallin nuk i dron, kshtû as mjetet nuk i mungojn, per t'i çuem në vend dishiret e veta. Âsht pra nji typ nieri të fortë e per t'u drashtun, pse edhè thotë vetë: "m'a merr mendja se jam i zoti me i bâ ballë shekullit, me bâjtë të gjitha gzimet e mjerimet qi vîjn prej toket; me u kundershtue thellimeve e mos me vetue synin në zhaurrime të rrfés". Se shka lypë mandej ky nieri prej djallit në kontratë qi ban me tê, e kallzon vetë, kur thotë: "E din mirë se un s'due veç qefe. Due me u dejë - me u ngî ne gjithshkafen; due lezete qi pertrîjn trazim; mnín qi shperthen prej dashtnijet; pengimet qi apin shkarthsí... Due vetë, po, vetun me sprovue në vedvedi gjithshkà âsht shperndá nder të gjith njerzit; me pershî me mendje t'eme shka âsht mâ naltë e shka âsht t'ultë në njerzim; me gzue të gjitha të mirat e jetës; me psue të gjitha mjerimet e sajë; aq me u pertrî sa me permledhë un në vedvedi njerzimin mbarë, e me tê bashkë mbasandej qafen me thye". Lypë aq sende pra, sa me qitë vetë djallin në kujdes se mund t'u dilte në krye.

Tash, kúr të marrim para sysh, se ky nieri, Fausti, i pa Zot, i pa shpirt, i pa moral, i pa frigë, i pa turp, i pa zemer e i pertrim në jetë e në forcë, edhè ortak me nji Mefistòfeles -me nji djallë, qi, si shpírt, ká në vedvedi nji forcë të jashtnatyrshme mbí elemente e sende, duhet me thanë se ky do të na dilte, pak me thanë, nji Tamerlan, ase nji asì Sulltanash amshore, qi mbytshin vllazent e vet kerthîj, ngryke të nanave të veta: nji kolos i rrezikshem per mbarë njerzimin.

Mirë po, në zhvillim t'akcjonit të së Parës Pjesë të dramit goethjan Fausti né na del nji kurrgjâsend - nji kukull. E njimend kur, mbas gjith atyne fjalve të mdhà, del me nji Mefis¬tòfeles me pá shekullin e madh e të vogel, e me gzue jeten, kû shkon ma së pari? ne nji mejhane! – ndoshta, per mos me qitë poshtë at fjalen qi italjajt thonë per tedeshk: nji tedeshk, nieri i censhem; dy tedeshk, nji birrerí... - E aty shka bâjn? të thuesh, kurrgjâ. Fausti hin mbrendë e thotë: -Mirë se u gjâjm, burra! - edhè ulet e rri dikû në nji qoshe e s'thotë mâ kurrnji fjalë; veç se rri m'bankë ashtû pîtas, si rri së pari në "Kafe" a në "restaurant" nji ex-xhakue, kúr t'a kenë xjerrë prej Kuvendit a Seminarit të Parët e vet. Mefistòfeles, qi, para se me u nisë, kishte thanë per Faustin: - Tash po t'a ngrefi zharg rrugë e pa rrugë neper shtiqe të thata të jetës, e as po t'a ushqej me tjeter per posë se me punë të kota e marrí" - nji herë vêhet e kndon, e mbasandej ban do lojë mahije - giuochi di prestigio - si nji tjeter ç'do Giovanni Bosco.

Dalin andej edhè shkojn në gjelltore të nji shtrige. Aty shtriga i ep me pij nji ród pije - dishkà si nji fare maxhuni... edhè dalin në rrugë.

Rrugës kalon nji vajzë e popullit, skamnore - çerekçí -Margerita. Fausti e shef, edhè i del para. Margerita nji herë s'i ven vesh, por mbasandej rrêhet, edhè Fausti e qet me marre, e vajza mirret m'qafe, si mund të shifet prej fjalve t'argumentit shkrue sypri.

Çudi! Nji dijetár, qi ká mbarue kater fakultetet e thotë, se âsht i zoti vetun me i bâ ballë shekullit mbarë e se do me personifikue në vedi krejt njerzimin, me të gjitha të mirat e të kqijat qi mund të ketë, lidhë nji kontratë me djallin edhè e nenshkruen me gjak të vet: per shka? Per me pá nji mejhanë, me mârrë m'qafë nji cucë, nji vajzë skamnore të shkretë; edhè per kaq e gjâ ia falë shpirtin djallit, a thue se mâ teper aj s'ká shka i lakmon ksajë jete! Nuk ká nieri, kujtoj un, qi prej zhvillimit t'akcjonit të dramit goethjan mund t'a pershkruej fizjonomín psihologjike e estetike të Faustit. Fausti ká fizjonomí m'vedi e âsht protagonist vetëm gjatë pêsë a gjashtë skenave të para, se mbasandej, prej çasit qi bashkë me Mefistòfeles len shpín e vet e del neper shekull - prej pijetores s'Auerbach-it e mbrapa, aj per mue nuk âsht kurrgjâ tjeter në pikpamje estetike, vec nji bihude e, në çashtje të Margerites, edhè delinkvent si ç'do tjeter delinkvent sokaqesh; e se prandej as drami i Goethe-it s'ka lidhní e unjisí organike në vedvedi.

E njimend: të gjith e dijn se tragjedija e Margerites në dramin goethjan âsht nji bukurije fort të naltueshme, sa me u barasue me ato t'Eskilit e të Sofokliut. Mirë po, kush âsht protagonisti i tragjedís: Fausti? Mbas mendimit tem, jo. Thashë sypri, se un mendoj qi fizjonomín psihologike e estetike të vehtjevet të nji drami i percakton moventi moral e intenziteti i veprimit të tyne. Tash, tue kenë se per Faustin s'ká Zot, s'ká shpírt, s'ká shoqní njerzore, e prandej s'ká moral as turp per tê, veprimi i tij në tragjedí të Margerites âsht fjesht instiktiv e shtâsësuer, e pse per njerz tjerë edhè moralisht i keq në vedvedi, kshtû nder sy të mì Fausti âsht nji lugat - si lugatin e bjen mytologija e jonë kombtare, per shka i perket marredhânjes seksuale.

Protagonist e antago¬nist n'at tragedí âsht vetë Margerita. Protagonisti âsht kthjellsija e jetës shpirtnore, e antagonist, ligshtija e jetës trupore të sajë. Ligshtija e shtyn në gabim, por, kúr e mblon halli, gazepi, vetmija, trishtimi, ajo zotnon vedin edhè s'ndigjon me ndjekë Faustin, kúr ktij dikúr i bjen nder mend me e pshtue prej burgut. Ban flije vedin, kahjeta s'i duket gjâ në sy të pafajnís qi kishte bjerrë. Qe moventi moral mâ i thekshmi, qe mâ i forti intenzitet veprimi - me iu shtrue dekës para se me bartë turpin e të djerrunit të pafajsís. Edhè skena e mbrame e dramit, kû zhvillohet ky kontrast i trishtueshem, âsht nder mâ të bukurat pjese dramatike qi më kà takue me lexue në jetë t'eme. Fatosi prandej i dramit goethjan âsht Margerita. Fausti, si thashë, e n'at dram âsht nji faqezí, nji gjaksë, nji trathtár, nji monstrum - nji lugat i tmerrshem e kurrgjâ tjeter. Ky turpnon Margeriten; ky shkakton dekën e s'amës së Margerites; ky mbytë të vllán, mbasí ká marrë më qafë vajzen, e len në hall e në mjerim e me mzí i bjen mbrapa me e pshtue, kúr ndien se âsht në burg, e gjykueme per dekë. Prandej, mbas mendimit t'em, Fausti i Goethe-it âsht nji veper dramatike së cillës i mungon ideja e pergjithshme a se moventi moral, neper të cillin me u mbajtë lidhnija e njinija organike e sajë, e i mungon edhè vehtja a se protagonisti qi me nji intenzitet të jashtzakonshem e heroik t'a zhvillojë veprimin e dramit, e se per ket arsý Fausti mâ fort se nji poem âsht nji antologji kangësh dramatike.

Por me kta nuk due me thanë se Goethe nuk âsht nji poet nder mâ të mdhej poetë të botës së gjytetnueme. Po u analizue Fausti pjesë-pjesë, ká në të Parën Pjesë copa të nji bukurije të bindshme. Argtimi populluer, per shembull, të kremten e Pashkvet, e pijetorja e Auerbach jane idile qi as vetë Teokriti s'i ká mâ të bukra; djalogu i Mefistòfeles me studentin âsht pernjimend gjenial, e mbí të gjitha, si thashë parë, tragjedija e Margeritës, në daç si perftim poetik, në daç si studjim psihologjik e shprehje fjalësh, mund të shkojë krahas me mâ të bukrat tragjedí të kohvet të vjetra e të reja. Ndersa dy Prologet e vepres, Gjelltorja e Shtrigës, Nata e Valpurgës e Andrra e Valpurgës, per mue kanë nji vlerë mjaft relative. E mbí të gjitha Mefistòfeles per mue âsht typi ma i naltsuemi (sublime) qi tash së voni ká perftue mendja e nierit. Por shká nuk do të kishte perftue mendja e nji Goethe, po t'ishte kenë pshtetë ky gjithmonë mbí parime të shndoshta filozofije, teologjije, socjologjije etj. Nji Goethe i kshtenë! Ndersa nji Goethe i pa Zot, i pa Fé, i pa Atdhé, materjalist, madhshtuer olimpik, e mâ teper sensual, na ká perftue nji Faust, per të cillin as vete aj s'ká dijtë me na thanë se shka âsht e tek âsht - nji lugat të tmershem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›