Astronautët, 8 orë në hapësirë për të riparuar Teleskopin

Astronautët amerikanë përfunduan ecjen e katërt në hapësirë për të riparuar Teleskopin Habëll.
Astronautët Majk Gud dhe Majk Masimo zëvendësuan dje panelin e furnizimit me energji të një instrumenti të fuqishëm të teleskopit, i cili e lejon NASA-n të vëzhgojë vrimat e zeza dhe galaktikat.
Dy astronautët patën vështirësi për çmontimin e një parmaku i cili duhej hequr për të filluar riparimet. Megjithëse ata nuk arritën të heqin njërin nga bullonat e parmakut, ata arritën ta përkulin atë dhe të vazhdojnë punën.
Ecja në hapësirë zgjati më tepër se 8 orë. Kjo ishte ecja e gjashtë më e gjatë në historinë e programit amerikan të hapësirës.
Problemet me bullonin dhe me një instrument, bateria e të cilit ishte dobësuar, bënë që astronautët të mos e përfundonin njërën nga detyrat e planifikuara për ecjen e djeshme – zëvendësimin e një pjese të materialit izolues të teleskopit që ishte vjetëruar. Kontrollorët në Tokë po shikojnë mundësinë që ky problem të zgjidhet me një dalje tjetër në hapësirë sot.