Berisha: Nuk prishen zgjedhjet, pse është i dëshpëruar Edvini. Do ta bëjmë gjithë Shqipërinë blu
Kryeministri vijon në rrethin e Korçës turin “Shqipëria po ndryshon”
Kryeministri Berisha ka vizituar komunën Potgorie të Korçës, ku ka deklaruar se në mandatin e tij të dytë, qeveria do të financojë për fermerët shqiptarë çdo projekt të domosdoshëm për ta dhe se ritmet e ndryshimit do të ishin të mëdha edhe në zonën e Vreshtasit të Korçës
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha garantoi dje se Shqipëria do të bëjë zgjedhjet më të mira dhe qeveria e djathtë do të vazhdojë mandatin e dytë drejt anëtarësimit në BE, me meritë të plotë. Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Berisha mori pjesë dje në përurimin e rrugës Vreshtas- Podgorie, që lidh dy fshatrat e komunës Gorishtas në rrethin e Pogradecit dhe më pas zhvilloi një takim me banorët e kësaj zone.
“Kam ardhur këtu për tu zotuar solemnisht para jush dhe për t’i kërkuar deputetit tuaj të bëjë çdo projekt për të ndryshuar jetën e banorëve. Qeveria do ta investojë atë”, u shpreh kryeministri, duke i ftuar banorët e kësaj zone “të vazhdojmë së bashku në mandatin e dytë”.
Kryeministri kërkoi votat e banorëve të kësaj zone pasi, siç u shpreh ai, “në këtë mandat ia dolëm që Shqipërinë ta ndryshojmë më shpejt se kurrë ndonjëherë”.
Ai renditi si arritje në mandatin e parë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asoccimit dhe dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE, ndërtimin apo rindërtimin e mbi 5900 km rrugë, shtrirjen e internetit në çdo shkollë, dyfishimin e pagave të mësuesve, pensioneve në fshat, rritjen e atyre në qytet në masën 50 deri në 70 %.
“Jemi në prag të liberalizmit të plotë të vizave”, theksoi kreu i qeverisë, duke cilësuar se në vitin e parë të mandatit të dytë do të lëvizim të lirë në mbarë Evropën.
Ndër arritjet e qeverisë gjatë këtij mandati, kryeministri përmendi dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit. “Arritëm të shpëtojmë nga xhepat e hajdutëve, kontrabandistëve dhe zyrtarëve të korruptuar mbi 4,2 miliard dollarë dhe t’i shndërrojmë ato në rroga e pensione, shkolla, ujësjellës, kanalizime e rrugë”, u shpreh ai, duke nënvizuar se në këtë mandat ia dolëm të ndryshojmë imazhin e Shqipërisë dhe të lartësojmë emrin e saj.
Berisha informoi se vetëm në muajt dhjetor të vitit të kaluar dhe janar e shkurt të këtij viti, si në asnjë vend në rajon, qeveria ka firmosur 5 miliard euro investime.
Por vijoi, Kryeministri përballë kësaj alternative që qëndron mbi fakte dhe të vërteta, qëndron alternativa e shpifjes, trillimit dhe mashtrimeve.
“Nuk ka opozitë në botë që t’i kërkojë qeverisë që të mos rrisë pagat dhe pensionet, sikurse ndodh me opozitën shqiptare që proteston. Opozita shqiptare kërkon dhe bërtet të mos aplikojmë në BE, u kërkonte kancelarive evropiane që të mos votonin për Shqipërinë në NATO, se do të prisheshin zgjedhjet”, tha z. Berisha. Duke garantuar se shqiptarët do votojnë si kurrë ndonjëherë, me karta identiteti, me regjistër elektronik, si qytetarët më të lirë, z. Berisha iu drejtua kryesocialistit dhe kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama se “zgjedhjet nuk prishen sepse do humbasësh Ti zotëri, ato nuk prishen se thyhen këmbët e karriges tënde”.