Raporti/Mediat e Edvinit, kampione të censurës, rezultojnë me raportin 3-1 në favor të opozitës

Monitorimi i organizatës “New Politics” me qendër në Uashington, për periudhën 5-10 ka nxjerrë qendrimin e vërtetë censurues të Edi Ramës, i cili në 3 kanale televizive në kontroll të tij ka vendosur raporte kohore transmetimi në dëm të mazhorancës, të cilat shkelin çfarëdolloj standardi të Kodit të Etikës në mjetet e informacionit
TIRANE - Partia Demokratike ka konstatuar dje, duke iu referuar raportit të agjencisë së pavarur “New Politics”, se Edi Rama ushtron presion të tmerrshëm mbi 3 media në vend.
Zëdhënësja e selisë së Partisë Demokratike, u shpreh se sipas studimit të agjencisë serioze “New Politics”, nga data 5 maj deri në 10 maj, Top Channel, Vizion + dhe News 24, kanë njëanshmëri për publikimin e informacioneve që kanë të bëjnë me partitë politike, duke iu dhënë më shumë Partisë Socialiste.
“Jam këtu para jush për të paraqitur kontrollin e tmerrshëm të Edi Ramës mbi 3 media të vendit. Kështu, ju keni para jush, një studim të pavarur të një agjencie shumë serioze, ‘New Politics’, i cili fakton se në javën nga data 5 deri në 10 Maj, Top Channel nën ndikimin e Edi Ramës ka transmetuar për opozitën, pra për Partinë Socialiste 4500 sekonda kundrejt vetëm 1427 sekondave për qeverinë dhe 1345 sekondave për partinë më të madhe të vendit, PD. Pra siç e shihni kjo media transmeton 2 herë më tepër për Partinë Socialiste se sa për qeverinë dhe Partinë Demokratike të marra së bashku. Ky është standardi i lirisë së mediave të kontrolluara nga Edi Rama”, u shpreh zëdhënësaj e PD-ës.
Sipas saj, një standard të tillë censurues ka dhe televizioni tjetër Vizion +.
“Sipas këtij standardi Edi Rama ka 3592 sek. Qeveria ka gjithsej në lajmet e saja vetëm 348 sek. Qartësisht më pak se LSI që ka 556 sek dhe më pak se G 99 që ka 359 sek apo Poli i Lirisë që ka 1445 sek. Të marra së bashku PD dhe Qeveria kanë gjithsej 2065 sek. Pra ka 1500 sek më pak se Edi Rama dhe më pak se Poli i Lirisë, G 99 dhe LSI të marra së bashku. Ky është standardi që Edi Rama i imponon Tele Jalës. Po marrim televizionin tjetër News 24. News 24 është kampione. Për Edi Ramën ka dhënë 6076 sek ndërsa për Partinë Demokratike dhe qeverinë të marra së bashku ka transmetuar gjithsej 2020 sek, pra 3 herë më pak.
I prumë këto të dhëna për të denoncuar censurën e dënueshme të vendosur nëpërmjet lejeve të ndërtimit mbi këto media që shkelin në mënyrë flagrante ligjin e vendit, Kodin e Gazetarisë dhe Informacionit dhe Etikën Profesionale”, vuri në dukje zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Partia Demokratike u deklaron këtyre mediave se ndonëse dëshiron të jetë tërësisht e hapur ndaj tyre, e konsideron të padenjë qëndrimin e tyre dhe në rast se do vazhdohet me praktika të tilla do të jetë e detyruar të rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj këtyre mediave, të cilat nuk respektojnë asnjë standard.
“Ne u bëjmë thirrje mediave të qëndrojnë të hapura, të baraslarguara në interesin më të mirë të tyre dhe qytetarëve. Ne falënderojmë të gjitha ato media të tjera që ruajnë me përgjegjshmëri profesionale, raportet midis PD e PS ose afër normales siç është ALSAT, TV ORA që kanë një përqasje të ekuilibruar midis partive”, nënvizoi më tej zëdhënësja e PD-së.
L.Q