Astronomët kërkojnë jashtëtokësorë në 86 planetë

Astronomët amerikanë janë duke kërkuar qenie të jetës jashtëtokësore në 86 planetë në të cilët mbretërojnë kushte të ngjashme me ato në planetin tonë. Me anë të radio-teleskopit të madh “Green Bank Telescope”, do të studiohet secili nga këta planetë, që janë përzgjedhur në mesin e 1 235 planetëve të gjetur me teleskopin “Kepler”.
Çdo planet do të vëzhgohet 24 orë, kurse të dhënat e grumbulluara gjatë kësaj periudhe do të përpunohen hollësisht.
Ky mision është pjesë e projektit të institutit SETI, i cili që nga vitet e `80-ta merret me kërkimin e jetës jashtë planetit tonë. “Kemi zgjedhur për vëzhgim planetët me temperatura që lëvizin ndërmjet 0 dhe 100 gradë celsius, pasi ka mundësi më të mëdha të ekzistencës së jetës në temperatura të tilla”, tha Dan Werthimer, kërkues shumëvjeçar i këtij instituti.
“GBT” është radio-teleskopi më i madh në botë me antenë lëvizëse. Werthimer ka punuar vite të tëra në Portoriko me teleskopin “Aresib”, radio-teleskopin më të madh me antenë sferike, por me të nuk ka qenë e mundur të shikohet një pjesë e qiellit verior.