At Zef Valentini dekorohet me Gjergj Kastrioti Skënderbeu
At Zef Valentini (Giuseppe Valentini, Padova 1900-1979), figurë me rëndësi për albanologjinë e shek.20, klerik me kontribut në fushat e përkthimit, historisë e filozofisë, u dekorua dje me Urdhrin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në ceremoninë zyrtare nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Kërkimet e tij shkencore janë mbi historinë e hershme shqiptare, historinë e të drejtës zakonore dhe ligjeve të traditës, aktet juridike të periudhës veneciane apo kohës së Skënderbeut, si dhe studime të tjera të avancuara ballkanologjike e bizantine. Nga 20 vëllimet e veprës së At Zef Valentinit që është botuar vitet e fundit, vlen të përmenden ato që kanë në fokus organizimin shoqëror dhe politik të shqiptarëve (Ligji i maleve shqiptare, E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare, Të drejtat e Shqipërisë etnike etj.) dhe një projekt madhështor do duhej të ishte botimi në shqip i veprës në 30 vëllime Akte shqiptaro-venete. Themelues e drejtues i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Palermos, prifti jezuit italian qoftë me mision në Shqipëri edhe larg saj, u bë mbrojtjes dhe promovues i kulturës shqiptare në botë.
Në ceremoni merrnin pjesë Ambasadori i Selisë së Shenjtë Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të bashkësisë katolike, albanologë, historianë e studiues.