E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ata janë mirë

Tetë shtetasit kosovarë, të cilët ndodhen në Japoni, janë mirë, përderisa me shtetasin e nëntë kontakti ka qenë i pamundur. Kështu thonë zyrtarë të MPJ’së, sipas të cilëve personi i fundit jeton në Nagasaki, qytet që ndodhet në jug të Japonisë e që nuk është prekur shumë nga tërmeti dhe cunami. Përveç kësaj, MPJ do t’i dërgojë atje edhe disa pjesëtarë të FSK’së për ndihmë. Nga Lirita Halili më 13 mars 2011 në ora 10:24

Kosovarët që janë në Japoni vazhdojnë të jenë shëndosh e mirë.

Së paku kështu kanë thënë të shtunën zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila
me ndihmën e Ambasadës të Kosovës në Tokio ka identifikuar disa shtetas kosovarë që punojnë dhe studiojnë në Japoni.

Artan Behrami, këshilltar i ministrit Enver Hoxhaj, thotë se kjo ministri deri më tani ka identifikuar nëntë shtetas kosovarë, me tetë prej të cilëve është në kontakte të vazhdueshme, duke përfshirë ambasadorin dhe dy zyrtarë të Qeverisë së Kosovës

“Numri i tyre është nëntë. Deri më tani ne kemi arritur të kontaktojmë me tetë prej tyre, derisa i nënti jemi informuar se jeton në Nagasaki, qytet që ndodhet në jug të Japonisë dhe ku nuk është prekur shumë nga tërmeti dhe cunami”, ka thënë Behrami për Express.

Sipas Behramit, të gjithë shtetasit e Kosovës tash për tash gjenden jashtë zonave të rrezikut. “Emrat e shtetasve kosovarë në Japoni nuk mund t’i bëjmë publik në mënyrë që të mos nxisim shqetësime te familjet e tyre që janë në Kosovë”, tregon ai.

Pos kësaj, këshilltari i ministrit Hoxhaj ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka kontaktuar edhe me qytetarët e saj që gjenden në Havaje, të cilat janë goditur nga valët e cunamit, mirëpo, sipas tij, nuk mendohet që të ketë pasoja në njerëz dhe se shtetasit e Kosovës janë në gjendje të mirë.

“Ndërsa ne po ashtu jemi në kontakt edhe me katër shtetas kosovarë që studiojnë në Havai. Ka pas paralajmërime që këtë ishull mund ta godasë ndonjë cunami, me rast jemi interesuar nëse në këtë ishull ka ndonjë shtetas të Kosovës”, tregon Behrami.

“Por, sipas informacioneve nga konsullata e MPJ-së në New York, rreziku i cunamit në ishullin Havai nuk ekziston”, u shpreh ai. Përveç këtyre informacioneve, Behrami tregon se pas ngjarjes në Japoni, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës menjëherë ka krijuar një shtab të krizave.

Përveç kontakteve me shtetin e Japonisë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj me anë të një letre i ka ofruar homologut të tij japonez, Takeaki Matsumoto edhe ndihmën e shtetit dhe popullit të Kosovës në menaxhimin e katastrofës natyrore.

Pas konsultimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe ministrin e Forcës së Sigurisë, ministri Hoxhaj në këtë letër shtetit japonez i ka ofruar ndihmën e një kontingjenti të FSK-së, të specializuar në menaxhimin e katastrofave natyrore.

“Në mbledhjen e së premtes të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi diskutuar lidhur me ngjarjet dramatike në Japoni. Republika e Kosovës është e gatshme të ndihmojë Japoninë në çdo mënyrë. Prandaj ne ju ofrojmë dërgimin e trupave të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Japoni”, thuhet në letrën e ministrit Hoxhaj.

“Trupat e FSK-së janë shumë mirë të stërvitura në menaxhimin e katastrofave natyrore dhe janë të gatshëm që krah për krah me forcat tuaja të ndihmojnë popullin e Japonisë”, thuhet më tej letër, në të cilën ministri Hoxhaj gjithashtu potencon rolin që ka pas Japonia në rindërtimin e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik përmes projekteve të ndryshme.

“Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës çmon mbështetjen e madhe të Japonisë, sidomos në njohjen e pavarësisë së Kosovës”, thuhet në këtë letër.

Ministri Hoxhaj po ashtu në një bisedë telefonike me ambasadorin e Japonisë në Vjenë, Shigeo Iwatani i ka shpreh mbështetjen e shtetit të Republikës së Kosovës.

Hoxhaj ka informuar ambasadorin Shigeo Iwatani lidhur me iniciativën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të dërguar trupa të specializuara të FKS-së në Japoni, për tejkalimin e katastrofës natyrore.

Ndryshe, të gjithë shtetasit, të cilët kanë të afërmit e tyre në Japoni të kontaktojnë shtabin e krizave të Ministrisë së Punëve të Jashtme në numrat: +381 38 200 11034; +377 44 414 377; +377 44 355 292 ose në e-mail: consullore.mpj@ks-gov.net.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›