E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet kthehen në Uglarë

Rasti i vrasjes së Leutrim Musliut ka marrë tjetër kthesë. Prokuroria e Gjilanit dhe hetues policorë dyshojnë se plumbat mbi 13 vjeçarin nuk erdhën nga Pasjani, por nga fshati i tij, Uglarë. Burime të Express thonë se autoritetet policore dyshojnë se vrasjen e kreu një bashkëfshatar i Leutrimit. Në shtëpinë e tij janë gjetur prova të forta që e lidhin atë me krimin e tmerrshëm të 5 marsit. Nga Nebih Maxhuni më 13 mars 2011 në ora 08:36

Policia e Kosovës është në prag të arrestimit të një personi që dyshohet ta ketë vrarë fëmijën 13 vjeç nga Uglari i Gjilanit, Leutrim Musliun, pasditen e 5 marsit, derisa po shkonte për dru bashkë me të atin.

Burime të Express, të afërta me Prokurorinë e Gjilanit, kanë thënë se policia është në gjurmë të autorit të vrasjes së fëmijës 13 vjeçar, i cili besohet se është shqiptar nga fshati Uglarë i Komunës së Gjilanit.

“Policia ka bastisur shtëpinë e këtij të dyshuari, ku ka konfiskuar një armë dhe disa prova të rëndësishme që lidhen seriozisht me vrasjen e fëmijës nga fshati Uglarë”, ka thënë burimi i gazetës.

I njëjti burim ka sqaruar se javën e ardhshme pritet edhe të konkretizohen hetimet që janë duke vazhduar nga Prokuroria e Gjilanit dhe hetuesit e Policisë së Kosovës.

“Javën e ardhshme mund të ketë persona të arrestuar lidhur me këtë vrasje”.

Gazeta ka kontaktuar më zëdhënësin e Policisë së Gjilanit, Ismet Hashanin, po ai nuk ka dashur të japë detaje për pistën e re të hetimeve mbi rastin e Leutrimit.

“Policia në Gjilan, bashkë më Prokurorinë, po punojnë pa ndërprerë për të arrestuar kryesit e këtij krimi”, ka thënë Hashini për Express, të shtunën.

Për të ndriçuar sa më parë këtë rast, Prokuroria në Gjilan po punon edhe vikendeve.
Prokurori, i cili është duke hetuar këtë rast, Adem Uka, i ka thënë gazetës së shumë shpejt pritet të ketë arrestime të reja.

“Tashmë janë dërguar analizat për ekspertizë në Kroaci dhe ato pritet të kthehen. Po punojmë edhe të shtunave dhe dielave për rastin e Leutrim Musliut”, ka thënë prokurori Uka për Express, të shtunën.

Deri më tash, policia ka arrestuar lidhur me këtë vrasje dy pjesëtarë të komunitetit serb nga fshati Pasjan, Zh.S. (1967) dhe S.A. (1964). Ky i fundit është vetëdorëzuar në stacionin e Policisë në Gjilan, pasi gjatë bastisjes së shtëpisë së tij nuk ndodhej aty.
Për rastin e vrasjes së 13-vjeçarit janë bastisur tri shtëpi në Pasjan, ndërsa në kërkim është edhe një serb nga fshati Pasjan, M. K (1967), i cili në ditën e bastisjes nuk ndodhej në shtëpi.

Dy të arrestuarit serbë nga Pasjani tashmë janë liruar, siç është thënë, për mungesë provash.

Vrasja e këtij fëmije nuk ishte dënuar nga asnjë prej zyrtarëve të institucioneve të Kosovës ditën e vrasjes, por tek pas disa ditësh. Qeveria e Kosovës kishte ndarë pesë mijë euro për familjen Musliu.

Babai i Leutrimit, Rrahim Musliu, në një prononcim për Express, ka përshkruar ditën e tmerrshme kur ia vranë djalin.

“E kam mush kerrin me dru. Leutrimi ka qenë mbi kerr të druve, e unë isha me shpinë prej tij. Pa prit, kam dëgjuar krismat. Më pas e dëgjova djalin duke thënë: ‘babë, m’ rrokën plumat’”, pati thënë Rrahimi.

Pas plagosjes, Leutrimi, sipas babait të tij, ka zbritur nga qerrja në këmbë të veta, mirëpo më nuk ka mundur të ecë. Ashtu të plagosur, Rrahimi e kishte bartur në shpinë deri te shtëpia, gjysmë ore larg prej malit. Edhe gjatë atij udhëtimi të vështirë, sipas Rrahimit, ishin gjuajtur vazhdimisht me plumba.

Ai thotë se Leutrimi gjatë gjithë kohës ka qenë me vetëdije dhe ka folur.

“Më thoshte: ‘babë mos u mërzit, se shkoj në spital dhe ka me m’ mejt krejt”, tregon ai.
Fëmija 13 vjeç, Leutrim Musliu, nga fshati Uglarë i Gjilanit u vra me armë zjarri pasditen e 5 marsit, derisa po kthehej nga mali, ku kishin shkuar për të marrë dru së bashku me babanë e tij dhe disa persona të tjerë.

Qirinj për Leutrimin në Prishtinë

Të hënën në orën 18.00’/h të gjithë në mënyrë masive përpara Teatrit Kombëtar në Prishtinë, të ndezim qirinj dhe të nderojmë LEUTRIMIN!
“Të gjithë të bashkuar do të qëndrojmë një orë para Teatrit Kombëtar, ku më pastaj në orën 19.00’/h do të shpërndahemi të qetë”, thuhet në një njoftim që ka ardhur nga disa organizatorë të kësaj iniciative.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›