Atdheu nuk vidhet, as vritet luftëtari i tij

Me një rast kam thënë se nuk shtihet në atë që ngritet në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, në atë që gjatë tërë jetës qëndroi përballë së keqes.
Triumf Riza, guximtar, ndër të paktë në kohën tonë, bëri çmos në zbatimin e shtetit ligjor, sepse kishte hetuar se një rend duhet të ekzistojë dhe të marrë fund kaosi. Ishte vënë në krye të paqes e mirëkuptimit ndërnjerëzorë. Është etikë e heronjve kjo, që i lind edhe e përditshmja e të papriturave.
Të mposhtësh kaosin e një vendi që sapo zgjohej nga një ëndërr e keqe, kërkonte dinjitet dhe kurajo, pa marrë parasysh se me kë të përplasë fati.
Triumf Riza simbolizon gjeneratën e të revoltuarëve, dhe ai rrjedhat shoqërore ndryshe i shikoi. Para së gjithash, të respektohet njerëzorja.
Ai ra në mbrojtje të dinjitetit. Ikja nga ne i ngjan heronjve mitikë, që kishin zbritur mes njerëzve një ditë dhe ishin larguar pa u diktuar, duke na lënë mbresa të thella në kujtesë.
E sotmja jonë po merr kontura të mitikes dhe po luhet në një teatër modern, ku pritet të shfaqen perënditë e rinj, ndëshkues të qyqarëve që shtijnë qorrsokaqeve të historisë...
Pra, nuk bën të harrohet diçka e shenjtë: Atdheu nuk vidhet, as vritet luftëtari i tij. Viti tragjik iku, por nuk harrohet marshimi qytetar rrugëve të Kosovës kundër dhunës e krimit. Ai dëshmoi se ky popull është përcaktuar për dinjitet dhe nuk e pranon më kaosin.
*Ulpianë, 29 gusht 2008.