E Diel, 1 Nëntor 2026

Debat në Gjermani për shkak të trajnimit të policëve bjellorusë

Në Gjermani ka nisur një debat i ashpër, pas konfirmimit se policia gjermane ka trajnuar policinë bjelloruse. Zyra gjermane e Kriminalistikës (BKA) për vite më radhë kishte stërvitur forcat bjelloruse të sigurisë.

Bjellorusia është vendi i fundit diktatorial në Evropë dhe udhëheqësi i saj, Aleksandër Lukashenko, është person non grata në Perëndim dhe për këtë arsye irritimi është i madh në Gjermani.

Bashkëpunimin tashmë të përfunduar me Bjellorusinë, për trajnimin e policëve, qeveria gjermane nuk e vlerëson të gabuar.

Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme deklaruan se bashkëpunimi pati filluar asokohe me dëshirën e Minskut dhe ishte një nga projektet e shumta dypalëshe, pasi në vitin 2008 kishte shpresa për një hapje të Bjellorusisë ndaj Perëndimit dhe BE-së.

Pas zgjedhjeve presidenciale të manipuluara nga presidenti Aleksandër Lukashenko, në dhjetor të vitit 2010 dhe represioneve të lidhura me to, bashkëpunimi u reduktua dhe më vonë u ndërpre plotësisht.

Gjermanët kanë trajnuar policinë bjelloruse që nga rregullat e qarkullimit, deri tek sigurimi i gjurmëve dhe kontrolli i personave apo misionet gjatë protestave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›