E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atdheu vlerëson punën e FSK-së

(E plotësuar) Shefi i qeverisë, Hashim Thaçi ka thënë se sot Kosova po feston ëndrrën për të cilën është sakrifikuar me shekuj të tërë.

Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij se Republika e Kosovës është në rrugë drejt anëtarësimit evropian.Ai njhëherit ka vlerësuar se rezultatet gjatë pesë këtyre viteve janë të kënaqshme përkundër sfidave që po ballafaqohemi porse duhet bërë edhe më tepër.

“Sot po kremtojmë me dinjitet ngjarjen më të rëndësishmë në Historinë moderne, ditën e Pavarësisë së Kosovës, po shënojmë pesë vjetorin e shtetit sovran dhe demokratik. Liria dhe Pavarësia ka qenë ëndërr, të gjithë së bashku ëndrrën e shëndrruam në realitet. Liria dhe pavarësia ka qenë ëndërr për të cilën është sakrifikuar me shekuj të tërë. Për këtë të arritur madhështore lëvdata kanë edhe qytetarët e Kosovës. Falenderimi i madhe shkon tek qytetarët e Kosovës pa dallim etnie dhe fetare. Shpreshim respektimin më të madhe për të gjithë dëshmorët e rënë për të gjithë luftëtarët që luftuan për këtë liri”, ka theksuar Thaçi.

Kryeministri i vendit, konsideron se gjatë këtyre pesë viteve Kosova është rritur dhe se ka ndryshuar për të mire.“Republika e Kosovës me krenari është duke ndryshuar për të mirë. Janë synuar të arritura si në siguri, ekonomi shëndëtësi etj. Sot shteti i Kosovës është njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së”, ka vlersuar ai.

Thaçi si të arritura tejet të rëndësishmë ka vlerësuar FSK-së dhe PK-në, sipas tij këto të dyja së bashku kanë bërë shumë angazhimë që të plotësojnë standardet më të larta të NATO-s.“FSK force e re, force bashkëkohore, FSK ka arritur të përmbushë kapacitete të forta profesionale”, vlerësoi ai.

----------------------------------------
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka hapur sot ceremoninë e Parakalimit të FSK-së për nder të 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ajo ka nderuar të gjithë ata që punuan për atdheun, luftëtarët e lirisë të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur.

Ajo ka falënderuar gjithashtu miqtë ndërkombëtarë SHBA, BE dhe vendet tjera demokratike për kontributin e tyre në zhvillimin dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.

“Ne po ndërtojmë një vizion të ri për vendin dhe popullin tonë, vizionin për një të ardhme euroatlantike. Ne po plotësojmë të gjitha standardet që Kosova të anëtarësohet së shpejti në NATO dhe BE”, ka thënë Jahjaga
Presidentja e ka vlerësuar lartë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës, si dy nga institucionet më të besueshme në vend.

“Parakalimi juaj sot e nderon punën tonë. Përkushtimi në punën tuaj ju lartëson dhe dallon. Republika e Kosovës e vlerëson kontributin tuaj. Është shume domethënëse se atdheu ju beson të kryeni secilën detyrë”, ka shtuar Jahjaga.

Zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Kelly Degnan ka thënë se SHBA-të admirojnë punën e këtyre pesë viteve që është bërë në Kosovë.

Sipas saj, Kosova gjatë këtyre viteve ka shënuar shumë të arritura dhe se askush nuk duhet ta nënvlerësojë këtë.

“Në ëmer të popullit SHBA-se ju uroj përvjetorin e pestë të Kosovës. Keni shumë për të festuar, SHBA-të admirojnë atë qe ka arritur Kosova në këto 5 vite. Ky përparim është i dukshëm në sektorin e sigurisë, 5 vite Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia dhe Agjencia per menaxhim te emergjencave ka luajtur një rol jetik për qytetaret. Kosova ka qenë kontribuese e sigurise dhe askush nuk duhet ta zhvleresoje kete te arritur”, vlerësoi Degnan.

Ajo njëhëherit është shprehur e mahnitur me punën e FSK-së si dhe Policisë së Kosovës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›