Babai i Florijes: Kosovarët të pafajshëm

Selman Peci nuk e dëshiron fëmijën që bart në bark vajza e tij, Florija. Jo se është kundër lindjes, por i druhet shëndetit mendor dhe fizik të së bijës.
"Ajo nuk është në gjendje të kujdeset për veten e saj. Nuk kupton asgjë çfarë i ndodh dhe çfarë i thua, si mund të rrisë Florija një fëmijë?", pyet Selman Peci dhe po vetë përgjigjet: "Ajo e ka të ardhmen përpara, vetëm të shërohet. Nuk është koha e saj për të pasur fëmijë, se aktualisht është shndërruar vetë në një fëmijë që ka nevojë për kujdes".
Gruaja e Selmanit, Nazja, del jashtë duke dënesur nën vete kur dëgjon të shoqin të flasë për Florijen. "Nuk e përballoj dot. Aksidenti ishte aksident, por përdhunimi i vajzës sime në atë gjendje është krim makabër", thotë nëna e Florijes, duke mbyllur derën dhe duke ikur kushedi se ku.
"Unë dyshoj te personeli i klinikës. Përdhunuesi i vajzës sime ndodhet në atë klinikë. Policia dhe Prokuroria te bashkëpunojnë dhe të gjejnë autorin. Eshtë krim, krim. Nuk di çfarë lloj mostre është ai person që ka bërë këtë veprim të tmerrshëm", shprehet babai i studentes së dhunuar, raporton bw.
Ndërsa në lidhje me disa familje kosovare në Austri që kanë ndihmuar Florijen,babai thotë: "Nuk dua të përgojohen emrat emrat e atyre familjeve të nderuara. A e dini ju që njëri nga këta persona na kanë ardhur edhe për vizitë në shtëpi? Në gusht kanë qenë në shtëpinë tonë këtu dhe kanë pirë kafe me ne"/Indeksonline/