E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atdheu!

Kurt Tucholsky*

Por, një ngushëllim e ke përherë, një shtegdalje, një largim. Madje edhe në rrafshina ka drunj, syçka uji që vezullojnë përballë teje, horizontet janë larg, edhe në tatëpjetën e zbehtë ngjitet mjegulla e fushave dhe duket sikur fushat po marrin frymë. – Alfons Goldschmidt: Gjermania sot

Tashmë, nëpër shumë anë kemi thënë jo! Jo – nga dhembshuria dhe jo – nga dashuria; jo – nga urrejtja dhe jo – nga pasioni! Dhe, tani, dëshirojmë që njëherë të themi – po. Po – ndaj trevës dhe vendit tonë, Gjermanisë.

Vendit ku jemi lindur dhe gjuhën e të cilit e flasim. Shteti le të shkojë ku të dojë, nëse e duam atdheun. Pse pikërisht këtë atdhe? Pse jo ndonjërin prej vendeve të tjera? Ka aq shumë vende të bukura.

Po, por zemra jonë atje nuk flet. Edhe kur flet, atëherë flet një gjuhë tjetër ne tokës i themi ajo; e admirojmë, e çmojmë por, prapë sështë ajo që e duam.

Nuk ekziston asnjë arsye që para secilës copë tokë të Gjermanisë të biem në gjunjë dhe të gënjejmë: sa e bukur! Por, të gjitha trevat kanë diçka të përbashkët dhe për çdonjërin prej nesh janë të ndryshme. Dikujt i gëzohet zemra nëpër kodrina, ku fusha dhe livadhi lidhen me rrugë të ngushta, buzë liqeneve malore, ku kundërmon uji dhe druri dhe shkëmbi, dhe ku mund të jesh i vetmuar; kur dikush e ka atdheun këtu, atëherë ai e dëgjon zemrën e vet duke rrahur. Kjo është falsifikuar aq shumë në librat e këqij, në vargjet edhe më budallaqe dhe në filma, saqë gati të vjen turp të thuash: e dua atdheun. Por, kush e di se çështë muzika e kodrinave, kush dëgjon jehonën e saj, kush ndien ritmin e trevës… jo, kush sndien asgjë tjetër, ai është vetëm në shtëpi; ky këtu është vendi i tij, kodra e tij, liqeni i tij, edhe nëse se ka një pëllëmbë tokë… ekziston një ndjenjë përtej politikës, dhe nga kjo ndjenjë ne e duam këtë vend. E duam, sepse ajri kalon kështu dhe jo ndryshe nëpër rrugica; e duam për shkak të ndikimit të dritës, me të cilën jemi mësuar; e duam për një mijë arsye, që smund të numërohen, për të cilat as nuk jemi të vetëdijshëm dhe të cilat, megjithatë, i kemi thellë në gjak.

E duam, me gjithë gabimet e tmerrshme në arkitekturën e rrejshme dhe anakronike, të cilën duhet shmangur larg; përpiqemi të mos i përfillim këto monstruozitete; e duam vendin, ndonëse në male dhe në sheshe na kërcënon ndonjë fotografi e princit të veshur si ëmbëltor.  Lëre le të kërcënohet, mendojmë ne, dhe ecim tutje nëpër shtigje të fushës, e cila është e bukur, përkundër të gjithave.

Nganjëherë kjo bukuri është aristokrate dhe jo më pak gjermane; nuk harroj se përreth një kështjelle të tillë kanë jetuar njëqind bujq të zhytur në mjerim, që ajo të mund të ndërtohej këtu dhe prapë, megjithatë, megjithatë është e bukur. Kjo që po shkruajmë nuk do të jetë album, të cilin e vendos mbi tavolinën e ditëlindjes; ka aq shumë të tillë. Dhe përherë janë jo të plotë ende gjendet një copë Gjermani, ende një cep, një trevë, të cilën nuk e ka përvetësuar fotografi… gjithashtu secili e ka Gjermaninë e tij private. Imja gjendet në veri. Fillon në Gjermaninë qendrore, ku ajri mbi pullaze është aq i kthjellët dhe sa më larg që shkon kah veriu, aq më fort rrah zemra derisa e parandien detin. Deti si në çdo kilometër më parë secili hu, secili pullaz me kashtë, befas, ka një kuptim më të thellë… ne qëndrojmë këtu, thonë ata, sepse menjëherë pas nesh gjendet deti këtu jemi për detin. Kaçuba qëndron e rrahur nga era, zalli i imët të kërcet mes dhëmbëve…

Deti. Të paharruara përshtypjet e fëminisë; e pashlyeshme çdo orë që e ke kaluar atje dhe për çdo vit gëzimi dhe përshëndetja mirëdita!, edhe pse Mesdheu është më i kaltër… ky është det gjerman. Dhe ahishta; dhe myshku, mbi të cilin ec butësisht saqë hapi nuk dëgjohet; dhe pellgu i vogël, mes malit, mbi të cilin vallëzojnë mushkonjat mund ti prekësh drunjtë dhe kur fryn era mbi to, ne e kuptojmë gjuhën e saj. Si për shaka ky libër e ka marrë titullin Gjermania, Gjermania mbi të gjitha, sipas atij vargut të marrë të një poezie mburracake. Jo, Gjermania nuk qëndron mbi gjithçka dhe nuk është mbi gjithçka kurrë. Por me të gjithë duhet të jetë, vendi ynë. Dhe këtu qëndron pohimi, në të cilin duhet të përfundojë ky libër:

Po, e duam këtë vend.

E tani dua tju them edhe diçka:

Nuk është e vërtetë se ata që e quajnë veten kombëtar dhe sjanë gjë tjetër përveç se borgjezë militaristë e kanë futur në xhep këtë vend dhe këtë gjuhë. Nuk është Gjermani vetëm përfaqësuesi i qeverisë i veshur me pallto solemne, as drejtori i gjimnazit, as zotërinjtë dhe zonjat e helmetës. Edhe ne jemi këtu.

Ata hapin gojën dhe thërrasin: Në emër të Gjermanisë…! Ata bërtasin: E duam këtë vend, po, e duam. Nuk është e vërtetë.

Në patriotizëm lejojmë të na mposhtë secili ne jemi solidarë ndaj botës. Sa i përket dashurisë për atdheun slejojmë të na mposhtë askush madje as ata në emër të të cilëve vendi është i regjistruar në kadastër. Është vendi ynë.

Dhe sado të mërzitshëm të më jenë ata që janë e kundërta e nacionalistëve dhe asgjë të mirë në këtë vend nuk shohin, as malin, as qiellin, as valën me aq ashpërsi kundërshtojmë të përplasemi në patriotizëm. Nuk e çajmë kokën për flamuj por e duam këtë vend. Ashtu siç u bien daulleve nëpër rrugë shoqatat kombëtare me të drejtën e njëjtë, pikërisht me të drejtën e njëjtë ne, ne që jemi lindur këtu, ne që shkruajmë dhe flasim më mirë gjermanisht se shumica e gomarëve kombëtarë me të drejtën e njëjtë, ne mëtojmë lumë e mal, plazh dhe shtëpi, lirishtë dhe livadh: është vendi ynë. Kemi të drejtë ta urrejmë Gjermaninë sepse e duam. Neve duhet të na marrin parasysh kur flitet për Gjermaninë, neve: komunistëve, socialistëve të rinj, pacifistëve, liridashësve të të gjitha shtresave; duhet të mendohet për ne kur mendohet për Gjermaninë… sa thjesht të sillesh ashtu sikur Gjermania të përbëhej vetëm prej shoqatave kombëtare.

Gjermania është një vend i përçarë. Një pjesë e saj jemi ne. Dhe në të gjitha kundërthëniet qëndron e patundshme, pa flamur, pa harmonikë me kurdisje, pa sentimentalizëm dhe pa pallë të zhveshur dashuria e qetë për atdheun tonë.

* Kurt Tucholsky (1890-1935) ishte gazetar dhe shkrimtar gjerman.

Nga gjermanishtja:

E.R.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›