Rama prezanton projektin për tramvaj në Tiranë
Kryetari dhe kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Edi Rama, ka prezantuar gjatë ditës së sotme projektin për tramvaj në kryeqytet.
Gjatë një takimi në qendrën Kristal, përfaqësues të bashkisë kanë prezantuar projektin e tramvajit Tram Tirana, i cili do të shtrihet në kryeqytet në 5 linja kryesore: Universiteti Politeknik Kombinat; Universiteti Politeknik – Kampusi i ri universitar i Tufinës; Universiteti Politeknik Universiteti Bujqësor i Kamzës; Universiteti Politeknik – Parku i ri i Paskuqanit dhe Tiranë – Aeroporti i Rinasit.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama ka thënë se ka vite të tëra diferencë mes opozitës dhe rivalëve të tyre politikë.
Ka një dallim radikal mes nesh dhe Saliut. Ne nisemi nga ëndërra, mbështetemi tek vetja, çfarë kemi bërë dhe tek të tjerët, çfarë kanë bërë para nesh. Tendenca e zhvillimit në Tiranë ku ëndrrën e projektojmë hap pas hapi përmes programesh të mirëdetajuara, ku shprehet tendenca e fundit përtej kufirit.
Jemi vite drite në diferencë nga kundërshtarët tanë politikë, sepse ndërkohë mjafton të shohësh se investohen paratë publike për të zhvilluar rrjetin e transportit në Shqipëri, ku duket qartë se ai është i kushtëzuar nga interesa të drejpërdrejta financiare e elektorale. Nuk ka ende sot një politikë të transportit publik që ta garantojë një lidhje harmonike mes bashkive dhe komunave të këtij vendi në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social, ka thënë Rama gjatë fjalës së tij.