E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri arsye për mos me votue Lulzim Bashën (dhe nji arsye për me votue Shoshorin)

Gjithmonë i shkon nga pas

Nga Ardian Ndreca

Mendoj se ka të paktën tri arsye madhore për mos me e votue ketë kandidat të PD-së, dhe këto arsye nuk kanë të bajnë as me shtetësinë e grues së tij dhe as me faktin se ai vetë nuk asht bindës, as kur flet dhe as kur hesht. Nuk asht i bindun ai vetë për çka thotë, për si e thotë, mbasi në çdo rrokje që nxjerr prej gojet zbulon pasivitetin e nji instrumenti që i bindet në mënyrë të verbët dikujt. Thellësisht i disiplinuem dhe i komandueshëm në çfarëdolloj distance që të jetë, Basha asht kandidati ideal për dikënd që smund të jetë njiheresh kryeministër dhe president, sekser, kryetar i gjykatës së naltë, leader komunitetesh fetare, prokuror i përgjithshëm, ambasador i SHBA, ambasador i BE, përfaqsues i interesave të Serbisë, historian, mjek… por që aspiron pafundsisht ti bajnë të gjitha.

Disa prej detyrave ekstra i kryen mrekullisht mirë, disa përpiqet. Ndonji tjetër ende nuk ka mujtë me e marrë. Fitorja e tij ma e madhe do të jetë kur të emnohet ambasador i SHBA në Tiranë dhe kur të marrin dekretimin si prokuror i përgjithshëm. Por le të kthehemi tek Basha.

Të gjithë e dijnë se Basha i ka shpëtue ndjekjes ligjore për qindra milionat e eurove që kanë avullue gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, vetëm falë Gjykatës së Lartë, e cila drejtohet prej Shpresa Beçës, personit që përmendej në videon e Metës, si individe e kontrollueme prej grupit në pushtet, gja kjo e vërtetueme prej fakteve konkrete. Kryetarja, me nji formim profesional domethanës në qarkun gjyqësor të Gramshit në vitet 80, duhet së paku të dorëzonte postin për klientelizmin e deklaruem, por nuk e bani ketë gja. Vijoi detyrën tue e rritë kështu ndieshëm besimin e qytetarëve tek nivelet ma të epërme të drejtësisë shqiptare. Pengesa e hetimeve ndaj Bashës asht arsye e mjaftueshme që gjykata që drejton me dinjitet profesional dhe personal kjo kryetare, të jetë demokratike në kuptimin ma të naltë që ky koncept ka për S. Berishën.

Arsyeja e dytë për të cilën nuk duhet të votohet Basha asht pakti famëkeq detar me Greqinë. Falë interesimit privat të nji oficeri në pension dhe reagimit të shoqnisë civile, ky pakt u bllokue prej gjykatës kushtetuese, por ministri i jashtëm që kurdisi në mënyrë makiavelike ketë pakt ishte Basha. Nuk besoj se Basha asht makiavelik, pse nji instrument nuk asht as i mirë dhe as i keq në vetvete, por qenja e tij në atë dikaster lejoi ata që e donin atë pakt, me punue të patrazuem nën rrogoz, derisa doli dikush që ua zbuloi matrapazlleqet e mshehta. Të shkretin z. Pashaj u munduen me e nxjerrë fillimisht si të rrjedhun trush, e kur vendimi i gjykatës kushtetuese bllokoi gjithçka atëherë e braktisën, – ndoshta përkohsisht, – ketë tradhti të naltë ndaj atdheut. Por edhe çeshtja e tradhtisë asht e diskutueshme, mbasi kusarët nuk kanë atdhe, ata janë kozmopolitë, pse i besojnë plotsisht vetëm mjetit të shkëmbimit ma anonim që ekziston: pares.

Arsyeja e tretë për mos me votue Bashën asht vrasja me 21 janar e katër qytetarëve shqiptarë, akt i randë, i kryem kundër çdo ligji dhe rregulloreje që angazhon forcat e rendit në rrethana si ato që u verifikuen atë ditë. Basha ka aftësinë me u gjend gjithmonë në krye të punëve në momente kur ndodhin tragjedina. Me 21 janar ai ishte ministër i punëve të brendshme dhe si i tillë duhet të jepte dorëheqjen për vrasjet e asaj dite. Por me sa duket e ndaluen rreptësisht me ba nji gja të tillë.

Shqiptarët përpara se me qenë të majtë apo të djathtë janë qytetarë. Nji pjesë jo e vogël mbeten qytetarë edhe mbasi aderojnë në nji parti, por ka të tjerë që sjanë qytetarë as përpara dhe as mbrapa, janë thjesht partizanë, individë me të cilët mund të bahen shumë gjana, por jo nji shtet modern. Komandanti i partizanëve asht Berisha, dhe siç e kanë pa të gjithë shqiptarët, me të Europa mbetë nji andërr, ndërsa Gërdeci, përmbytjet, vrasjet, korrupsioni, vjedhjet masive janë të vetmet arritje.

Si asht e mundun që PD e Berishës nuk pati nji kandidat tjetër përveç Bashës, i cili përban nji sfidë ndaj ligjit dhe ndaj sensit moral qytetar!

Asnji prej këshilltarëve zyrtarë dhe sidomos jozyrtar të Berishës nuk mbërritën me i pëshpëritë nji emën tjetër, nji filan fistek që sdyshohet të ketë zhdukë 200 milion euro (burime tjera flasin për 320 milionë), që sasht i implikuem me paktin detar, që sasht përgjegjës moral për vrasjen e 4 qytetarëve shqiptar  dhe që ska lanë në mes të katër rrugëve jetimat e disa familjeve shqiptare!

Tashma dami asht ba. Un besoj dhe dëshiroj që nji si Basha, të sqarojnë pozicionin e tij tue u përgjegjë përpara drejtësisë shqiptare. Dhe me shumë gjasa, ma shumë se shiritin kuq e zi krahaqafë, nji i tillë në nji vend normal do të mbante nji uniformë me vija. Por ne nuk jemi nji vend normal, jemi thjesht nji vend.

Ndoshta PD-ja, këshilltarët dhe ndrikullat e Berishës, duhet ti kishin propozue këtij si kandidat për kryetar bashkie në Tiranë nji tiranas, nji person me merita të padiskutueshme për demokracinë, e kam fjalën për zotin Hysen Shoshorin.

Nuk kam parasysh meritat e përgjithshme të zotit Shoshori, i cili ka shpërnda 41100 trakte antikomuniste gjatë regjimit të Hoxhës dhe asht dënue fillimisht me vdekje e mandej ka vuejt për vite të tana dënimin, e kam fjalën për nji trakt të vetëm të tijin.

Po, nji trakt të vetëm, pse 41099 trakte të zotit Shoshori kanë shkue kot, skanë lanë gjurmë në historinë tonë, vetëm nji trakt i tiji i ka ndrrue rrjedhën historisë së Shqipnisë, pse ka arritë me brumosë, edhe pse 30 vjet mbas leximit të parë, antikomunistin ma të zjarrtë që ka njohtë historia jonë mbas ramjes së komunizmit.

Nji trakt i zotit Shoshori do të meritonte prononcimin e gjithë PD-së për kandidaturën e tij për kryetar bashkie në Tiranë. Të gjithë e kanë ndjekë në tv dhe kanë lexue këto ditë dëshminë e Shoshorit për nji trakt që ky kishte shpërnda në fakultetin e mjeksisë në vitin 1961, të cilin Sali Berisha e kishte ruejt dhe do tia përplaste në fytyrë në gjyq, në vitin 1974, tue kërkue varjen në litar të Shoshorit të mjerë.

Atë trakt, simbas Shoshorit, Berisha e kishte ruejt për plot 13 vjet, dhe mbas 13 vjet leximi të së vetmes literaturë antikomuniste kishte arritë tek dënimi me varje i autorit të rreshtave satanikë.

Megjithatë mbas 17 viteve të tjera përpunimi mendor të atij trakti, mjeku fanatik tropojan mbërrijti me u ba hero i demokracisë shqiptare, e tue mos ndrrue asgja do të ndërronte gjithçka në figurën e tij, do të bahej mesia i rremë i demokracisë shqiptare.

Këtë meritë dajrexhinjtë e Berishës duhet tia njohin Shoshorit, pse të paktën Shoshori as nuk ka vjedhë fondet e rrugës Durrës-Kukës, as nuk ka firmosë pakte që cënojnë sovranitetin e Shqipnisë dhe as nuk ka vra njerëz të pafajshëm në mes të Tiranës.

I dashur votues që don që Tirana të drejtohet prej nji demokrati të vërtetë, në vetminë e kabinës elektorale, mbi emrin e Lulzim Bashës shkruej emnin e zotit Hysen Shoshori, sepse njeriu që drejton sot qeverinë shqiptare asht nji uzurpator dhe mban atë post vetëm falë guximit dhe vuejtjeve të heronjve si Hysen Shoshori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›