“Projektligji çrrënjos krimin nga policia”
Trazhgim Sokolaj
Shefi i misionit të ICITAP, Darrel Hart, i cili drejton programin e Departamentit Amerikan të Drejtësisë në Shqipëri, mendon se projektligji i përgatitur për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, është një mjet efektiv për të çrrënjosur kriminalitetin nga radhët e Policisë së Shtetit. Prania e efektivave të inkriminuar në radhët e uniformave blu konsiderohet si një fenomen i papranueshëm nga zyrtari i misionit amerikan ICITAP, që vepron në Shqipëri prej vitit 1997 duke këshilluar e ndihmuar policinë dhe autoritetet e tjera ligjzbatuese. Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për gazetën “Panorama”, Darrel Hart thotë se, projektligji i ri për SHKB-në u ndryshua dhe u përpunua në komisionet parlamentare sipas rekomandimeve të grupeve e institucioneve të interesit, duke arritur së fundi një përmbajtje në përputhje me standardet perëndimore dhe europiane. Sipas zyrtarit amerikan, drafti përmban përcaktime strikte e ligjore për ligjshmërinë e hetimit ndaj punonjësve të policisë, përfshirë këtu përgjimet dhe survejimet. Projektligji formaton më mirë marrëdhëniet me institucionet e tjera si SHISH, Prokuroria apo qoftë edhe vetë Policia e Shtetit.
Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe ai i Sigurisë kaluan për votim në Parlament, pas disa ditësh debate, projektligjin “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme”. Në kuadër të ndihmës dhe konsulencës që ju ofroni për autoritetet ligjzbatuese shqiptare, edhe ICITAP ka këshilluar në procesin e përgatitjes së këtij projektligji, si e komentoni këtë draft, duke iu referuar procedurave që janë ndjekur me hartimin e tij, diskutimit me specialistët, grupet e interesit, përputhshmërinë e tij me ligjet tjera të vendit dhe me ligjet e ngjashme në perëndim, si dhe në raport me mekanizmat e nevojshme që duhen krijuar për një luftë efektive ndaj korrupsionit në radhët e policisë?
Gjatë vitit të kaluar, një grup pune i përbërë nga përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, ICITAP, OSBE dhe Misioni i Ndihmës së BE-së, EURALIUS kanë punuar për të përgatitur projektligjin që aktualisht po shqyrtohet. ICITAP ka ofruar udhëzime teknike dhe operative në hartimin e këtij ligji, ku OSBE-ja dhe EURALIUS ofruan si perspektivën ligjore ashtu edhe atë europiane në zhvillimin e tij. Prokuroria e Përgjithshme u ftua të merrte pjesë në takimet e grupit të punës dhe u konsultua edhe Shërbimi Informativ i Shtetit. Ndërkohë që përfaqësues nga këto dy organe nuk morën pjesë në takimet e grupit të punës, ata në fakt morën pjesë në takimet e Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Parlamentit, ku shprehën mbështetjen e tyre të përgjithshme për ligjin dhe identifikuan edhe shqetësimet e tyre, të cilat më pas u trajtuan nga komisioni. OJQ dhe Avokati i Popullit gjithashtu iu drejtuan Komisionit të Sigurisë Kombëtare në lidhje me komentet e tyre mbi projektligjin. Si Komisioni i Ligjeve ashtu edhe ai i Sigurisë adoptuan ndryshime teknike në projektligj, që sqaronin synimin e legjislacionit. Në fund, projektligji që është në Parlament ofron qartësi thelbësore mbi përgjegjësinë dhe operacionet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që është në përputhje me standardet europiane dhe perëndimore.
Raportet ndërkombëtare të viteve të fundit, paraqesin një tendencë rënie në perceptimin që ekziston për nivelin e korrupsionit në polici, i cili gjithsesi mbetet problematik për vendin dhe qytetarët, a mendoni se ky projektligj do të ketë ndikim në këtë drejtim dhe duke qenë se njihni përmbajtjen e këtij drafti, cilat mendoni se do të jenë efektet e tij?
Jemi të inkurajuar nga prirja në ulje në perceptimin ekzistues për korrupsionin në radhët e policisë, siç tregohet kohët e fundit nga sondazhe të pavarura. Besojmë që zbatimi i duhur i këtij ligji mbi Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB) do të japë kontribut thelbësor në vazhdimin e kësaj prirjeje. Pasi ky ligj të ketë hyrë në fuqi, do të ketë një pikë të vetme kontakti për njerëzit dhe institucionet, ku këto të raportojnë akte kriminale dhe korruptive të policisë. SHKB-ja do t’i hetojë këto pretendime dhe do t’ua përcjellë gjetjet e veta ose drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masa disiplinore, ose Prokurorisë së Përgjithshme për ndjekje penale. SHKB-ja është një mekanizëm kontrolli dhe balance për pushtetin dhe autoritetin e strukturave të policisë. Strukturat e policisë nuk mund të tolerojnë veprimtari kriminale dhe korruptive brenda radhëve të tyre. Është përgjegjësi e SHKB-së të kryejë hetime të drejta dhe të duhura për të vendosur vërtetësinë e asaj që pretendohet. Këto veprime do të jenë në të mirën e Policisë së Shtetit për të ndërtuar besimin mes tyre dhe komuniteteve që u shërbejnë.
Në përmbajtje të projektligjit vihen re disa përcaktime të paqena më parë, për inspektimin e punës së policisë nga një trupë civile, testi i integritetit lidhur me korruptimin e mundshëm të punonjësve të policisë, duket se ka një formatim më të qartë se më parë për procedurat e përgjimit dhe survejimit, si dhe dhënien e statusit të Policisë Gjyqësore për SHKB-në, duke ruajtur rolin tradicional të prokurorit si kontrollor i hetimeve, si i konsideroni këto përcaktime?
Është e saktë që projektligji përmban përkufizime të reja për inspektimin e punës së policisë nga një trupë civile dhe testin e integritetit në lidhje me korrupsionin e mundshëm të oficerëve të policisë, si dhe përkufizon më qartë procedurat për përgjime dhe survejim. Sipas ligjit ekzistues, SHKB-ja ka statusin e Policisë Gjyqësore.
Ju keni paraqitur në Komisionin e Sigurisë dhe të Ligjeve, mendime për këtë draft gjatë fazës së diskutimit të tij. Kemi parë që e keni mbështetur së bashku me organizma të tjerë ndërkombëtarë, që asistojnë në këtë fushë, pse mendoni se ai është i nevojshëm dhe a mund të na thoni, cili ka qenë mendimi juaj në tërësi për përmbajtjen e projektligjit?
Policia e Shtetit ka përjetuar ndryshime thelbësore organizative për disa vite. Ndryshimet që kanë ndërmarrë janë hartuar për të ndërtuar profesionalizmin e tyre në ofrimin e shërbimeve të policisë për qytetarët e Shqipërisë, për të depolitizuar strukturat e policisë nga kontrolli i cilësdo parti, dhe për t’i ofruar udhëheqjes së policisë autonominë që u duhet për të menaxhuar në mënyrë të efektshme organizatën e tyre. Ndryshimet në ligje në lidhje me Policinë e Shtetit kërkojnë përditësimin edhe të ligjeve të tjera përkatëse. Ndërkohë që ndryshimi nuk është kurrë i lehtë, ne besojmë që këto përpjekje do të rrisin profesionalizmin e Policisë së Shtetit në mënyrë që të jenë shërbëtorë më të mirë publikë, që punojnë në emër të qytetarëve të Shqipërisë.
SHKB-ja ekziston aktualisht dhe ka ekzistuar për shumë vite. Ky projektligj në fakt vendos kufizime të mëtejshme mbi operacionet e tyre dhe sqaron për çfarë janë përgjegjës dhe se si duhet arritur kjo. Ndryshimet në ligj ishin të nevojshme në mënyrë që SHKB-ja të mund të kryejë efektshëm misionin e saj, duke pasur parasysh të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur brenda qeverisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Projektligji i tanishëm, pas kalimit nëpër komisione, është në përputhje me standardet europiane, perëndimore dhe do të ndihmojë çrrënjosjen e veprimtarisë kriminale dhe veprimeve korruptive të Policisë së Shtetit.
A besoni se me këtë projektligj, një punonjës policie i dyshuar për shkelje të ligjit, do të hetohet dhe ndiqet penalisht në të njëjtat kushte dhe nën të njëjtat garantime ligjore për liritë dhe të drejtat e njeriut si gjithë qytetarët e tjerë, apo do të ketë dallim?
E di që të drejtat dhe liritë e njeriut të oficerit të policisë do të respektohen, ndërkohë që ata hetohen dhe ndiqen penalisht. Në fakt, ky projektligj i kërkon SHKB-së të ndjekë ligjet dhe procedurat ekzistuese për t’u siguruar që nuk do të ndodhin shkelje kushtetuese.
Si e shikoni statusin e SHKB-së në raport me institucionet e tjera pas miratimit të projektligjit, e kam fjalën këtu për vetë policinë e më pas për organet e tjera shtetërore si Prokuroria dhe Shërbimi Informativ. A gjykoni se ka tendenca dublimi të institucioneve, apo ndërhyrje në fushën e veprimtarisë së tyre?
Projektligji nuk e nënshtron, ndryshe nga disa pretendime të raportuara në media, Policinë e Shtetit, Shërbimin Informativ Kombëtar, apo Prokurorinë e Përgjithshme dhe nuk i jep Ministrisë së Brendshme më shumë kontroll mbi këto institucione. Siç e përmenda më parë, SHISH dhe Prokuroria e Përgjithshme ngritën shqetësime në komisione dhe projektligji u ndryshua për t’iu përgjigjur këtyre shqetësimeve. Projektligji vendos kufizime të mëtejshme mbi SHKB-në në krahasim me ato që ekzistojnë. Kur një hetim kryer nga SHISH apo Prokuroria çon në përfshirjen e një anëtari të Policisë së Shtetit, atëherë SHKB-ja do të njoftohet sa më shpejt që të jetë praktike pa kompromentuar hetimin në vazhdim. Në disa raste, kjo mund të ndodhë kur hetimi i institucionit tjetër është përfunduar. Ekzistojnë ndarje të dallueshme dhe të hollësishme të përgjegjësisë së çdo institucioni.