Atentat me katër plumba biznesmenit të ndërtimeve
Shkodër/Atentat me katër plumba biznesmenit të ndërtimit në Shkodër, mister autorët e krimit. Besnik Fangaj, 44 vjeç, banues në lagjen Kongresi i Përmetit, është qëlluar në pritë nga dy persona pak sekonda pasi kishte parkuar makinën e tij dhe po hynte për në banesë. Për pasojë biznesmeni është plagosur rëndë në bark dhe dorë, kurse agresorët që lëviznin me një autoveturë u arratisën nga vendngjarja, duke përfituar edhe nga errësira. Policia vendore tha se atentati u shënua në vendin e quajtur Zdrale, rreth orës 01:30 të mëngjesit, kur 44-vjeçari kishte mbyllur aktivitetin e zakonshëm dhe sapo kishte përcjellë në banesë një nga punonjësit. Fangaj njihej prej 5 vitesh si biznesmen ndërtimesh në disa lagje të qytetit të Shkodrës, kryesisht ndërtim pallatesh. Familjarët u shprehën se nuk kanë pasur konflikte hakmarrjeje apo gjakmarrjeje dhe të tjera grindje.
Hetimet
Grupi hetimor beson se bëhet fjalë për grindje biznesi, mosmarrëveshje dhe konkurrencë. Ndaj ka nisur verifikimin për të gjitha lejet e ndërtimit, bizneset dhe apartamentet e shitura. Me interes pritet edhe dëshmia e vetë biznesmenit që ndodhet në spital duke u trajtuar, teksa dje kaloi rrezikun pas ndërhyrjes kirurgjikale. Ekspertët konstatuan se Fangaj është qëlluar me pistoletë tip TT, u gjetën 5 gëzhoja, ndërsa u dëmtua nga dy prej predhave të plumbave. Policia tha se ka bërë rreth shoqërime kontigjentësh të krimeve, pasi besohet se atentati është i paguar, por nuk ka ende një të arrestuar. Akuza e ngritur është vrasje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Besohet se autorët kanë qenë dy persona, njëri prej të cilëve drejtonte veturën dhe tjetri ka qëlluar me armë. Ata kanë pritur tek shtëpia biznesmenin dhe në momentin që ka parkuar mjetin e kanë sulmuar.
Pistat e plagosjes së rëndë
Pista kryesore mbetet ajo për biznesin e ndërtimeve, ndërsa Fangaj mësohet se është i martuar dhe me fëmijë, e pa precedentë të mëparshëm penalë. Fangaj ka lindur në fshatin Bardhaj të komunës Rrethina dhe ushtronte aktivitet në lagjet Zdrale, Pedonalia dhe periferi të Shkodrës. Nuk është hera e parë që biznesmenët në qytetin e Shkodrës vriten apo plagosen, pasi gjatë dy viteve të fundit janë ekzekutuar në rrethana të paqarta të paktën 4 prej tyre dhe ende me autorë të paidentifikuar.