E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushqyerja me gji, mënyra më e mirë për fëmijë të shëndetshëm

TIRANË- Ushqyerja me gji, e konsideruar si mënyra më e mirë për rritjen e shëndetshme të fëmijës, ka shënuar rritje vitet e fundit. Shqipëria ndërkohë është një ndër vendet që ka adoptuar Kodin Ndërkombëtar të Tregtimit të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit, duke ndaluar propagandimin e preparateve të qumështit të industrializuar nga mediat.

"Ushqyerja me gji është një trashëgimi tepër e çmuar", pohojnë specialistët e shëndetit publik, sipas të cilëve, qumështi i gjirit është i paimitueshëm dhe përbëhet nga lëndë të pamundura të prodhohen artificialisht. Ai përmban 100 lloje lëndë ushqyese si, proteina, kripra minerale, sheqerna, yndyrna, vitamina, etj. Por, mbi të gjitha, ai përmban faktorë mbrojtës si Imunoglobulina A, e cila e mbron fëmijën ndaj viruseve, bakterieve apo edhe substancave të huaja që mund të shkaktojnë alergji.

Sipas Studimit Demografik dhe Shëndetësor, realizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe INSTAT, në bashkëpunim dhe me organizatat që operojnë në këtë fushë, 96 % e fëmijëve nën moshën pesë muaj ishin ushqyer me gji. Megjithatë, vetëm 43 % e fëmijëve të lindur që janë ushqyer me gji, e kanë filluar ushqyerjen me gji brenda orës së parë pas lindjes (ashtu siç rekomandohet), ndërsa 39 % e fëmijëve të moshës 0-5 muaj janë ushqyer vetëm me gji. Kohëzgjatja mesatare e ushqyerjes me gji ishte 15 muaj.

Ushqyerja me gji dhe të ushqyerit mirë në përgjithësi për fëmijët është thelbësore për të arritur Objektivat e Mijëvjeçarit, veçanërisht objektivat që lidhen me mbijetesën e fëmijëve, siç është ulja e vdekshmërisë foshnjore në 50 për qind deri në vitin 2015.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›