PS firmos marrëveshjen me 43 parti për koalicion parazgjedhor
Meta, Milo dhe Gjinushi në një marrëveshje bilaterale me PS
Partia Socialiste ka firmosur dje marrëveshjen paraelektorale 43 parti të vogla, të cilat tashmë do të jenë zyrtarisht pjesë e koalicionit opozitar në zgjedhjet e 23 qershorit. Pasditen e djeshme kryetarët e këtyre forcave kanë qenë të pranishëm në ambientet e selisë rozë ku kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen me PS-së. Të gjitha takimet janë mbyllur shpejt, pasi sipas burimeve brenda PS-së asnjëra prej partive nuk ka pranuar që të jetë pjesë e listës së deputetëve të PS-së, duke zgjedhur kështu kandidimin nën siglën e partive përkatëse.
Aleatët
Kreu i Partisë PSV91, Petro Koçi pas përfundimit të takimit bëri publike se marrëveshja përmban detyrime të partisë për të respektuar besnikërinë e votës dhe detyrimet pas rezultatit zgjedhor, teksa shtoi se kushti i vetëm është rotacioni politik. Ky dokument nuk përmban kërkesa specifike të partive në raport me PS por është baza për regjistrimin e këtij koalicioni në KQZ. Marrëveshja është ajo që kemi miratuar më parë, kushti kryesor është rotacioni politik, të tjera lidhen me vendime specifike por skanë lidhje mbi parimet e ndërtimit të koalicionit, tha Koçi. Ndërsa Spartak Ngjela, kreu i PLD-së, pas takimit me kreun e PS-së, Edi Rama tha se do të kandidojë nën siglën e partisë së tij. Unë nuk kam ardhur për të bërë kërkesë për të hyrë në PS. Unë jam me partinë time dhe dal deputet, deklaroi Ngjela.
Mungesat
Në takimin e djeshëm të Ramës me aleatët munguan kreu i LSI-së Ilir Meta, kreu i PDS-së Paskal Milo, dhe kreu i PSD-së Skënder Gjinushi. Mësohet se të treja këto forca politike pritet të nënshkruajnë në ditët në vijim një marrëveshje bilaterale me PS-së. Gjithashtu pjesë e takimeve të djeshme nuk ishin as partitë Aleanca Kuq e Zi si dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Të dyja këto forca politike nuk e kanë përcaktuar ende se në cilin koalicion do të rreshtohen për zgjedhjet e 23 qershorit. Afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është data 23 Prill.
Presidenti dekreton Thanzën dhe Ndrecën për Gjykatën e Lartë
Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar emërimin e dy anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë, duke zëvendësuar kështu dhe postet vakante. Në faqen zyrtare të presidencës thuhet se janë dekretuar nga ana e kreu të shtetit, Admir Thanza dhe Tom Ndreca. Emrat e tyre do të kalojnë në komisionin e Ligjeve dhe më pas për votim në Kuvend. Admir Thanza ka qenë anëtar i gjykatës Kushtetuese, ndërsa Tom Ndreca është gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës, detyrë që e ushtron prej 16 vitesh.
Rama-Nishani: Mos harro edhe Sashenkën
Kreu i PS-së, Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Presidentit Bujar Nishani, për të dekretuar Tom Ndrecën, anëtar të Gjykatës së Lartë. Në një postim në rrjetin e tij social Tëitter, Rama shkruan: O President mos harro Sashenkën se nuk ishte Toma më shumë hero sesa ajo në luftën për Bashkinë e Tiranës që Tomën ta shpërbleni e Sashenkën jo!.