E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet varfëria, 400 mijë shqiptarë jetojnë me 49 mijë lekë (të vjetra) në muaj

Anketa e INSTAT tregon se varfëria është zhvendosur nga fshati në qytet

largea_varferia161350418308Akuzat e herëpashershme të socialistëve se INSTAT deformon shifrat sa herë publikon studime, duket se e kanë sensibilizuar institucionin për të qenë më afër të vërtetës. Në një anketë të publikuar dje mbi nivelin e varfërisë në vendin tonë, INSTAT ka pranuar se varfëria është rritur nga 12.4 % në 14.3 %. Edhe më herët i njëjti institucion publikoi shifra më të larta të papunësisë se sa vetë Ministria e Financave.

Anketa 

Anketa e fundit e INSTAT konfirmon se janë mbi 400 shqiptarë që jetojnë në varfri, ku konsumi mujor për frymë është 4900 lekë të reja në muaj. Në krahasim me vitin 2008 varfëria është rritur me 1.9 %. Por një tjetër fenomen që vihet re nga anketa e fundit është fakti se varfëria sot nuk është vetëm problem i zonave rurale por edhe i zonave  urbane, ku numërohen edhe më shumë familje të varfra.

Kriza ekonomike

Në rritjen e varfërisë ndikim të madh ka pasur kriza ekonomike botërore e cila nëpërmjet ngadalësimit të ekonomisë ka ndikuar edhe në rritjen e varfërisë, sidomos në zonat urbane. Edhe rënia e remitancave të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe Itali ka ndikuar në shtimin e numrit të familjeve të varfra shqiptare, tha dje gjatë prezantimit të anketës, Ines Nurja, drejtoreshë e Institutit të Statistikave.

Varfëria sipas qyteteve

Varfëria sipas qarqeve, tregon se Qarku Elbasan dhe Gjirokastër kanë shkallën më të ulët të varfërisë, ndërsa Qarku Kukës ka shkallën më të lartë të varfërisë. Shkalla e varfërisë është 10.7 % në Elbasan dhe Gjirokastër dhe arrin në 21.8% në Kukës. Përveç kësaj, qarqe të tjera të tilla si Berat, Dibër, Korçë dhe Vlorë kanë norma të ulëta të varfërisë në krahasim me mesataren e vendit. Qarqe të tjera si Lezha dhe Shkodra kanë nivele më të larta të varfërisë, përkatësisht 17.5% dhe 15.7%. Qarku Tiranë ka një normë të varfërisë shumë afër mesatares së vendit, 14.2%. Qarqe

të tjera si Durrësi dhe Fieri kanë norma më të larta të varfërisë në krahasim me mesataren, përkatësisht 16.2% në Durrës dhe 17.5% në Fier, thuhet në raportin e INSTAT.

Rekomandimet

Bazuar në rezultatet e kësaj ankete INSTAT gjykon se duhen përpjekje të mëtejshme për ta sjellë varfërinë në nivele më të ulëta, dhe se të dhëna më të detajuara do të hedhin dritë mbi qarqet dhe zonat ku varfëria është më e përqendruar dhe ku si rrjedhim duhet të ndërhyhet fillimisht. Fenomeni i varfërisë urbane duhet të shqyrtohet më në thellësi në analiza të mëtejshme në një të ardhme sa më të afërt për të kuptuar shkaqet dhe ndryshimin e kahut të varfërisë, konkludojnë specialistë të INSTAT.

Varfëria në fshat

Ndryshe nga viti 2008 ku zonat malore ishin të vetmet me një rritje të lehtë në varfëri, në vitin 2012, janë zonat malore ato që kanë pasur uljen e varfërisë. Në këto zona, varfëria është ulur nga 26.6% në 2008 në 15.3% në vitin 2012. Megjithatë, kjo ulje mund të jetë si pasojë e lëvizjeve të popullsisë dhe vazhdimi i lëvizjeve nga zonat malore drejt rajoneve të tjera. Rrjedhimisht, rajonet e tjera mund të ndajnë barrën e këtyre lëvizjeve, gjë që mund të jetë ndër arsyet që sjellin si pasojë një rritje në përgjithësi të varfërisë. Për shembull, në zonat bregdetare, të cilat kanë rritjen më të madhe në varfëri, 17.6% e popullsisë është e varfër në krahasim me 13% në vitin 2008. Mes rretheve të ndryshme, Tirana ka përjetuar një rritje të konsiderueshme në varfëri. Krahasuar me vitin 2008, përqindja e popullsisë që konsiderohet si e varfër ka shkuar nga 8.7% në 2008 në 12.6% në vitin 2012. Zonat qendrore kanë mbetur përgjithësisht në një situatë të ngjashme. Varfëria është rritur lehtësisht nga 10.7% në 2008 në 12.5% në vitin 2012.

 

 Varfëria në qytet

Varfëria nuk duket të jetë më vetëm një fenomen rural. Në vend të kësaj, varfëria është zhvendosur kryesisht në zonat urbane. Sipas statistikave ndërsa popullsia rurale në varfëri ka rënë me rreth 12%, popullsia urbane në varfëri është rritur me rreth 37%. Shkalla e varfërisë në zonat rurale, është rritur nga 14.6% në 2008 në 15.3% në vitin 2012, ndërsa varfëria urbane u rrit nga 10.1% në 13.6%. Për më tepër, edhe brenda zonave rurale, shkalla e varfërisë është ulur ndjeshëm në zonat malore. Varfëria duket të ketë një përhapje më të gjerë se në vitin 2008 dhe nuk është më e përqendruar në zonat malore rurale. Treguesit e tjerë të varfërisë ruajnë norma të ngjashme të ndryshimit, si ato të përshkruara më lart, si në zonat urbane dhe në ato rurale. Hendeku i varfërisë (thellësia e varfërisë) është e ngjashme për zonat rurale dhe ato urbane. Megjithatë, zonat urbane kanë pasur një rritje të konsiderueshme të hendekut të varfërisë në krahasim me vitet e mëparshme. Në zonat rurale, ky tregues është 3.0%, krahasuar me 2.9% në zonat urbane; për zonat rurale, ky tregues ka pësuar një rritje prej rreth 15% krahasuar me vitin 2008, ndërsa për zonat urbane ka pësuar një rritje prej rreth 53%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›