Atentat për gjakmarrje dajës së Shpëtim Zisës
Babai i 10-vjeçarit të masakruar në Peshkopi ka qëlluar tre herë mbi dajën e Zisës, pas paralajmërimeve për gjakmarrje
PESHKOPI- Ndodhi ajo që pritej, pas vrasjes së fëmijës 10-vjeçar Besim Çenga në Peshkopi. Babai i viktimës ka qëlluar tre herë me pistoletë në drejtim të dajës së Shpëtim Zisës, pa mundur ta vrasë atë. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, teksa Ylli Çenga, banor i lagjes “Kamen”, ka qëlluar tri herë me pistoletë mbi Jetmir Xhedikun, dajën e Shpëtim Zisës. Ky i fundit po kalonte me makinë në një rrugicë të lagjes “Kamen”, ku ka banuar familja e Shpëtim Zisës, por fati ka qenë me të, pasi nuk e kanë zënë plumbat.Për të shmangur atentatin ka ndërhyrë menjëherë policia, e cila është ndodhur afër në patrullim dhe ka bërë të mundur arrestimin e menjëhershëm të Ylli Cengës, babait të 10-vjeçarit të masakruar vitin e kaluar. Më pas, policia ka kryer kontrolle në banesat e familjes dhe fisit Çenga, ku ka zënë me armë automatike në makinën e tij vëllanë e të arrestuarit, Syri Çenga. Gjithashtu, policia ka ushtruar kontrolle dhe në banesat e tjera dhe ka shoqëruar në polici dhe dy xhaxhallarë të tjerë të fëmijës së masakruar, duke dyshuar se edhe ata kanë qenë pjesë e planit të gjakmarrjes. Mbrëmë vonë ata janë lënë të lirë. Gjakmarrje e paralajmëruar
Sipas burimeve policore, familja e Shpëtim Zisës ka qenë e kërcënuar se do të merrej gjak ndaj saj, në emër të shpagimit të gjakut nga vrasja makabër që iu bë vogëlushit 10 –vjeçar Besim Çenga nga ana e Shpëtim Zisës. Ndaj kjo familje është larguarnga lagjja “Kamen”. Gjithashtu, policia mbante nën kontroll të vazhdueshëm edhe familjen e Besim Cengës, pasi kishte të dhëna se ata në një formë a në një tjetër do të merrnin gjak mbi familjen e vrasësit të birit të tyre të mitur, gjë që e kishin shprehur në ambiente të ndryshme. Burimet policore thanë se i kishin dhënë rëndësi mbrojtjes dhe ruajtjes së jetës të njerëzve të trungut të familjes së Shpëtim Zisës dhe vendndodhja e tyre e re mbahej e fshehtë, ose ata që ishin në Peshkopi ishin të ngujuar brenda, por nuk e besonin se gjakmarrja do të shtrihej tek njerëz të tjerë larg familjes, aq më tepër tek daja i vrasësit të fëmijës së mitur.
Nxitja e gjakmarrjes
Atentatin e djeshëm duket se e ka nxitur dhe fakti se në seancat gjyqësore, njerëzit e Shpëtim Zisës, ashtu si dhe e ëma janë shprehur gjithnjë se nuk ka qenë djali i tyre, vrasësi dhe masakruesi i Besim Cengës, ose më e shumta ka qenë i shtyrë nga dikush tjetër. Madje, policia ka hetuar me intenstitet edhe në këtë pistë, edhe gjyqet janë shtyrë disa herë nga ana e trupeve gjykues, që prokuroria të sillte prova bindëse si për faktin nëse ishte Shpëtim Zisa vrasësi i vërtetë i Besim Cengës, ashtu edhe për faktin nëse ai e kishte kryer këtë në kushtet e tronditjes psiqike dhe depresionit të rëndë mendor. Pas shumë provash dhe ekspertizash u arrit në përfundimin se Shpëtim Zisa ishte vrasësi i Besim Cengës dhe se pohimet e tij që nga fillimi deri në fund ishin koshiente në lidhje me këtë vrasje të kryer nga ai, ndaj gjykata e ka dënuar me burgim të përjetshëm.
AKTI
“Shpagimi” i gjakut të Besimit
Nga ana tjetër, prindërit e Besim Cengës duket se kanë qenë indiferentë ndaj çdo vendimi që mund të jepej nga drejtësia, që në rastin konkret dha dënimin maksimal me burgim të përjetshëm. Për ta, gjakmarrja do të ishte gjaku i shpaguar njëherë e mirë, ndaj dhe kanë menduar të gjakmerren ndaj dajës së Shpëtim Zisës, por që kësaj radhe u ka shpëtuar për mrekulli plumbave të nxjerra nga pistoleta e Ylli Cengës, babait të të miturit të vrarë nga Shpëtim Zisa.