Olli: Dënime të ashpra për njerëzit e zjarreve
Kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli, tregon operacionet e shuarjes së flakëve në Vlorë dhe në Fier
TIRANË- Vera e vitit të kaluar e vuri përpara një situate jo pak të vështirë Drejtorinë e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, për shkak të vatrave të shumta të zjarrit. Këtë vit, vendosën të hartonin planin e masave që në maj, e megjithatë, zjarri ka qenë i pamundur të parandalohej. Drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, pohon për “Shekullin” se pas operacioneve të zjarrfikësve dhe përdorimit të helikopterëve të ardhur nga Greqia e Italia, tashmë situata ndodhet nën kontroll
Zoti Olli, si paraqitet situata e zjarreve në jug të vendit?
Kemi pasur disa vatra zjarri të quajtur problematike, sidomos në qarkun e Vlorës, në qarkun e Fierit, në Lushnje e Kavajë. Kanë qenë 10 vatra zjarri, aktive dhe problematike nga të cilat mund të konsiderohen dy vatra problematike: bashkia e Orikumit dhe Grykëderdhja e Semanit ose Komuna e Ndërmenasit, ku sipërfaqja e përfshirë nga zjarri ka qenë pyjore. Gjatë ditës së sotme, (dje) në qarkun e Vlorës situata është normalizuar plotësisht. Nuk kemi asnjë vatër zjarri, po ashtu edhe në Lushnje e Kavajë. Ka qenë akoma aktive vatra e zjarrit në komunën e Ndërmenasit dhe po operohet me një avion të marrë nga shërbimi italian. Ndërsa dje në bashkinë e Orikumit ne kemi përdorur dy helikopterë të shërbimit të emergjencave greke, në operacionin që zgjati pesë orë.
Cilat janë shkaqet e rënies së zjarreve?
Shkak i zjarreve mund të konsiderohet pak temperatura e lartë, e më shumë pakujdesia njerëzore, që në rastet e caktuara mund të përkthehet që bujqit, për shkak të kullotave djegin sipërfaqen, e cila kthehet në rrezik të madh.
Drejtoria e emergjencave civile si po e menaxhon situatën e zjarreve?
Në aspektin e marrjes së masave parandaluese ne kemi angazhuar të gjithë shërbimin e zjarrfikësve të Shqipërisë, marrjen e masave përgatitore dhe përballimin e zjarreve në pyje. Janë tre aspekte që duhen vlerësuar. Së pari shërbimi i zjarrfikësve operon me shërbimin pyjor, me drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit dhe me forcat e armatosura në momentet e caktuara. Për shkak se shumica e pronave private të pyjeve dhe kullotave tashmë kanë kaluar në shërbim të bashkive dhe komunave, pavarësisht kësaj shërbimi i emergjencave civile, koordinon veprimtarinë për t’i angazhuar të tria shërbimet për të përballuar situatën. Masat përgatitore filluan që në muajin maj, duke pasur parasysh eksperiencën e verës së kaluar. Janë shpërndarë letër qarkore për të gjitha prefekturat e qarqeve, të cilat nënkuptonin angazhimin e strukturave përkatëse për marrjen e masave parandaluese. Ne kemi përgatitur marrëveshje dhe kemi gati kontratat me shumë kompani, sepse shërbimi i zjarrfikëses mund të operojë deri në një moment të caktuar, është i limituzuar për shkak të rënies së zjarrit në një terren të thepisur ku zjarrfikësja nuk mund të shkojë.
Jeni përballur me rrezikun e terrenit për të shuar vatrat e zjarrit?
Dje në bashkinë e Orikumit kemi pasur raste edhe të dëmtimit të banesave që kanë qenë të ndërtuara në kodrën e qytetit. Ishin katër banesa të pabanuara ka pasur edhe banesa të banuara, por pa shumë dëme. Në operacionet e shpëtimit janë organizuar 15 zjarrfikëse në Grykëderdhjen e Semanit që ka qenë zona më problematike, aty kemi dërguar zjarrëfikëse nga Tirana, Kavaja Fieri Berati dhe 100 forca të zjarrfikëses, duke bashkëpunuar me policinë e shtetit me forcat e shërbimit pyjor por edhe me forcat e shtabit të përgjithshëm. Në zonat ku nuk mund të shkojë zjarrfikëset janë përdorur helikopterët.
Sipas jush, sa të kujdesshëm janë banorët e zonave përreth vatrave të zjarrit. A kujdeset komuniteti për pyjet?
Ka rol shumë të rëndësishëm komuniteti. Shumica e pronave kanë kaluar në administrim të njësive të pushtetit vendor, dhe këto njësi nuk janë të detyruara për ta shfrytëzuar pyllin, por edhe për ta mbrojtur. Në këtë aspekt, ka vend për përmirësime. Ne kemi porositur të gjithë kryetarët e njësive vendore që të caktojnë vrojtues suplementarë për të njoftuar sa më shpejt për vatra zjarri. Ndërgjegjësimi i rolit të komunitetit është shumë i rëndësishëm.
A e justifikon bujkun të qënit pronar për t’i vënë zjarrin tokës së vet, me të cilën mund të bëjë ç’të dojë?
Këto zjarrvënie janë të paqëllimshme, por që në fund të fundit, ka një pasojë të pashmangshme sepse zjarri përhapet. Kështu që bujqit që nuk justifikohen dhe ndaj tyre do të merren masa, por do të thoja se edhe një pakujdesi njerëzore si hedhja e një bishti cigareje do të kishte pasojë të rëndë.
Penalizimet për zjarrvënësit cilat do jenë?
Kodi penal përcakton masa shumë të ashpra ndaj personave që vënë zjarre me qëllim. Ne vjet kemi pasur një mori zjarresh, një situatë e keqe ka pasur zjarre të natyrave të ndryshme nga temperaturat e larta, nga pakujdesia njerëzore dhe zjarrvënie të qëllimshme. Por këtë vit mendoj që duhet mbajtur një angazhim shumë i fortë nga strukturat e shtetit për njerëzit që vënë zjarre. Zjarrvënësit dënohen me gjobë deri në pesë vjet.
Policia e Vlorës dhe e Fierit arreston personat që akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme
Katër zjarrvënës të moshuar në pranga
Pas angazhimeve për të mbajtur nën kontroll zonat e përfshira nga vatrat e zjarrit, policia nisi hetimet për të identifikuar shkaqet. Hetimet zbuluan se janë katër persona, dy prej të cilëve të moshuar që dyshohen se kanë vënë zjarre në disa prej zonave të shkrumbuara. Dy persona në Vlorë dhe dy në Fier janë arrestuar ditën e djeshme për zjarrëvënie të qëllimshme. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se arrestimi i tyre është bërë për kryerjen e veprës penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr’, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, paragrafi i dytë i të cilit saksionon se kur nga zjarrëvënia janë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim gjer në 10 vjet burg. Kështu Policia e Vlorës çoi në pranga Qerim Çeloaliaj, 72-vjeç, dhe Jorgo Gjikoka, 70- vjeç. Ndërkohë, Policia e Fierit çoi në qeli Fiqiret Murrizin, 48-vjeç dhe Dine Abazajn, 58-vjeç. Ata akuzohen se i kanë vënë zjarrin ngastrave të tyre, ku pasi zjarri ka dalë jashtë kontrollit, është djegur një sipërfaqe toke me 35 rrënjë ullinj si dhe janë rrezikuar disa shtëpi. Abazaj akuzohet se në vendin quajtur Abazaj të fshatit Rriban, Mallakastër, ka djegur një sipërfaqe me pishë prej 12 mijë metrash katrore. Gjithashtu, nga ana e Policisë së Fierit janë dërguar materialet për ndjekje penale në gjendje të lirë, në ngarkim të Punonjësve të Shërbimit Pyjor të Drejtorisë Pyjore Mallakastër për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Këta punonjës, megjithëse ishin njoftuar për zjarrin në fjalë, kanë shkuar dy orë me vonesë në vendin e ngjarjes, duke neglizhuar maksimalisht kryerjen e detyrës nga ana e tyre.