Atentat si në filmat me mafia
20 vjet më parë - Nxjerrë nga libri “Qendërcikloni”, 2002
18 shtator 1981, ora 10.00.
Zë i njohur në telefon. Si të vinte nga VOA (Zëri i Amerikës). Po, ai ishte, Elez Biberaj. Besova se po fliste nga Uashingtoni. Por tha se gjendej në hotel “Dajti”, mes Tiranës.
Me Elezin isha takuar në tri raste.
Së pari, kur pati telefonuar në shtëpi, për një intervistë të drejtpërdrejtë në “Zëri i Amerikës”. Gjatë bisedës ndodhën tri ndërprerje të linjës. Ai, që nga studio, gjithmonë i qetë, rilidhej përsëri, duke thënë: “Të lutem, mos u mërzit. Teknologjia e sofistikuar i ka këto!” Shprehja e tij qe e dykuptimtë, ajo linte të nënkuptohej se nga teknologjitë e sofistikuara nuk është se vijnë probleme teknike më shumë, po me mjete të sofistikuara po përgjojnë intervistimin.
Së dyti, Elezin e pata takuar fizikisht krejt papritur, tek po i ngjiste shkallët e gazetës “Bashkimi”, në zhegun e verës 1991, rreth orës 14.00. U kthyem menjëherë dhe shkuam te Lidhja e Shkrimtarëve, ku kishte nevojë të bënte një takim tjetër.
Së treti, pata kryer një takim në hotel ”Dajti” me amerikanin Marvin Stone, drejtor i International Media Fund. Ai pati nxjerrë bllokun ku kishte shënuar këshillën e Elez Biberajt që, me shtypshkronjën e re me emrin “Demokracia”, të ndihmohej edhe “Bashkimi” si pjesëtar, që ajo gazetë të përfshihej e të mos lihej jashtë pjesëmarrjes. Një ditë më pas u çvendosëm. Aty ftova edhe Mehmet Elezin, i cili merrej me problemet ndërkombëtare në gazetë, pas lënies pa punë, për shkak se në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë mbështeti pluralizmin politik.
-Nëse u japim një shtypshkronjë, - tha amerikani Stone, a do të ndihmoni e bashkëpunoni me gazeta të tjera si “RD”, “Republika”, “Drita”, “Sindikalisti”, “Zëri i Rinisë” e ndonjë tjetër?
-Patjetër, zotëri, të jeni i sigurtë!
Mehmeti ndërhyri menjëherë:
-Zotëri, kur ju, një amerikan, po ndihmoni një shqiptar, ky shqiptar si të mos ndihmojë një shqiptar?
Firmosa i pari për ndërtimin e asaj që më vonë u njoh “Shtypshkronja Demokracia”, në përurimin e së cilës, më 2 shkurt 1993, morën pjesë mjaftë gazetarë, ambasadori amerikan William Rayerson dhe vetë presidenti i Republikës Sali Berisha. Televizioni Shqiptar transmetoi hollësisht për ngjarjen, vlerën e saj 1 milion dollar dhe 7 gazeta bashkëpunuese të “Shtypshkronjës Demokracia”: “RD”, “Republika”, “Alternativa SD”, “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, “Sindikalisti”.
-Dua të të takoj, - tha Elezi përmes telefonit nga kabina e hotel “Dajtit”..- Jam bashkë me gruan dhe do të qëndroj dy javë në Shqipëri. Por, djali i madh na përcolli duke qarë, dhe qan vazhdimisht, sa herë bisedojmë në telefon. Po kërkon kthimin e nënës së vet në Uashington. Gruaja nuk po e përballon më këtë gjëndje. Vendosa ta çoj sot për vizitë në Krujë, të shohë Muzeumin “Gjergj Kastrioti Skënderbej”. Nesër do të kthehet në SHBA.
I thashë të priste në hotel. Të mos merrte taksi. Për ndihmën që ai jepte dhe për rolin e tij në “Zëri i Amerikës”, për demokratizimin në Shqipëri, meritonte ta shoqëroja për në Krujë. Pas vizitës do të hanim edhe drekë atje. Nuk kisha me vete lekët e mjaftueshëm. As Mehmeti, gjithashtu. I thashë Tares së llogarisë, financierit të rregullt. Edhe në arkë nuk u gjetën të holla për përballimin e pak shpenzimeve. E zgjidhëm ndryshe: Mehmeti e kishte shtëpinë afër. Lamë të takoheshim përpara Pallatit të Kulturës. Kurse Astrit Alimehmeti, i njohur më shumë si shoferi Guge, shkoi të furnizohej me benzinë, pasi iu shpjegua se do të shkonim për në Krujë me Elez Biberajn, me bashkëshorten e tij dhe Mehmet Elezin. Ai të vinte përpara “Dajtit”.
Të katër u takuam në hyrje të hollit të hotelit. Pasi biseduam aty, më këmbë, për disa minuta, dolëm përjashtë, duke ecur poshtë e përpjetë trotuarit, në pritje të veturës. Çuditërisht, ajo u vonua shumë - shumë. Ecejaket tona me Elezin, i shpallur në “Zëri i Popullit” “bir i armikut të popullit”, bëheshin në sytë e sigurimsave të hotelit dhe disa fytyrave që i njohnim, por fatalisht i nënvleftësuam, duke besuar në mënyrë të rrejshme dobësimin e tyre.
Më në fund, shoferi mbërriti, me Fiatin e kuq të prodhimit polak. Kadirja u ul përpara. Pas: Elezi në mes, djathtas tij Mehmeti, majtas unë. Shoferi i jepte makinës ngadalë, përgjithësisht ishte ngarës që nuk ecte më shpejt se 70 km në orë. Pasi kaluam Universitetin Bujqësor të Kamzës, dhe vet qytezën me të njëjtin emër, Elezi u ndërmend të pyeste:
-Ku gjendet Mali me Gropa?
Dita qe shumë e kthjellët, me shkëlqim të qartë diellor. Malet shiheshin pastër. Dekori shkëmbor fantastik në të djathtë të udhëtimit, dyshimi në njohuritë e mjaftueshme gjeografike mbi malet dhe lajmi i kombshëm i shumëpërfolur mbi zhdukjen e njerëzve, diku nëpër to, mister dhe frikë edhe për nga emri Mali me Gropa, si varrezë e përbashkët e përmasave të hatashme, duket e bëri Elezin të pyeste asisoj.
-Elez,- i thashë, - ti vjen nga SHBA. Vështro djathtas: nëse planin e parë të masivit që po sheh, e komandojmë me një pult të sofistikuar amerikan, për ta rrasë si në përrallë thellë në dhe, përmasa tjetër që do të shfaqet në plan të dytë, e ka emrin Mali me Gropa.
-Kujdes,- i foli Kadirja shoferit, ndoshta më shumë si profesioniste në ngarjen e makinës. Elezi na kishte thënë se ajo ishte shofere e shkëlqyer, e shpejtë, e sigurtë. A, mos, tërheqja e vëmendjes për kujdes, i doli nisur nga telefonata e përvajshme e ndjellakeqe e djalit? Apo nga përpjekja a e pasuksesshme e tij që të pengonte nisjen e njërit nga prindërit, sepse, siç tregoi Elezi, ai kishte thënë që,”Po të rrëzohet aeroplani, e të vriteni të dy ju, kush do të na mbajë në në Amerikë?!” Ndërkaq, një veturë ngjyrë mente, i qe afruar mjaft afër makinës sonë. Rruga qe krejt e lirë, në të dy kalimet, prandaj nuk kishte kuptim kjo avitje e madhe, gati në prekje. Pastaj ajo u dha frikshëm nga e majta, goditi pothuaj, ndërmjet rrotës së parë dhe derës së shoferit. Më pas asgjë në kujtesë, përveç një rapëllime shurdhuese llamarinash, si ndjesia e shkëputjes nga toka e aeroplanit dhe … Errësirë ferri! Natë e pafundme në sy. Natë e pasosur në kujtesë.
Dikur vonë, besova se, ashtu ishte një nga misteret e përjetimit kur vdekja vjen e, njeriu jep shpirt.
Ftohtësia e lagies së muskujve, vetëtimthi riktheu ndijimet e përmendjes të të qenit gjallë. Mendimi i parë që erdhi, në atë pjesëz kohe, mes jetës dhe vdekjes, ishte: “ A, mos kjo ishte benzinë dhe do të digjemi të gjallë?” Pa mundur për të bërë gjë, se nuk mund të bëhej kurrgjë, prisnim shkëndijën e flakës shkrumbuese. Mirëpo, ftohja e lagies u ngrit edhe më lartë se kofshët. Arriti edhe te fyti, deri te mjekrra, preku te buza e poshtme. “A mos para djegies po ndodhte mbytja?” Po na merrej fryma. Preknim me gishta ku mundnim, për të gjetur hapësirat e xhamave, ose edhe një xhep shëmbjeje, sa për ta çuar kryet më sipër, për pak frymë. Që të pestë lëviznim nëpër ujë shtrënguar si në një kuti sardelesh e shfromuar.
Nga ai lloj kaosi, i pari doli shoferi Guge. Krejt shëndosh e mirë. Vetëm i përbaltur. As vrarë, as gërvishtur. Elez Biberajn e nxorën duke e tërhequr. I lerosur dhe i përgjakur. Dikush e shtriu mbi barin e vjeshtës të rrëpirës së rrugës. E treta u nxor Kadirja, që kullonte zi. I katërti doli Mehmeti. I nxirë dhe i përskuquir. I pesti dola unë, poashtu.
Pranë nesh kaloi me veturën e vet një shofer i panjohur. La punët dhe ktheu rrugë për të na çuar në spital. Mehmeti u ul përpara. Prapa unë dhe Kadirja. Elezi që gjendej në mes, u mbështet në gjoksin tim, kurse këmbët i kishte shtrirë në prehërin e së shoqes. Të gjithë si mos Zot më keq, nga kredhja në ujërat e zeza të kanalit dhe çarjet trupore. Elezi humbi vetëdijen. Nisi të fliste në kllapi duke përmenduar emrin e djalit të madh, çka tregonte se parandjenja e tij ia paskësh pasë lënduar thellë nënvetëdijen, me paralajmërimin për mosnisjen në të njëjtën kohë e të dy prindërve. Kur doli nga përhumbja e u përmend, ndjente dhimbje a shtrëngime. Më fjalët që i vinin më lehtë në anglisht, i tha së shoqes:” Kadire, take my shoes, please!” (Kadire, mi hiq këpucët, të lutem!).
Në oborr të spitalit, te reparti i urgjencës, s’na prekte njeri. As na ndihmonte kush. Vetëm na vështronin ashtu, të përçudnuar siç qemë, me baltë e gjak. U drejtova kah dera për të hyrë brenda. Pas më ndoqi Kadirja. Ajo më kërkoi që të kujdesesha për Elezin, të mos i bëhej asnjë lloj gjilpëre. Dyshonte së tepërmi për keq. Për t’u dalë gjërave përpara, pasi jetët ishin shpëtuar, u lëshua gati me vrap, kur sytë i panë një aparat telefoni diku në kënd. E rroku nxitimthi dorezën copa-copa ngjitur me leokoplast dhe në anglisht njoftoi ambasadën amerikane në Tiranë për gjithçka kishte ngjarë e ku gjendeshim. Nuk kaluan as dhjetë minuta ndoshta dhe, njëherësh me kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, mbërriti me veturën e blinduar CD 23-01 diplomati Christopher Hill. Ai ishte numri dy i misioinit diplomatik në Shqipëri, shtatlartë, rreth të tridhjetave, me syze skeletike të rrumbullakta. Ambasada qe hapur, pas një ndërprerjeje shumtë të gjatë, qysh nga viti 1946. Atëherë SHBA e patën mbyllur ambasdaën e tyre këtu, një veprim proteste ndaj vijës komuniste të Enver Hoxhës. Diplomati Hill do të bëhej një nga figurat kryesore të marrëdhënieve shqiptaro - amerikane edhe në nivel rajonal, deri në pjesëmarrjen e tij në Dejton, si bashkëpunëtor i ngushtë i Richard Hollbrook, një aktor politik i vendosjes së kontakteve të Uashingtonit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pjesëmarrës gjithashtu edhe në përpjekjet më të fundit, për të bindur Sllobodan Millosheviç që të tërhiqej nga Kosova.
Të dy, Berisha dhe Hill u afruan te krevati ku qe shtrirë Elezi. Pasi biseduan me mjektët që mbërritën, edhe ata në ato çaste, Elezin e shtrinë mbi një shtrat të lëvizshëm dhe e zhvendosën për në tjetër dhomë. Mjekët vërejtën se ai kishte fraktura në këmbë. Kurse ne të dy, Mehmetin dhe mua, na lanë “prapa listës” së Lipe Shtogut. Infermierët shkumëzuan ca ujë të oksigjenuar nëpër plagë dhe “marsh nëpër shtëpia”. Mehmeti qëlloi më fatlumë: xhaxhai i gruas, një kirurg i zoti i Spitalit Ushtarak, e mjekoi në shtëpi siç duhet. Kjo e shpëtoi nga një infeksion i tmerrshëm. Ndërsa mua askush. Pas 11 ditësh përfundova në spitalin e sëmundjeve infektive më temperaturtë 40 gradë, që nuk binte prej 5 ditësh. Në kanal, nga ujërat e pista, përmes plagëve dhe gjakut, isha infektuar me sëmundjen e llahtarshme të leptospirozës. Përsëdyti në prag të vdekjes, si unë në Tiranë dhe Kadirja në Uashington. Madje edhe në të njëjtin çast kohor, çka lidhej me peridhën e inkubacionit të mikrobit të leptospirozës. Edhe ajo, duke pasur plagë më të lehta, nuk kishte marrë kurrfarë mjekimi. Duke qenë një sëmundje e harruar në SHBA, gjendja e saj septike ishte përkeqësuar deri në skaj, sa që mjeku amerikano - korean i kishte komunikuar familjes së saj të përgatiteshin se ajo do të vdiste. Berisha, pasi mësoi llojin e mjekimit që më kryhej mua këtu, i bëri të ditur Elezit se si duhej të kurohej edhe gruaja e tij atje, që vuante nga e njëjta gjë.
Elez Biberajn, pas ndihmës së parë, e morën nga Spitali nr. 2 dhe e rregulluan në një dhomë në hotel “Dajti” bashkë me gruan, të ruajtur nga amerikanët. Përpara se ta transportonin për mjekim në spitalin ushtarak amerikan në Gjermani, Elezi më telefoi në shtëpi, duke thënë vetëm kaq:
-Të kërkoj të faluar për çka ndodhi!
Qartësisht kjo kishte këtë kuptim: Sigurimi kishte synuar Elezin, natyrisht.
Radiotelevizioni Shqiptar transmetoi në mbrëmje një lajm të pështirë, duke bërë fajtor makinën e kryeredaktorit të “Bashkimit”. Menjëherë mora në telefon drejtorin e përgjithshëm të RTSH, Fatmir Kumbaro, të cilit i thashë se lajmi ishte i pavërtetë, merrte përgjegjësinë e dhënies së drejtësisë dhe vazhdonte shërbimin e Sigurimit të Shtetit në ekran. Diktova një artikull. I thashë Mehmetit, nëse ishte dakort me përmbajtjen dhe të vinte emrin. Të nesërmen, më 19 shtator, firmosur nga të dy, u botua me titull “Atentat si në filmat me mafia”.
Ngjarjen tragjike, të 18 shtatorit 1991, drejtësia e mbylli për pesë ditë. Më 24 shtator, “Zëri i Popullit” publikoi njoftimin e Hetuesisë së Përgjithshme. Vërteni çfarë hetimi: viktimat emërtohen nga Hertuesia “dëshmitarët Mehmet Elezi e Qemal Sakajeva”.
Viktimat u lanë jashtë pyetjes dhe vëmendjes. Automjetet nuk u anlizuan. Vendi i ngjarjes nuk u këqyr, për nxjerrjen e përfundimit. Prof. Dr. Aleks Luarasi i cilësoi hetimet dhe përfundimet të njënanshme
Thanë se e kapën shoferin (Nëse?!).
“Zëri i Popullit”, në letën anonime, të botuar në nëntor 1990 kundër Elez Biberajt shkruante, “Ç’mund të presësh nga i biri i diversantit?”, ndërsa intelektualët që i jepnin atij intervista në VOA, i quante qorra.