Votimi në Kuvendin e Shqipërisë do jetë i hapur, ashtu si në Kongresin amerikan

Amendamentet e PS për rregulloren e Kuvendit, reagon kryeparlamentarja Jozefina Topalli: Në parlament, po i kthejmë dinjitetin përgjegjësisë së votimit.
Kongresmenët amerikanë: “Impresionuese dinamika e reformave të Shqipërisë, veçanërisht progresi ekonomik”
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka dhënë përgjigje propozimit të opozitës, për ndryshimet në rregullore, ku ndër të tjera kërkohet votimi i fshehtë për dekretet e Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë, apo Gjykatën Kushtetuese. Në takimin që Topalli pati me zyrtarë të lartë të Kongresit Amerikan Berri Xhekson dhe Xhen Stjuart, këta të fundit ndërsa kanë folur për procedurat parlamentare në Kongresin Amerikan, kanë theksuar se është shumë e rëndësishme që vota të jetë e hapur. Në këtë drejtim, kryeparlamentarja Topalli ka deklaruar se kjo është një mundësi tjetër për të përmirësuar dhe sofistikuar edhe jetën parlamentare në Shqipëri. “Në Kongresin amerikan nuk imagjinohet që të votohet në mënyrë të fshehtë sepse deputetët duhet të tregojnë përgjegjësi përballë qytetarëve që e kanë zgjedhur. Jo vetëm që gjykatësit zgjidhen në mënyrë të hapur dhe transparente dhe kurrë me votë të fshehtë, por edhe kryetari i parlamentit zgjidhet me votë nominale. Nëse kemi bërë një ndryshim, ai është një ndryshim që ka një standard të lartë, qoftë për emërimin në mënyrë transparente ashtu siç bëhet në senatin Amerikan, po ashtu dhe për faktin që çështjet jashtë rendit të ditës nuk mund të jenë më prioritare se kalendari i axhendës së reformave që i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Topalli. Gjatë bisedës me kryeparlamentaren Topalli, Xhekson dhe Stjuart, shprehën gatishmërinë për të pritur një grup të vogël deputetësh shqiptarë, për të parë si funksionon Kongresi Amerikan, procedurat parlamentare, sesa transparente janë ato dhe sesa e rëndësishme është që vota të jetë e hapur në të gjithë jetën legjislative. Kjo ishte fryma e takimit që kryetarja e Kuvendit Topalli, pati me kryetarin e Kongresit Amerikan Xhon Bener, me të cilin pati një bisedë të shkurtër gjatë punimeve të Forumit Parlamentar për Demokraci. Në Uashington kryeparlamentarja Jozefina Topalli u prit në takim nga Zëvendës Ndihmëssekretari amerikan i shtetit Filip Riker, një njohës i mirë i çështjes shqiptare në veçanti dhe i çështjeve ballkanike në tërësi. Riker vlerësoi ecurinë dinamike të reformave dhe nga pikëpamja ekonomike e cilësoi vendin tonë, model të vërtetë suksesi në rajon dhe më gjerë. I njëjti vlerësim iu dha zonjës Topalli edhe nga kongresmeni Elliot Engel dhe Jean Schmidt. Kongresmeni vlerësoi se Shqipëria ka befasuar me ecurinë e reformave dhe paraqet një demokraci funksionale. Kryeparlamentarja Topalli vlerësoi kontributin e kongresmenit Engell në mbështetje të demokracisë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në Pavarësinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës. Sipas kongresmenit Engell, Shqipëria ka bërë një ndryshim radikal, shumë më tepër se çdo vend tjetër në rajon. “Unë mbetem një mbështetës i palëkundur i Shqipërisë dhe Kosovës. Dyert e mia do të jenë gjithnjë të hapura për shqiptarët”, theksoi Engell.
...