“Bashkia ka nisur të bëjë realitet premtimet, të gjithë banorët e Tiranës janë përfitues”

Nënkryetarja e bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku, zbulon planin e punës për 100 ditët e para
Jorida Tabaku, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, ka zbuluar dje në një intervistë televizive, planin e punës për 100 ditët e para. Duke pasur në vëmendje premtimet e bëra në fushatën elektorale, Tabaku zbulon se ato mbeten në qendër të vëmendjes, duke mos përjashtuar edhe mundësinë për zhvillimin në perspektivë të kryeqytetit.
Duke zbuluar disa prej përqendrimeve të punës intensive në bashkinë e Tiranës, nënkryetarja bën të ditur se po punohet: për reformën e decentralizimit ku përfituese do të jenë njësitë e Minibashkive; në lehtësimin e kushteve dhe barrës fiskale për biznesin; në zvogëlimin e numrit dhe vlerës së taksave lokale; në sistemimin kryeqytetit, nëpërmjet prishjes së ndërtimeve pa leje nga njëra anë dhe punëve publike, në bazë edhe një plani urbanistik të pritshëm për tu hartuar, nga ana tjetër; në çështjet e mjedisit; në çështjen e të rinjve; për zgjidhjen e problemit të hipotekimit të apartamenteve, etj..., etj...
Në realizmin e gjithë këtyre projekteve, nënkryetarja Jorida Tabaku nuk i fsheh marrëdhëniet e mira që bashkia dhe Kryebashkiaku i saj Lulzim Basha po ndërton me institucionet ndërkombëtare, përfaqësuesit e të cilave kanë shprehur gatishmërinë, për tu bërë pjesë e financimeve të këtyre projekteve...
Jemi në javët e para dhe normalisht Bashkia e re e Tiranës ka nisur nga puna. Është koha e realizimit të premtimeve të mëdha të një fushate të fortë dhe të vështirë elektorale. Ka filluar puna për të gjitha premtimet e bëra për Kryeqytetin shqiptarë apo është bërë ndonjë lloj selektimi tashmë i prioriteteve dhe janë hedhur hapat e parë?
Ka filluar puna intensivisht, sigurisht pas përfundimit të fushatës kemi filluar që të marrim një nga një premtimet që u bënë, duke pasur parasysh edhe planin e punës për 100 ditët e para i cili është kryesisht në fakt në fazë programimi tani. Por të gjitha premtimet që ne kemi dhënë gjatë fushatës kemi filluar një nga një ti realizojmë... Ne filluam që në javën e parë me reformën e decentralizimit të disa kompetencave dhe përgjegjësive nga Bashkia për Njësitë Bashkiake. Tashmë kemi një draft të parë të kësaj reforme të cilën javën tjetër do ta konsultojmë edhe me partnerët të cilët janë të interesuar. Kjo reformë do të zhvillohet në tre faza të ndryshme, do të filloi me shfrytëzimin e të gjitha mundësive që ofron legjislacioni aktual, ligji i cili përcakton kompetencat e Njësive Bashkiake. Më pas gjatë fazës së dytë në periudhën afatmesme në do ti propozojmë Këshillit Bashkiak disa ndryshime dhe ndërkohë në qoftë se do ekzistojë vullneti i kolegëve socialistë në parlament ndoshta mund të bëhen edhe ndryshime në ligjin përkatës që rregullon kompetencat e Njësive Bashkiake duke qenë se është një ligj organik.
Pritet në këtë draft të ri të ketë një funksionim më të mirë të qeverisjes vendore në Tiranë?
Do të ketë disa kompetenca që do të delegohen, kompetenca që normalisht i takojnë Njësive Bashkiake, por nuk janë shfrytëzuar akoma. Këto kompetenca do të bëjnë që Njësitë Bashkiake të jenë më afër qytetarëve, do të rrisin transparencën, por nga ana tjetër do të vendosin qytetarin pranë shërbimeve që i takojnë në komunitete, në kuartilje, në njësi banimi. Duke qenë se Bashkia e Tiranës sigurisht që nuk mund të ofrojë shërbime për çdo qytetarë, duke pasur parasysh se ka disa të zgjedhur lokal që përfaqësojnë Minibashkitë, njësitë më të vogla Bashkiake.
Megjithatë Bashkia e Tiranës ka nxjerrë prioritete shumë herë më të mëdha se sa vetëm kaq. Është premtuar lehtësim i madh për biznesin kryeqytetas, kujtojmë raportet më të fundit pjesa më e madhe e bizneseve është e përqendruar në kryeqytet çka do të thotë në një farë mënyre ndikim i drejtpërdrejt në ekonominë shqiptare. Çfarë do të ndodh me këtë reformë të re?
Kjo është një reformë e cila ka filluar dhe po ndërmerret nga Bashkia e Tiranës është një punë shumë e rëndësishme po të kemi parasysh se është më e lehtë të bësh një biznes në Shkodër, Korçë, Vlorë se sa në Tiranë. Menjëherë me marrjen e detyrës ekipi i ri ka filluar që të analizojë të gjithë situatën dhe po fokusohemi në tre shtylla kryesore. Shtylla e parë është reforma rregullatore. Ne po analizojmë të gjitha lejet dhe licencat që jepen në nivel lokal, lejet dhe licencat që për momentin janë rreth 50 në numër dhe që fatkeqësisht kanë disa procedura shumë komplekse. Faza parë po përqendrohet në lehtësimin e procedurave, në reduktimin e numrit të ditëve që një biznes duhet për të marrë një leje apo licencë për një biznes të caktuar. Për shembull për marrjen e një licence për ushtrimin e shërbimit të taksive në qytetin e Tiranës duhen rreth 40 ditë dhe kushton rreth 33 mijë lek të reja. Fokusi i këtij grupi të punës është realizimi i reformës rregullatore në reduktimin e lejeve dhe licencave nga njëra anë dhe nga ana tjetër thjeshtëzimi i procedurave. Pas përfundimit të kësaj reforme e cila besoj se do të mbyllet brenda këtij viti me efekt që prej janarit e vitit të ardhshëm ne synojmë që çdo konsumatorë, çdo biznes, çdo qytetarë që do ti drejtohet Bashkisë Tiranë do të ketë procedura më të lehta për të aplikuar për leje dhe për licenca nga njëra anë dhe nga ana tjetër do të ketë transparencë më të madhe. Kjo lidhet me grupin e dytë të reformave që po ndërmarrim, çdo gjë do të jetë on-line. Krijimi i një “one top shop” i cili do të eliminojë këto procedura dhe burokraci nga njëra anë dhe nga ana tjetër rritja e transparencës ku ne si qytetarë, por edhe bizneset në çdo moment mund të gjurmojnë se ku ndodhet procedura për të cilën ato kanë aplikuar pranë Bashkisë së Tiranës. Kjo po shoqërohet me rishikimin e paketës fiskale. Këto tre fusha kryesore synojnë që të reduktojnë barrierat e të bërit biznes në Tiranë, të lehtësojnë shërbimet që Bashkia Tiranë ofron nga njëra anë, por nga ana tjetër synojmë të përmirësojmë eficencën e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ndaj të tretëve.
Në momentin që qeveria shqiptare në vitet e fundit tenton të ulë barrën e taksave, pra barrën fiskale, qeverisja vendore deri më dje të paktën në kryeqytetin shqiptarë numëronte të paktën 60 taksa dhe tarifa. Ka ardhur koha të mbahen premtimet edhe në këtë drejtim?
Është e vërtetë janë rreth 60 taksa dhe tarifa të cilat konsideroheshin si të nevojshme si të domosdoshme, por mbas një analize që ne po bëjmë gjykojmë se shumë nga këto tarifa nuk janë të nevojshme shumë nga këto tarifa do të reduktohen, disa prej këtyre tarifave do të eliminohen fare dhe për një pjesë të tarifave për të cilat Bashkia ka një kosto të caktuar, atëherë qytetari, biznesi, konsumatori do të paguaj vetëm koston e shërbimit. Dhe në këtë rast ne kemi një strategji me tre faza, kemi filluar rishikimin e paketës fiskale që synon si reduktimin e numrit nga 60 premtimi ka qenë në 20 në fund të katërvjeçarit të mandatit të parë të kryebashkiakut Basha dhe njëkohësisht reduktimin e një pjesë të këtyre taksave dhe tarifave. Një pjesë e madhe e tarifave do të eliminohen duke qenë se ne besojmë se qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të marrin shërbime nga Bashkia në rast se janë taksapagues të rregullt të qytetit të Tiranës nga njëra anë dhe nga ana tjetër do të përpiqemi të reduktojmë barrën fiskale për të gjithë bizneset e vogla për të gjithë qytetarët. Duke u përpjekur të reduktojmë taksat ne do përpiqemi të zgjerojmë bazën, një strategji e cila ka qenë shumë efektive në nivel qendror, strategji e cila ka synuar të reduktojë informalitetin. Pikërisht kjo është synimi kryesor, zgjerimi i bazës do të krijojë mundësi që shumë biznese që ndoshta kanë operuar në mënyrë informale të fillojnë e të paguajnë taksat dhe të vendosen në rrugën e formalitetit.
Policia Bashkia ka nisur aksionet për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe po çliron hapësirat publike. Këto po bëhen sipas një plani të mirëfilltë?
Sigurisht që ekziston një plan pune. Policia Bashkiake po punon intensivisht për të liruar hapësirat publike që në shumë raste janë uzurpuar nga biznese, individë etj. Ekipi që po punon në Policinë Bashkiake po synon të rrisë balancën për të rritur hapësirat publike. Nuk do të ketë më në Tiranë hapësira të zëna nga bizneset dhe do të përpiqemi që këto hapësira publike të shfrytëzohen si hapësira rekreative në funksion të qytetarëve. Sigurisht që ekziston një plan pune dhe çdo gjë që po bën Policia Bashkiake është për të vendosur rregullin në Tiranë, për të pasur një qytet më të qetë dhe për të ndihmuar Bashkinë e Tiranës në disa projekte madhore.
Nëse shikojmë premtimet e kryebashkiakut aktual Lulzim Basha, si ndërtimi i unazës së madhe, e cila do të shërbejë për çlirimin e trafikut..., po një premtim ka qenë ndërhyrja në çdo lagje. A po punohet në çdo lagje?
Pikërisht ka nisur puna lagje më lagje. Ju besoj se e keni ndjekur procesin e hartimit të planit të ri urbanistik të Tiranës. Sigurisht puna do të fillojë me nevoja e komuniteteve për nevojat e infrastrukturës dhe do të jetë një dokument politikash që do të vlejë për 5, 10 apo 50 vitet e ardhshme. Do të përfshihen edhe disa projekte madhore si Tranvai i Tiranës, zgjerimi i bulevardit, projekte që po punohet intensivisht. Një fushë tjetër do të jetë zona rekreative pranë lumit të Tiranës për një zonë të harruar të qytetit e cila do të shërbejë për gjallërimin e lagjeve dhe zonave. Besoj se i keni ndjekur takimet e Kryebashkiakut Basha me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe përfaqësuesit e BE-së në Tiranë dhe pikërisht fokusi ka qenë ky, për krijimin e hapësirave të gjelbra për lagjet si pjesë e një strategjie që ka Bashkia për të gjallëruar jetën në kryeqytet. Brenda këtij viti do të lançohet tenderi për tranvain dhe për zgjerimin e Bulevardit të Tiranës.
Të rinjtë kanë qenë pjesë e premtimeve të Kryebashkiakut Basha. Çfarë po bëhet për ta?
Kanë qenë prioritet dhe do të jenë prioritet. Bashkia e Tiranës do të fillojë që në janar në vitit të ardhshëm, një praktikë pune me të rinjtë. Do të vendosen disa marrëdhënie komunikimi dhe bashkëpunimi që ka të bëjë me zhvillimin e karrierës, zhvillimin profesional të tyre dhe me krijimin e mundësive reale të tyre për punësimin, për lidhjen e tyre me bizneset, sektorin publik dhe stimulimin e sipërmarrjes për të rinjtë që sapo mbarojnë universitetin. Do të ketë një fond të ri nga Bashkia e Tiranës për stimulimin e bizneset e reja. Do të krijohet një data baze për të gjitha nevojat që ka tregu dhe profilet e të rinjve të diplomuar, për të ndihmuar ata të integrohen në tregun e punës.
Kryeministri ka pasur si kryefjalë ditët e fundit pastrimin e vendit. A do të ketë ndonjë projekt të mirëfilltë për këtë edhe për kryeqytetin?
Nuk ka, por do të ketë. Besoj se po i shikoni ndryshimet për ditë pasi të gjitha institucionet në varësi të Bashkisë po përpiqen maksimalisht që qyteti të jetë më i pastër. Sigurisht që ka disa vështirësi po ndryshimi do të vijë shumë shpejt. Ne po hartojmë edhe plane tematike dhe një fushë është edhe mjedisi. Ofrimi i opsioneve për mbetjet, për mënyrën se si do të menaxhohen në qytetin e Tiranës etj. Plani i ri urbanistik do të ofrojë zgjidhjen afatgjatë për situatën ku ndodhet qyteti sot.
Një çështje është edhe respektimi i pronës private. Çfarë po bëhet me hipotekat?
Ekziston një grup pune që po punon intensivisht që në ditët e para që filluam punë. Besoj se në ditët në vijim ne do të japim më shumë informacion se si do të procedohet. Ky ishte një nga premtimet kryesore të Kryebashkiakut Basha dhe qytetarët do të shohin se si do të bëhen realitet. Mënyra se si do të zgjidhet kjo çështje do të jetë objekt i diskutimeve më shumë partnerë në vijim.
Keni pasur takime me bankën Botërore, Bashkimin Europian. A ka tratativa të tjera për të thithur fonde, kredi të buta etj për të mbështetur projektet tuaja?
Të gjitha këto projekte kërkojnë financim. Kryebashkiaku Basha ka nisur takime intensive me të gjithë partnerët ndërkombëtarë duke prezantuar projekte. Është rëndësia e projekteve që ato janë bërë kaq atraktivë për donatorët. Ju përmendët bankën Botërore Bashkimin Europian por është edhe KFW për sistemin e ujësjellës kanalizimeve në qytetin e Tiranës. Sigurisht që janë edhe bizneset e huaja të cilat do të kenë mundësi së shpejti për të pasur mundësi reale investimi për ta. Jemi në një fazë analize dhe fokusi kryesore është se si Tirana të bëhet tërheqëse jo vetëm për donacionet por edhe për investimet e tjera.
Marrë me shkurtime nga TV “ABC News”