Atentati me 3 viktima në Fushë-Krujë, opozita: Provë se shteti i është dorëzuar bandave

Atentati në Fushë Krujë ku mbetën të vrarë 3 persona ka sjellë reagimin e opozitës, e cila thekson se ngjarje të tilla tregojnë se shteti është i dobët para krimit dhe se banda lëvizin lirshëm pasi nuk ndjejë forcën e ligjit.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj thotë se bandat sfidojnë hapur policinë, ndërsa jeta e qytetarëve nuk ka qenë kurrë më e pasigurt se sot.
“Vrasja e trefishtë në mes të rrugës nacionale në Fushë-Krujë, është prova e radhës se shteti i është dorëzuar krimit dhe bandave të cilat janë sponsorizueset më të mëdha të pushtetit të Rilindjes që me armë e para të pista blenë e grabitën votat e shqiptarëve. Asnjë justifikim i asnjë ministri nuk vlen sot përballë pasigurisë së jetës së shqiptarëve. Bandat sot sfidojnë haptas atë që mund të konsiderohet shtet, nuk njohin pushtetin e policisë duke e shndërruar Shqipërinë një vend nën pushtetin e terrorit kriminal. Shqiptarët e kanë të qartë se kjo qeveri jo vetëm është përgjegjëse për llumin kriminal ku është zhytur vendi, sikundër segmente të saj janë bashkëpunëtore të afërta me bandat kriminale. Pas çdo skandali të kësaj qeverie fshihet një bandit që është pasuruar me fonde publike. Pas çdo procesi elektoral fshihen banda që kanë blerë vota për llogari të Edi Ramës. Kjo situatë e rënduar por dhe e denoncuar rast pas rasti nga PD kërkon hetim të plotë dhe të thelluar të çdo krimi si i sotmi. Nuk duhet shumë për të kuptuar se tentakulat e pushtetit janë sot të shtrira në çdo ngjarje kriminale. Sikundër largimi i Edi Ramës që erdhi në pushtet dhe e mban atë me bandat është rruga e vetme për të shpëtuar shqiptarët dhe Shqipërinë nga kriminalizimi”, shkruan Alibeaj në facebook.
Edhe deputeti demokrat Ervin Salianji i cili thotë se ortakëria e qeverisë me krimin po sjell pasoja çdo ditë.
“Krimi po godet brutalisht dhe kudo, pa pasur frikë, duke dhënë mesazhe dhe duke eliminuar cilindo që vendosin si target! Në mes të ditës, në një prej rrugëve kombëtare me më shumë lëvizje dhe në ditën më të ngarkuar! Ngjarjet janë të përsëritura dhe po krijojnë panik dhe ankth tek qytetarët! Partneriteti dhe ortakëria e qeverisë me krimin po sjell pasoja çdo ditë, kriminelët dhe banditët duhet të ndjejnë forcën më të ashpër të ligjit, shtypja e krimit të organizuar duhet të bëhet pa mëshirë, fokusi duhet të vendoset tek banditët jo tek të dobëtit! Punonjësit e thjeshtë të policisë kanë nevojë për mbështetje dhe vullnet, ne jemi me ta!”, shkruan Salianji në facebook.
Gjatë ditës së sotme Besmir Hoxha, Brilant Martini dhe Diklen Vata humbën jetën pasi një prite me armë zjarri u ishte bërë në Fushë Krujë, gjatë kohës që po udhëtonin me mjetin e tyre tip “Volswagen Passat”. Ndaj tyre u qëllua me armë zjarri dhe për pasojë makina ka shpërthyer në flakë dhe janë djegur në automjet Besmir Hoxha, Brilant Martini, ndërsa Diklen Vata ka dalë nga makina por u qëllua për vdekje nga autorët.
/rtsh.al/