E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nënshkrimi i Protokollit Bilateral Sofje-Shkup, Varhelyi: I hap rrugë mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi ka përshëndetur Protokollin Bilateral të nënshkruar këtë të diel mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me një postim në Twitter, Varhelyi shkruan se kjo i hap rrugën Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Përshëndes Protokollin Bilateral të nënshkruar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo i hap rrugën Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në. Evropa ecën përpara! Së bashku më të fortë”, shkruan ai.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, nënshkruan këtë të dielën në Sofje protokollin që parasheh procedurat dhe dinamikën e kapërcimit të dallimeve mes tyre, që janë pjesë e propozimit francez.

Me nënshkrimin e këtij protokolli, hapet rruga për mbajtjen e konferencës së parë politike ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›