E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati me eksploziv ndaj kryepolicit, porosi nga burgu

TIRANE – Policia vijon hetimet intensive për atentatin me eksploziv në banesën e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça. Burime zyrtare bëjnë të ditur se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet për këtë ngjarje është ajo për shkak të detyrës.

Nga ana tjetër, burime të rezervuara bëjnë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se atentati ndaj Muçës dyshohet të jetë porositur nga burgu.
Mbi 20 persona janë shoqëruar në polici për këtë ngjarje, por këto dyshime pritet të verifikohen në ditët në vijim, ku njëkohësisht pritet të dalë dhe identikiti i autorit.
NGJARJA
Atentati me lëndë shpërthyese ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në banesën e zv/drejtorit të policisë së Tiranës, ku fatmirësisht nuk ka shkaktuar asnjë të lënduar por vetëm dëme të shumta materiale.

Kamerat e sigurisë të vendosura në hyrje të pallatit dhe në derën e shtëpisë ku banonte Dorian Muça, kanë arritur të fiksojnë të gjithë momentin e ngjarjes dhe autorin e saj. Pamjet në fjalë janë duke u verifikuar nga ekspertët më të mirë, të cilët janë duke krijuar dhe identikitin e autorit, i cili në pamjet e filmuara shfaqet me kokën e ulur, duke ju shmangur në këtë mënyrë kameras.

Mësohet se sasia e lëndës plasëse ka qenë rreth 400 gram tritol, që është ndezur me anë të një fitili, të cilit i janë dashur 6 minuta për të shpërthyer nga momenti i ndezjes.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›