E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati ndaj biznesmenit te lokaleve

Një 35-vjeçar i ka shpëtuar paq një atentati ndërsa drejt tij janë zbrazur të paktën 15 fishekë të një pistolete automatike e ngjashme me tipin “Skorpions”.

Eduart Boriçi, me origjinë nga Dibra, pronar i një lokali luksoz pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak.

Mjekët shprehen se gjendja e tij është në parametrat jetësore ndërsa ishin optimist për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të 35-vjeçarit.

Boriçi, është pritur në momentin që ka mbyllur makinën në parking dhe kthehej në banesë, në zonën e njohur si kodra e diellit. 

Ora shënonte 1 pas mesnate duke u gdhirë dita e enjte, kur të paktën një person ka hapur zjarr me armën automatike ndaj 35-vjecarit.

Policia dyshon se autori nuk ka qenë vrasës profesionist, pasi plumbat kanë patur një rreze të gjerë përhapjeje.

Policia shoqëroi disa persona që janë gjetur pranë vendit të ngjarjes pasi dyshohet të kenë parë skenën e krimit apo largimin e autorit. 

Ndërkaq pritej konfirmimi i mjekut për të marrë në pyetje vetë Boriçin. Dëshmia e këtij të fundit konsideriohet me interes për hetimin rreth të dyshuarve për ngjarjen. 

Ndërkaq janë marrë në pyetje familjarë dhe miq të të Boriçit rreth konflikteve apo hasmërive të mundshme të tij. Gjithsesi burimet policore nuk konfirmonin të kishin një pistë apo person konkret në hetim për ngjarjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›