Basha Shtresat ne nevoje prioritet i Bashkise se Tiranes
Kështu, Këshilli Bashkiak ka votuar në unanimitet të 8 projektvendimet e parashtruar në mbledhjen e tij të radhës. Në këtë mbledhje u miratua lista e 409 familjeve që përfitojnë nga projekti për subvecionimin e interesave të kredisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha nënvizoi se sot na jepet mundësia që të përparësojmë një nga objektivat kryesore të Bashkisë së Tiranës, që është kujdesi për shtresat e paprivilegjuara, për shtresat në nevojë, shtresa sociale që përfitojnë nga kreditë e buta të akorduara nga qeveria shqiptare për pushtetin vendor, për të përmirësuar situatën e tyre të strehimit. Zoti Basha shprehu vendosmërinë për të vijuar procesin e evidentimin e të tjerave familjeve të cilat plotësojnë kushtet për të përfituar nga projekti për subvecionimin e interesave të kredisë për të plotësuar kuotën e vendosur nga qeveria dhe për t’ia paraqitur për vendimarrje këshillit brenda këtij viti.
“Shumë prej të interesuarve në takimet e përjavshme me ta apo në mënyrat e tjera të komunikimit, kanë kërkuar që procesi të përshpejtohej por është një proces i cili është zhvilluar në transparencë të plotë me grupet e interesit. Ne komisionin për shqyrtimin e kërkesave për kredi të buta për strehim, për herë të parë ne kemi përfshirë përfaqësues të kategorive në nevojë, të cilët kanë qënë pjesë jo vetëm e konsultimit por edhe vendimarrjes, duke përfaqësur në këtë proces kategoritë e veçanta dhe duke sjellë në këtë proces zërin e këtyre kategorive. Ne këtë vendimarrje janë përfshirë edhe përfaqësuesit e shoqatës të qytetarëve me aftësi të kufizuara, të jetimëve, të përdjekurve politikë si dhe përfaqësues të komunitetit rom. Janë gjithsej 409 familje të kryqytetit, të Tiranës të cilat përfaqësojnë shtresat më në nevojë të cilët përbushin kushtet e parashtruara nga ne dhe nga ligji do të përfitojnë nga këto kredi të buta të akurduara nga qeveria për pushtetin vendor anë e mbanë vendit, e në këtë rast Bashkisë së Tiranës. Gjej rastin të theksoj se kjo nuk ezauron mundësinë e Bashkisë së Tiranës për të mbështuetur me këtë politikë familje të tjera në nevojë në Tiranë. Procesi vazhdon”, vuri në dukje Basha.
Madje, ndalur në këtë çështje, kryebashkiaku bëri me dije se “ne do të vijmë sërish para këtij këshilli në një kohë jo të largët brenda këtij viti me një listë tjetër në mënyrë që kuota, e akorduar Tiranës për të lehtësuar këtë problem shoqëror nëpërmjet dhënies së kredive të buta, të përdoret tërësisht dhe sa më shumë qytetarë të Tiranës të përfitojnë nga ky instrument lehtësues për kushtet e tyre”.
Këshilli Bashkiak vendosi edhe miratimin e përfundimit të proçedurave të privatizimit të banesave për 74 familje, të cilat kanë mbetur pa u rregjistruar në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për lidhjen e kontratave para noterit.
“Bëhet fjalë për një numër jo të vogël familjesh, 74 familje do të përfitojnë nga kjo masë dhe do të jenë në gjendje që përkundrejt pagesave simbolike të bëhen pronarë të ligjshëm të banesave ku kanë jetuar prej kohësh. Ky vendim nuk ezauron të gjithë problematikën, ka një pjesë jo të vogël të komunitetit i cili përsëri mund dhe duhet dhe sa më takon mua, do të përfitojë nga përfundimi i procesit të privatizimit që kanë mbetuar pa u privatizuar. Ata nuk janë jashtë vëmëndjes sonë përkundrazi shqetësimi i tyre është dëgjuar dhe ne kemi hedhur hapat e para në kontakt me qeverinë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore apo të akteve nënligjore që do të bëjnë të mundur që ne të vijmë sërish para këtij këshilli me një kategori tjetër qytetarësh që po kështu banojnë në banesa prej kohësh por nuk janë pronarë të tyre. Por mendoj se vendimi i sotëm tregon se ne jemi seriozë dhe të ndjeshëm ndaj këtyre problemeve dhe se Bashkia dhe Këshilli Bashkiak nuk do të ngurrojë të marrë kohën e nevojshme të mbyllë këto çështje që kanë mbetur të hapura prej shumë kohës, vitesh apo dekadash”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Basha.
Ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës elektorale, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka paraqitur para Këshillit Bashkiak propozimin për krijimin e Galerisë së Artit Bashkëkohor, “Tirana Art Gallery” e cila mori votat e të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak.
“Hapja e kësaj gallerie do të mundësojë ekspozimin e veprave të artistëve vendas dhe të huaj në veçanti të të rinjve, do të bëjë promovimin e tyre dhe të veprave të tyre nëpëmrjet publikimit në mënyrë periodike dhe nëpërmjet përdorimit të internetit dhe komunikimit elektronik. Organizimin e forumeve dhe debateve të hapura, përfshirjen e qytetarëve mbi problematikat të ndryshme të artit por jo vetëm dhe kthimin e kësaj hapësire në në një pikë referimi në Tiranë. Programe edukuese për mosha të ndryshme si dhe leksione të hapura mbi artin, historinë e artit shqiptar por jo vetëm. Të cilat do të ndihmojnë qytetarët në përpjekjen e tyre për të asimiluar më shumë art dhe për të kuptuar gjuhën e artit, më veçanti atij pamor. Krijimin e një baze të dhënash të artistëve shqiptarë dhe integrimin e tyre në rrjetin e aktiviteteve ndërkombëtarë të artit bashkëkohor dhe krijimin e mundësisë për ekspozimin e veprave të tyre. Po kështu do të jetë një institucion që do të mund të ftojë artistë të huaj që të eskpozojë veprat e tyre në Tiranë duke krijuar një komunikim të rëndësishëm në fushën e artit. Kjo nuk do të thotë që galleria do të kufizohet tek arti pamor por edhe fusha të tjera si muzika, letësria, aktitektura, kolekionistët shqiptarë do të gjenë në këtë institucion një instrument më shumë me energji më të madhe e positive në fushat e tyre të krijimtarisë apo të shijimit të arteve në qytetin tonë. Organizimi i këtij aktiviteti do të jetë përgjegjësi e bashkisë. Nga forndet e aparateve të Bashkisë do të financohet i gjithë aparati i kësaj galerie, prej 4 punonjësish. Financimi i punimeve për ta bërë këtë një pikë referimi edhe nga ana estetike do të bëhet në parneritet me institucione partnere, donatorë në fushën e biznesit, pra pa shpenzuar para nga buxheti i Bashkisë së Tiranës”, shtoi Basha.
Këshilli Bashkiak ka miratuar edhe vendosjen e pllakës memoriale në kujtim të holokaustit, emërtimin e shkollës “Gjergj Fishta” në Njësinë Bashkiake nr 11, ristrukturimin e qendrës SOCIALE “Të qëndrojmë së bashku”, “Qendrës Komunitare Multidisiplinare për Fëmijët dhe Familjet në Nevojë”, “Qendrës Komunitare për të Moshuarit” si dhe miratimin e strukturave të tyre organizative si dhe rishpërndarjet në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012.