E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozy kunder Europes per te mbrojtur Francen

Gara e fortë elektorale e kandidatëve për president në Francë e ka detyruar presidentin aktual, Nikolas Sarcozy t'i vihet edhe njëherë kundër Europës. Pas ultimatumeve për rishikim të qarkullimit të lirë të shtetasve në hapësirën Shengen, Sarkozy këtë radhë përpara elektoratit të vet afirmon se nëse do të rizgjidhet do t'i kërkojë Brukselit ngrirjen e kontributeve të Francës në bilancin e BE.

“Ju them se Franca do të kërkojë që kontributi i saj në buxhetin e BE të bllokohet. Kështu do të arrijmë të kursejmë rreth 600 milionë euro në vit”, u shpreh Sarkozy duke garantuar se “do të aprovojë në paktin e ri të BE rregullën e artë, gjoba për të gjitha vendet që nuk aplikojnë rregullat e reja mbi bilancin”.

Çdo vit Franca kontribuon me rreth 19 miliardë euro në buxhetin e Europës, e dyta pas Gjermanisë. Franca me tetë vende të tjera europiane që nga 2011 kanë mbështetur Brukselin për të mos lejuar një shtim të kontributeve kombëtare gjatë periudhës 2014-2020.

“Kam eksperiencë në menaxhimin e krizës. Situata në të cilën gjenden  miqtë tanë spanjollë, pas asaj që u ndodhi miqëve tanë grekë, na rikthen në realitet”, ka thënë kreu i Elizesë.

Sipas tij, ish-qeveria socialiste e Zapateros ka patur efekte negative mbi Spanjën.

“Dua të rindërtoj një Francë të fortë për të mbrojtur francezët”, ka vijuar presidenti, duke premtuar se në 2017-ën do të arrijë një surplus të buxhetit me 0,5% të PBB. Sarkozy ka kritikuar ashpër programin e rivalit të tij Hollande duke thënë se është një festival shpenzimesh të reja dhe nuk dihet se nga do të dalin. Ai ka kritikuar programin për uljen e moshës së pensionit në 60 vjeç, duke e quajtur si një mohim të vetwkzistencës së një krize, por edhe për faktin e premtimit për punësim të 60 mijë punonjësve në funksionet publike.

“Propozimet e rivalit Hollande mbi çështjen fiskale janë një masakrim për familjet franceze dhe klasën e mesme të shoqërisë”, ka thënë Sarkozy, gjatë një konference për shtyp.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›