E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, Gjykata e Posaçme çon për gjykim çështjen ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polivinës

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e prokurorit Adnan Xholi dhe ka vendosur kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, të dyshuar si të përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në mbikalimin e Shkozetit.

Vendimi u dha nga gjyqtari Bib Ndreca, ndërsa në ditët në vijim pritet të hidhet shorti për përcaktimin e trupës gjykuese prej tre gjyqtarësh që do të shqyrtojë çështjen në themel.

Amar Shkëmbi ishte shpallur më herët në kërkim nga SPAK për këtë ngjarje dhe u ekstradua nga Dubai në Tiranë në tetor të vitit të kaluar, për llogari të autoriteteve shqiptare.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Shkëmbi, së bashku me Bledar Polovinën, Plaurent Dervishajn, Julian Meçajn dhe Ariol Halilajn, dyshohet se kanë vepruar në formën e “grupit të strukturuar kriminal”. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes” në formë të veçantë bashkëpunimi, “Mbajtjes pa leje të armëve”, “Vrasjes së funksionarëve publikë”, e mbetur në tentativë, si dhe “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të gjitha të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ngjarja për të cilën akuzohen ka ndodhur më 1 nëntor 2019, ku mbeti i vrarë Andi Maloku, ndërsa u plagosën ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.

Në të njëjtën çështje penale janë të pandehur edhe Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhia dhe Julian Pjetri.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›