Atentati në Bengazi ka qenë sulm terrorist

Sulmi i 11 shtatorit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ka qenë “sulm terrorist”, por që nuk ka gjasa të jetë planifikuar më herët. Deklarata është bërë nga drejtori i Qendrës Kombëtare për anti-terrorizëm, Methju Ollsen duke folur para anëtarëve të Kongresit ndërsa ka shtuar s incidenti ka qenë një sulm që është përshkallëzuar për disa orë.
Ollsen ka thënë se ka informacione se disa nga sulmuesit kanë lidhje me Al Kaedën. “Një numër i elementeve të ndryshme duket se kanë marrë pjesë në sulm, përfshirë individë të lidhur me grupet militante, që janë të përhapura në Libinë lindore, sidomos në zonën e Bengazit. Ne po shqyrtojmë informacionet , sipas të cilave, individë të përfshirë në sulm, mund të kenë lidhje me Al Kaidën apo degët e Al Kaidës”, ka thënë Ollsen.
Zyrtarët libianë kanë thënë më herët se besojnë se sulmuesit kanë përdorur demonstratën kundër filmit anti-islamik “Pafajësia e Myslimanëve” për të kryer një sulm të planifikuar ndaj konsullatës.
Ambasadori i SHBA-së, Kris Stivens, dhe tre zyrtarë të tjerë amerikanë janë vrarë në incident. Ndërkohë CNN thekson se ambasadori amerikan Kristofer Stevens ishte i përfshire në listën e zezë të Al Kaedës. Ai ishte i shqetesuar për shumë kërcënime kundër tij dhe mbi të gjitha për shtimin e grupeve ekstremiste ne Bengazi, në lindje të Libisë.
CNN-i i referohet nje burimi që kërkoi ruajtjen e identitetit. Burimi flet për shqetësimin e Stevens për grupet xhihadiste, veçanërisht pjesëtarë të Al Kaedës të ardhur nga vende të tjera në Libi, të cilët ndihmuan muxhahedinet lokale. Frika u shtua pas një seri atentatesh që ndodhën gjatë kësaj vere, përfshirë edhe atë kundër konsullatës të Bengazit, i marrë përsiper nga Brigadat "Omar Abdel Rahman".