Atentati në Institut, dyshime për tri konflikte të Toskajt
Veç viktimës, objekt sulmi mendohet se ka qenë edhe shoku i tij
Policia ka dyshime të forta se vrasja e Flamur Toskajt, nga Tropoja me banim në Tiranë, mund të ketë lidhje të forta me larjen e hesapeve mes kundërshtarëve që nisin nga çështjet e drogës, me grabitjet me armë, deri te një vrasje e ndodhur muaj më parë pranë Prokurorisë së Tiranës, ku një 42-vjeçar u vra duke dalë nga një tavernë dhe tre shokët e tij u plagosën. Tre konflikte kryesore janë në epiqendër të hetimeve, ku nuk përjashtohet edhe atentati tjetër ndaj Toskajt, i kryer një vit më parë.
Të dyshuarit
Policia tha se janë shoqëruar mbi 50 persona për sulmin me armë ndaj tre personave pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës, mbrëmjen e së enjtes, ku si pasojë e të shtënave me breshëri automatiku morën plagë të rënda Flamur Toskaj, Fation Byberi dhe oficeri i burgjeve, Ramiz Bashuku. Toska ndërroi jetë më pas në Spitalin Ushtarak, si pasojë e plagëve të rënda, ndërsa Byberi është në gjendje më të rëndë. Bashuku i marrë në pyetje nga policia mësohet se nuk ka dhënë detaje që mund të identifikonin autorët. Sipas policisë, autorët kanë pritur që Toskaj, Byberi dhe Bashuku të dilnin nga një kazino pranë vendit të ngjarjes dhe të drejtoheshin për të hipur në makinën e tyre. Ata janë qëlluar nga një automjet Volksvagen Golf 4 me ngjyrë të zezë, i cili u largua më pas në drejtim të Fushë-Krujës.
Tri pistat hetimore
Sipas policisë, atentati ka pasur objektiv Flamur Toskajn, 29 vjeç, por dyshohet se bashkë me të, edhe shokun e tij të ngushtë, Fatjon Byberin, me të cilin ka qenë i dyshuar për një grabitje të ndodhur në shtatorin e vitit 2011. Megjithatë, hakmarrja mendohet se ka zanafillë më parë. Nga informacionet mësohet se Toskaj ka qenë i dënuar katër herë nga drejtësia shqiptare për vepra të ndryshme penale, ndërkohë që është dyshuar për trafiqe droge, pjesëmarrje në grupe kriminale dhe grabitje me armë. Më 2 gusht të vitit 2011, ai u qëllua me armë, gati në të njëjtat rrethana. Ngjarja u shënua 100 metra pa shkuar në fabrikën e miellit në rrugën Unaza e Re. Sipas burimeve të policisë, bëhet me dije se Flamur Toskaj, pasi ka dalë nga makina, është qëlluar me pistoletë. Kur autorët e qëlluan me pistoletë, i dëmtuari ka devijuar rrugën, pasi e kanë qëlluar pesë herë, por vetëm një plumb e kapi në këmbë. Në atë kohë, u tha që atentati ishte për një sherr në semafor, por tashmë policia ka dyshime se ai ka qenë atentat i mirëfilltë për konflikte të mëparshme dhe që është një ndër pistat hetimore. Pista e dytë e hetimit ka të bëjë me një vrasje të ndodhur muaj më parë pranë Prokurorisë së Tiranës, ku një 42-vjeçar u vra duke dalë nga një tavernë dhe tre shokët e tij u plagosën. Ndërsa pista e tretë ka të bëjë me disa konflikte të Toskajt në zonën e Laprakës, pikërisht ku ndodhet një lokal luksoz nate, ndërkohë që nuk përjashtohen edhe dyshimet për ndonjë ngjarje tjetër të rëndë, të pazbardhur nga policia. Strukturat për Krimet e Rënda në Policinë e Tiranës thanë se po hetojnë me veprime të shpejta dhe të gjithanshme me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje. Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve, ndërkohë që është zbardhur motivi i kësaj ngjarjeje dhe po punohet për kapjen e autorëve të dyshuar, deklaroi policia e kryeqytetit. Red. Akt.
Atentati në Institut, dyshime për tri konflikte të Toskajt burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip