Fatos Klosi rrëfen mbi njohjet me kreun e ri të SHISH-it, Visho Likën
Tiranë- Ish-kreu i shërbimeve sekrete, Fatos Klosi rrëfeu për Shqip sesi e ka njohur drejtuesin aktual të Shërbimit Informativ Shtetëror, SHISH, Visho Ajazi Likën, i dekretuar dy ditë më parë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Ai rrëfen se ka qënë pedagogu i Zoti Lika teksa kujton: Lika ka qenë një student i mirë dhe një matematikan i zoti. Por kjo nuk mjafton për të qenë drejtues i SHISH-it. Klosi duke u kthyer pas në vite tregon se e ka gjetur Zotin Lika në zyrat e shërbimit sekret kur mori postin vite më parë.
E kam gjetur Likën në zyrat e SHISH-it, në momentin kur mora drejtimin e këtij institucioni si drejtor të zbulimit, me një peshë të rëndësishme në këtë institucion. Nuk i kërkova largimin, por ai u largua vetë. Më vonë mësova edhe faktin se ai kishte pasur një rol tepër të dyshimtë në zgjedhjet e vitit 1996,- kujton Klosi.
E sa i takon profesionalizmit të Zotit Lika, ish-kreu i SHISH-it Fatos Klosi thotë: Shikoj se në jetëshkrimin e tij i është mëshuar shumë faktit se ai është një njohës i mirë i informatikës. Por unë mendoj se SHISH-i nuk ka si detyrë kryesore të transmetojë informacion, por përkundrazi ka detyrë ta mbledhë këtë informacion kryesisht në terren. Ky është thelbi i punës së SHISH-it dhe që bazohet në mbledhjen e të dhënave në terren.
Sipas Zotit Klosi koha e shkarkimit të Zotit Bahri Shaqiri nga shërbimi sekret sishte e duhura pasi ky i fundit ishte me pushime sikundër edhe ambasadorët e vendeve partnere në Shqipëri.
Nuk ishte e udhës tia thoshin lajmin për shkarkimin në momentin kur ai sapo ishte nisur me pushime,-tha Klosi për të përditshmën Shqip.
Sakaq hedh një sërë pyetjesh për kryeministrin Sali Berisha lidhur me shkarkimin e Bahri Shaqirit e për të cilat vetëpërgjigjet dukë nënvizuar se ka frikë së me kreun e ri të SHISH-it mund të zbatojë urdhëra të jashtëligjshëm: Pse nuk e pëlqente Kryeministri ish-shefin e SHISH-in? Arsyet për këtë nuk na i tha kurrë. Në fakt e vërteta është se ai nuk e quante Shaqirin një njeri të vetin dhe kjo mendësi është shumë e rrezikshme për një institucion të tillë.