Urgjenca kirurgjikale pret thuajse çdo ditë të plagosur
Ziçishti: Të plagosurit e të rrahurit, kryesisht mosha të reja
Lorina Mixha
Thuajse çdo ditë, në urgjencën kirurgjikale paraqiten të rinj të plagosur, të vrarë apo të rrahur për shkak të konflikteve dhe mungesës së gjetjes së gjuhës së përbashkët mes tyre. Në dy klinikat e kirurgjisë në qendrën spitalore universitare Nënë Tereza, trajtohen për prerje, çarje, dëmtime në të gjithë trupin të rinj e të reja. Në këto shërbime nuk ka statistika të sakta që referojnë të dhëna për krimin në rrugë, por, nga ana tjetër, në bllokun e të regjistruarve, kryesisht shënohen raste të ngjarjeve të rënda me pasojë plagosjeje, për shkak të krimit të rrugës. Kryesisht janë raste të moshave të reja, qytetarë që vijnë nga periferia. Kemi raste të të plagosurve, por, nga ana tjetër, edhe aksidente. Të plagosurit në trup, me prerje, çarje, dëmtime të tilla i trajtojnë në dy klinikat tona. Në muajt e verës regjistrojmë shtim, tha Ylli Ziçishti, shef i urgjencës kirurgjikale në spitalin Nënë Tereza. Sipas tij, të dëmtuarit vijnë kryesisht nga zonat periferike të kryeqytetit, por nuk përjashtohen as rastet që paraqiten për aksidente të tilla edhe nga lagjet në qendër të qytetit. Vetëm për muajin korrik shënohen 200 ndërhyrje kirurgjikale për urgjenca, plagosje, por edhe raste të vetëvrasjeve, sqaroi shefi i urgjencës kirurgjikale. Duke bërë një përllogaritje të numrit të rasteve të paraqitura çdo ditë për trajtime plagësh, rezulton që nga 20-40 raste çdo muaj të paraqiten për ndihmë mjekësore, për shkak të krimit në rrugë. Arsyet mund të jenë nga më banalet e deri te situatat më të komplikuara, por sipas mjekëve dy janë oraret më problematike të aksidenteve, me apo pa dashje. Janë orët e para të mëngjesit, kur përgjumja është e madhe, por edhe rastet pas dreke, kur në temperatura të larta, mbingarkesa dhe vapa shtojnë edhe më shumë grindjet, mosmarrëveshjet, por edhe zënkat me pasoja të rënda, të cilat kalojnë në rrahje, plagosje, dëmtime me armë të ftohta dhe sende të rënda. Kamza, Paskuqani, Bathorja, Kodra e Priftit, Selita janë edhe zonat me regjistrimin më të madh të personave që përfshihen në konflikte, me pasojë plagosje, ose edhe vdekjen. Sakaq, në urgjencën kirurgjikale çdo verë merren masa për të mos munguar gjaku, por kontingjenti më i madh që dhuron gjak dhe mbetet burimi kryesor furnizimi, janë dhurimet vullnetare të familjarëve, që kryesisht janë të gatshëm ta japin atë, në rastet e fatkeqësive të të afërmve të tyre.
Punonjësit socialë:
Krimi, problem mbeten të paarsimuarit dhe të papunët
Mungesa e arsimit, mungesa e një pune dhe problemet financiare janë të lidhura ngushtë me krimin dhe nxitjen e konflikteve. Për shkak të lëvizjeve të shumta demografike, mungesës së aftësisë për tu integruar në shoqëri të mëdha, mungesa e qytetarisë për të zgjidhur probleme nëpërmjet komunikimit dhe tolerancës, çojnë edhe të rinjtë kryesisht në gabime të mëdha, thotë psikologja Dorina Doda. Sipas saj, të rinjtë, adoleshentët që bëhen më shpejt pre e krimit, janë ata që nuk ndjekin shkollën, nuk kanë formim të përgjithshëm dhe janë jashtë kujdesit prindëror apo shkollor, për shkak të braktisjes që u bëjnë institucioneve shkollore. Po ashtu të tjerë, mosha mbi 25 vjeç, shpesh nën presionin e varfërisë, të gjendurit pa punë, për shkak të kushteve ekonomike-financiare, sociale, për shkak të depresionit, por edhe humbjes së logjikës, arsyetimit përfshihen në situata konflikti që degjenerojnë më pas me pasoja fatale, grindje, plagosje të rënda, humbje të aftësisë fizike, mendore, me pasoja edhe vdekjen, argumenton psikologia. Sipas saj, për këtë kontingjent nevojitet ndihmë dhe politika të tilla për ti integruar në komunitet nëpërmjet punësimit, programeve të edukimit dhe formimit. Do të ishte e vlefshme krijimi i kushteve për moshat e reja, për përgatitje profesionale, por edhe dhënia e kujdesit të trajtimit psikologjik. Doda sqaron se temperaturat e larta dhe ditët e nxehta njëra pas tjetrës ndikojnë në luhatje të humorit, përfshirje në konflikte, zënka. Prandaj, edhe në stinën e verës kemi shtim të krimeve, më shumë aksidente, por edhe konflikte nga më banalet, të cilat për një fjalë goje degjenerojnë në situata komplekse pa kthim prapa. L. Mixha
Urgjenca kirurgjikale pret thuajse çdo ditë të plagosur burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip