E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atestimi, mësuesit më të zhgënjyer se nxënësit

Shpenzimi i rrugës për arsimtarët e rretheve, më i madh se përfitimi i rritjes në kategori

Një pjesë e madhe e mësuesve që dje iu nënshtruan procesit të atestimit ose provimit për t’u ngritur në kategori kanë mbetur të zhgënjyer nga ky testim. Ata shprehen se zhurma dhe rrëmuja kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës testimin, duke e bërë të pamundur përqendrimin në tezat tepër të vështira të hartuara nga Instituti i Trajnimit dhe Kurrikulës pranë Ministrisë së Arsimit.
Provimet e mësuesve kanë qenë të ngjashme me ato të cilat u nënshtrohen maturantët në mbyllje të shkollës së mesme. Në tezë nuk kanë munguar pyetjet me alternativa, ato me zhvillim, por edhe eseja. Tre ishin drejtimet kryesore të cilat ministria ka synuar të testojë te mësuesit që iu nënshtruan këtij provimi.

Ana shkencore, e cila ndahej në tre pjesë të veçanta të nxjerra nga mësimet, ana gjuhësore, si dhe ajo metodike.

Por vetë mësuesit pohojnë se nuk e prisnin një nivel të tillë vështirësie, ndërkohë që kanë mbetur të shqetësuar për faktin se mungesa e kushteve normale të një provimi i ka bërë që të mos japin përgjigjet ashtu sikundër do të ndodhte në rrethana të tjera. E një gjë e tillë është krejtësisht në disfavor të tyre, për shkak se vlerësimi do të bëhet me pikë që më pas do të konvertohen në kredite. Mosarritja e krediteve do të thotë që mësuesit të rezultojnë ngelës në provim. Për ta nuk do të ketë penalitete, përveç faktit që nuk do të mund të përfitojnë rritjen në kategori, si dhe përfitimin e një shume modeste në pagën mujore. Kjo shumë varion nga 500 deri në 700 lekë të reja në muaj. Një shumë e tillë nuk ka mundur që të justifikojë as shpenzimin e rrugës që shumë arsimtarë të ardhur nga rrethe të afërta apo të largëta kanë kryer për të marrë pjesë në këtë provim.
Shumë prej tyre e kanë konsideruar të padrejtë faktin që ministria nuk u rimburson shpenzimet, të paktën të atyre të udhëtimit, në një kohë që sikundër pohojnë, edhe vetë rrogat e mësuesve mbeten sërish të ulëta në raport me nivelin e jetesës.

Gjatë testimit mësuesit shprehen se kishin në dispozicion vetëm dy orë për të kthyer përgjigje të sakta, kohë kjo që sipas tyre ishte krejtësisht e pamjaftueshme për të realizuar një testim të suksesshëm. Në një pjesë të rasteve, si në provimin e kryer në ambientet e shkollës 9-vjeçare, “Pjetër Budi” në kryeqytet, mësuesit u “sistemuan” nëpër korridoret e shkollës.

Administratorët e caktuar nga Ministria e Arsimit për të ruajtur qetësinë dhe normalitetin gjatë provimit nuk kanë mundur që ta realizojnë misionin e tyre. Vetë mësuesit në këtë rast duket se i kanë kaluar edhe nxënësit e tyre më të parregullt në klasa.

Fletët e testeve të tyre, ashtu sikundër ndodh edhe me procesin e Maturës Shtetërore, kanë qenë të sekretuara përmes numrave dhe askush nuk mundet që të bëjë lidhjen e emrit të mësuesit me numrin, përveçse një programi të veçantë kompjuterik që e disponon Ministria e Arsimit. Tanimë mbetet vetëm kontrolli i fletëve të provimit të mësuesve që kanë shumë vite punë mbi shpinë dhe rezultati i aftësive të tyre.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›