SHBA nxit për një veprim të shpejtë ndaj Greqisë
Përfaqësuesit e Financave greke janë takuar me zyrtarët e lartë financiarë të shtunën, ndërkohë që kanë nisur procedurat për të marrë paketën financiare të ndihmës, që në fakt ishte mundësia e fundit e saj para shpalljes së falimentit si shtet. Bisedimet në kuadrin e takimit vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore janë zhvilluar një ditë pasi Greqia ka kërkuar ndihmën e një kredie prej 45 miliardë dollarësh, për të shpëtuar financat e saj. Ndërsa është përfshirë nga kriza e deficitit buxhetor, ministri i Financave të Greqisë, Xhorxh Papakonstantinou, është takuar me përfaqësuesit e FMN-së përkatësisht me shefin Domenik Shtraus Khan dhe shefin e Thesarit Amerikan, Timothy Geithner, i cili ka nënvizuar nevojën e një kundërpërgjigjeje të shpejtë ndaj krizës. “Sekretari Geithner i inkurajoi ata që të lëvizin shumë shpejt, për të vënë në funksionim paketën e reformave të menjëhershme për të përfituar financiarisht një ndihmë të menjëhershme për Greqinë, që ndodhet në një situatë shumë të vështirë”, bëri të ditur shefi i Thesarit në një deklaratë të tij.
Frika në treg është se Greqia mund të falimentojë si shtet dhe të gjitha problemet që do të lindin nga një situatë e tillë do të reflektohen edhe në Eurozonë, veçanërisht në vendet që janë shumë problematike si Portugalia dhe Italia apo edhe Spanja. Ministri i Jashtëm i Greqisë është takuar edhe presidentin e Bankës Europiane, Trishe, dhe komisionerin e Bashkimit Europian për politikat ekonomike dhe monetare, Oli Rehn. Ai tha se financimi i Greqisë mund të fillojë në fillim të muajit maj. Ndërkaq edhe përfaqësues të Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ndodhen në Athinë për të diskutuar me zyrtarët e lartë grekë në lidhje me kushtet e paketës financiare. Sipas Greqisë, Komisioni Europian mund të ofrojë potencialisht një kredi për të mbushur një hapësirë, ndërkohë që aprovohet kredia. Një nga pengesat e ndihmës financiare të Greqisë vjen nga Gjermania, e cila për të dhënë fondet e saj, duhet që të marrë aprovimin e Parlamentit të saj, një sfidë shumë e madhe politike për shkak të kundërshtisë së madhe që ka një veprim i tillë nga publiku gjerman dhe aktualisht e opozitës. çështja e ndihmës financiare të Greqisë mund të jetë shumë vendimtare për sa i përket fitores së zgjedhjeve lokale në Gjermani, që do të zhvillohen në maj. Me krizën greke, që ka mbizotëruar nëpër tregjet financiare dhe në të gjithë botën, shefat e Financave kanë paralajmëruar në lidhje me punën ende të papërfunduar të riparimit të ekonomisë globale. “Bota vazhdon që të jetë një vend shumë i rrezikshëm. Unë do t’i shtyja të gjithë ne, që të ripozicionohemi për të parë qëllimet tona të përbashkëta në lidhje me përfundimin e linjës para se reforma të ketë përfunduar”, ka deklaruar shefi i FMN-së, Khan.
FMN është e shqetësuar në lidhje me një ndjenjë superiore të besimit që mbizotëron te liderët e ekonomive botërore. Të premten, zyrtarët grupit të G20 kanë deklaruar se parashikimet e tyre janë optimiste.
#