E Diel, 1 Nëntor 2026

Tension në tregun e zyrave dhe qendrave tregtare

Qendrat e reja tregtare po hasin vështirësi në gjetjen e qiramarrësve, por çmimet rezistuan

çmimet e qirave të zyrave, si dhe të dyqaneve që gjenden brenda qendrave tregtare, i kanë rezistuar krizës, por qiratë e dyqaneve jashtë qendrave tregtare janë në rënie, thonë agjentë të tregut të pasurive të patundshme. Sipas agjentëve, përfundimi i disa projekteve për ndërtimin e qendrave tregtare të klasit të parë, ka krijuar hapësira të konsiderueshme të lira për zyra, të cilat nuk po jepen dot me qira. Megjithatë, qiradhënësit duket se po rezistojnë në pritje të një kohe më të përshtatshme. Në total, rreth 7 për qind e sipërfaqeve për zyra nëpër qendrat tregtare mbetën pa u dhënë me qira në vitin 2009, kryesisht për shkak se oferta u rrit me ritëm shumë më të shpejtë se sa kërkesa. Por edhe duke përjashtuar rritjen e hapësirës së disponueshme për zyra, sërish, në vitin 2009 pati më pak ambiente të marra me qira se sa në vitin 2008, kryesisht për shkak të krizës. Në qendrat e biznesit të klasit të parë, zyrat e pazëna arrijnë në 14-15 për qind. Aktualisht zyrat me qira në Tiranë kushtojnë nga 13 në 23 euro për metër katror në muaj dhe çmimet kanë mbetur kryesisht të pandryshuara. Kompanitë qiradhënëse kanë qenë në gjendje të rezistojnë përballë presionit për uljen e çmimeve dhe duket se kanë zgjedhur të presin disa muaj në pritje të stabilizimit të situatës dhe rritjes së qirave. Preferenca e qiramarrësve sipas ekspertëve tashmë është zhvendosur drejt ambienteve më të bollshme, zakonisht mbi 200 metra katrorë.

Mbipopullim qendrash tregtare

Sipas agjentëve të pronave të paluajtshme, gjatë vitit 2009, pavarësisht krizës botërore, në Shqipëri u dyfishua sipërfaqja e shitjeve në qendrat tregtare. Pesë projekte të mëdha qendrash të reja tregtare u përuruan vitin e kaluar, duke vënë në dispozicion të shitjeve me pakicë rreth 87 mijë metra katrorë. Në vitin 2008, në Shqipëri kishte vetëm rreth 80 mijë metra katrorë qendra tregtare. Përveç kësaj, deri në vitin 2011, parashikohet që të hapen edhe qendra të reja tregtare, me sipërfaqe të përgjithshme prej 55 mijë metrash katrorë. Sipas ekspertëve, rritja kaq e shpejtë dhe e fortë e ofertës do të sjellë natyrisht edhe rënie të çmimeve të qirave të dyqaneve brenda këtyre qendrave. Por pavarësisht pritshmërive të ekspertëve, së paku në vitin 2009, ky presion mbi çmimet e qirave nuk u ndie, pavarësisht se një pjesë e qendrave tregtare raportuan rënie të sasisë së mallit të shitur si pasojë e rënies së përgjithshme të konsumit final të popullatës. Një tendencë e re është vënë re tek ambientet përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, ku shumë ambiente që më parë përdoreshin për fabrika, kanë filluar të transformohen në ekspozita shitjesh me pakicë.

Rënie te dyqanet e zakonshme

Sipas ekspertëve, kriza ka sjellë rënie të lehtë të çmimeve në dyqanet që gjenden në rrugët kryesore të Tiranës dhe jashtë qendrave tregtare. Në zonat më të preferuara, qiratë variojnë nga 15 në 65 euro për metër katrorë, ndërsa në rrugët kryesore çmimet janë rreth 15 euro për metër katror. Të dhënat e agjencive të ndërmjetësimit të shitblerjeve të pronave të patundshme janë vetëm orientuese, për shkak se sasia e informacionit të mbledhur prej tyre është e paktë për të pasur një matje më të saktë.

Gjatë viteve të fundit, në Shqipëri, duket se është zhvilluar një konkurrencë gjithnjë e më e ashpër mes qendrave tregtare dhe dyqaneve jashtë qendrave. Vitin e kaluar, rrjetet e shitjeve me pakicë ndërhynë pranë qeverisë dhe e bindën të ndryshojë kriteret e klasifikimit si biznes i vogël, me synimin për të shtuar numrin e paguesve të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Qeveria vendosi të fusë në skemën e TVSH-së të gjitha bizneset me xhiro më të madhe se 5 milionë lekë në vit. Më parë, kufiri ishte 8 milionë lekë. Megjithatë, duket se pasojat e këtij ndryshimi në praktikë kanë qenë margjinale, pasi shumica dërrmuese e bizneseve të vogla ia kanë dalë të shmangin darën e tatimorëve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›