Athina: Nuk do të kthehemi më te dhrahmia
Ekonomia greke i pagoi më shtrenjtë se çdo vend tjetër spekulimet për Hungarinë. Megjithëse spekulimet financiare kësaj radhe nuk lidheshin me të, haraçin më të madh të tyre e pagoi Greqia. Përkundër humbjeve të vogla të bursave europiane në mesin e një klime pasigurie për ecurinë e euros, bursa e Athinës shënoi rënie të madhe prej 5.45%, duke u kthyer në nivelin e 12 viteve më parë. Me bursën në rënie të lirë dhe ekonominë në recesion të thellë, u ricikluan skenarët e falimentimit të vendit dhe kthimit të tij te dhrahmia. “I përgënjeshtrojmë në mënyrë kategorike të gjithë këta skenarë fantazistë, cilido qoftë burimi i tyre”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Jorgos Petallotis, për të shtuar se “nuk bëhet fjalë për falimentim dhe kthim te dhrahmia”. Zëdhënësi grek foli për “ulje të deficitit dhe shtim të të ardhurave”, si dhe vlerësoi zbatimin e programit si “alternativën e sigurt për daljen nga kriza”. Javën e kaluar, kreu i Komisionit Monetar Ndërkombëtar të FMN-së, Zoussef Boutros-Ghali, kishte shprehur dyshimin në aftësinë e Greqisë për zbatimin e reformave në shkëmbim të ndihmës së ofruar prej 110 miliardë eurosh.
#