Meta: Në Tiranë LSI-ja kundër kandidatit të PS-së
Zgjedhjet lokale të vitit 2011 mund të rezultojnë një nga sfidat më të vështira për Partinë Socialiste. Jo vetëm për shkak të situatës dhe klimës së zhvillimit të tyre, por edhe pasi aksionet e deritanishme të selisë rozë kanë diktuar unifikimin e frontit kundërshtar, prej të cilit po bëhet e qartë se sfida e Tiranës do të tërheqë investimin maksimal. Numri dy i qeverisë së tanishme, Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka qenë shumë i qartë dje në një intervistë televizive për sa i përket rreshtimit të forcës së tij në procesin elektoral të 2011-s. “Në zgjedhjet lokale në disa nga bashkitë kryesore ne do të konkurrojmë me Partinë Socialiste. Përveç arsyeve të tjera ne jemi shumë të zhgënjyer nga përdorimi i votave tona, të cilat ishin përcaktuese si në Tiranë e Durrës”, tha Meta. Meta ka folur për “vota përcaktuese të LSI-së” në Tiranë, zbritja e të cilave nga rezultati i 2007-s e vë seriozisht në diskutim betejën për Tiranë, që është në vetvete një sfidë mirëfilli politike. Këtë skenar që i atribuon LSI-së një rol thelbësor në zgjedhjet lokale të 2011-s e ka bërë të vetën edhe deputeti socialist Kastriot Islami, që ka zhvilluar me këtë rast edhe matematikën elektorale të procesit. Edhe pse Meta nuk e ka qartësuar se cila do të jetë gjeografia e koalicionit me PD-në në 2011-n është më se e sigurt se në bashkitë kryesore koalicioni do të kërkojë fitoren përballë selisë rozë, e cila duhet thënë se është penalizuar dy herë rresht për shkak të përçarjes me partinë e drejtuar nga zv.kryeministri i tanishëm.
#