Athina dhe Pireu në grevë e protesta kundër qeverisë
Janë ringjallur sërish protestat masive në Greqi, ndërsa njerëzit vazhdojnë të jenë të pakënaqur nga masat e marra prej qeverisë për të shkurtuar shpenzimet e buxhetit. Këtë herë protestat janë zhvilluar në Athinë dhe në portin më të madh, atë të Pireut, të shoqëruara me një grevë të përgjithshme 24-orëshe. Në kryeqytet demonstruesit kanë hedhur ndaj policisë mjete rrethanore, si shkopinj, shishe e gurë dhe policia, nga ana e saj, është kundërpërgjigjur duke lëshuar gaz lotsjellës. Gazi u është hedhur edhe punonjësve që janë përpjekur të bllokojnë Portin e Pireut. Greva dhe protestat vijnë në një moment kur parlamentarët vendas kanë nisur një debat në lidhje me masat shtrënguese që ka kërkuar Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian në këmbim të kredisë që mori vendi dy muaj më parë. Greqia ndodhej në një situatë shumë të rëndë, për shkak të një deficiti jashtëzakonisht të lartë buxhetor që mund ta kishte çuar shtetin në faliment. Masat përfshijnë shkurtime e ngritje të pensioneve, pagave dhe rritjes së moshës së daljes në pension. Greqia ka vite që vuan nga një krizë, e cila vetëm në fillim të këtij viti u shfaq me përmasa alarmuese jo vetëm për vendin, por për të gjitha vendet e eurozonës. Ndërkohë, pikërisht këto vende dhe FMN-ja i dhanë një kredi prej 110 miliardë eurosh që do të lëvrohet për 3 vjet, por me kushtin e marrjes së shumë masave shtrënguese. Tashmë 6 muaj pas marrjes së masave të para të këtij lloji nga ana e qeverisë greke konfrontimi mes policisë dhe punonjësve grekë ka arritur një kulminacion. Debati që ka nisur në Parlament në lidhje me situatën dhe masat e shkurtimeve të shpenzimeve pritet që të zgjasë deri në një javë. Sfida e sindikatave është që të nxjerrë sa më shumë njerëz nëpër rrugë dhe mundësisht të bindë socialistët rebelë që të votojnë kundër partisë së tyre dhe të mos e aprovojnë ligjin. Qeveria ka një shumicë në Parlamentin me 300 vende. Të martën në shesh kanë dalë mbi 10 mijë persona dhe në fund gjithçka ka degjeneruar në një përleshje të të rinjve me policinë për disa orë të tëra. Në këto rrethana janë dëmtuar makina, autobusë të shërbimit publik, kabina telefoni në rrugë, si dhe dyqane. Greva e djeshme ka paralizuar shërbimet publike dhe transportin lokal. Në të u përfshinë edhe mjekë, gazetarë, punonjës të industrive të ndryshme dhe programet e televizionit u anuluan. Greva në Pire, si edhe protestat e ngjashme të fundit, u shpallën të paligjshme dhe autoritetet u përpoqën që të parandalojnë përshkallëzimin e tyre.
#