Ethet hemorragjike rikthehen në Kukës
Kur mendohej se episodet me ethet hemorragjike ishin nën kontroll dhe po shkonin drejt reduktimit apo eliminimit të plotë, shfaqen dy raste të reja në Kukës.
Burime pranë spitalit civil të Kukësit tregojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë paraqitur dy raste të reja të personave të prekur me ethet hemorragjike. Pacientët kanë qenë një grua e re 27-vjeçare nga fshati Mamëz i Kukësit, si dhe një grua tjetër 55 vjeçe nga fshati Golaj i Rrethit të Hasit.
Të sëmurat janë kryesisht nga zonat ku edhe në ditët e shkuara ka pasur raste të evidentuara të sëmundjes infektive. Një specialist i repartit të infektivit tha se rastet e reja nuk duhet të krijojnë panik, pasi janë sporadike, megjithëse gjeografia e përhapjes së sëmundjes është e njëjta.
“Janë pak a shumë nga vatrat e mëparshme të etheve, Kukës dhe Has”, tha ai, duke shtuar se nuk kishim zgjerim të hartës së etheve, por riaktivizim të virusit për shkak të reshjeve të shiut që zhvlerësuan dezinfektimin e bërë.
“Reshjet e ditëve të fundit kanë bërë që në pika të caktuara të dobësohet efekti i spërkatjes me helmin kundër rriqrave dhe për këtë arsye ka pasur rishfaqje të sëmundjes”, ka sqaruar më tej mjeku, duke nënvizuar faktin se në këto fshatra dhe në zona të tjera, dy javë më parë kishte një situatë alarmante të etheve.
Nga ana tjetër, drejtues të drejtorisë së shërbimit parësor në Kukës thonë se në disa prej vatrave të etheve do të kryhet përsëri spërkatja me dezinfektant pas përfundimit të reshjeve.
Numri i të prekurve nga ethet hemorragjike gjatë 5 javëve të fundit shkoi në 14 dhe shkak për rëndimin e gjendjes së të sëmurëve ka qenë mungesa e Ripravinës, medikamentit kryesor që përdoret në rastet e trajtimeve të kësaj sëmundjeje.
Problemi u evidentua pas një inspektimi të kryer nga një grup i Ministrisë së Shëndetësisë. Brenda pak ditësh sasia e medikamentit mbërriti në spitalin e Kukësit dhe situata u normalizua.
Brenda 3 javësh në repartin e infektivit në spitalin rajonal të Kukësit u trajtuan 14 persona të prekur me ethe hemorragjike, 4 prej të cilëve u dërguan edhe në Tiranë.
Ethet hemorragjike shkaktuan rreth katër javë më parë një viktimë në Rrethin e Hasit, një grua 40 vjeçe nga fshati Vranisht. Mendohet se 40-vjeçarja humbi jetën për shkak se familjarët e dërguan në spital shumë ditë pasi ishte infektuar. Spitali i Gjakovës, pasi kishte konstatuar tipin e sëmundjes, e dërgoi atë me urgjencë në Prishtinë, por gruaja nuk mundi të mbijetojë.
Nga ana tjetër, në Kosovë, ku ethet kanë qenë mjaft të përhapura, kohët e fundit kanë humbur jetën 5 persona.
#